Merkel (pothuajse) humbi aleatët evropianë

Bota April 18, 2018 - 12:07
Lexo detajet

Merkel humbi aleatët evropianë. Qoftë për shkak të zgjedhjeve, në kontestet si me Spanjën për Puigdemontin ose për shkak të Brexitit, për kancelaren gjermane me siguri gjërat do të jenë më të komplikuara

 

Hungaria: Hungaria nuk ka qenë prej disa vitesh aleate e ngushtë e kancelares gjermane. Ndër krerët e qeverive evropiane Viktor Orban është ndoshta kritiku më i ashpër i politikës së refugjatëve të Angela Merkel. Orban po udhëheq gjithashtu fjalën kryesore midis vendeve të Evropës Lindore që janë kundër kërkesave të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve. Ai dëshiron, nëse është e mundur, Hungarinë etnike dhe homogjene dhe më shumë pushtet për një shtet kombëtar sesa për Brukselin. Ai ka përçmuar gjyqësorin dhe mediet duke provokuar Komisionin Evropian. Dhe pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet e së dielës politika e Orbanit vetëm se është konfirmuar. Merkel përgëzoi Orbanin për fitoren zgjedhore, duke reflektuar sjellje të mira. Partia Fides e Orbanit në Parlamentin Evropian i përket së njëjtës familje partiake si demokratët e Angela Merkelit. Por midis Merkelit dhe Orbanit qëndrojnë botët ideologjike. Por pavarësisht kësaj, Orban me ministrin e Brendshëm aktual Horst Seehofer ka lidhje të mira si dikur me të ndjerin, ish-kancelarin Helmut Kohl. Angela Merkel të paktën e ka të qartë se Viktor Orban nuk do të jetë aleati i saj në periudhën e ardhshme, transmeton zeri.info

Spanja: Është krejtësisht situatë e ndryshme në rastin e Spanjës. Deri dje konservatori Mariano Rajoy ishte njëri nga aleatët më të afërt të Gjermanisë midis partnerëve evropianë. Spanja është njëra nga vendet e pakta evropiane që nuk ka një parti populiste të djathtë me ndikim. Por këto lidhje janë keqësuar kur një gjykatë gjermane vendosi që separatisti i Katalonjës Carles Puigdemont, të cilin Spanja e kërkon për rebelim, e liroi nga paraburgimi, kurse ministrja gjermane e Drejtësisë nga radhët e SPD-së, Catherine Barlej, tha se vendimi është i drejtë, përcjell zeri.info. Kritikët paralajmërojnë se gjykimi ka minuar besimin në nivel evropian, sepse Gjermania e la të lirë Puigdemontin për të cilin është lëshuar urdhërarresti evropian. Sido që të jetë, besimi nuk është ndërprerë midis dy krerëve të qeverive kur bëhet fjalë për çështjen e Katalonjës. Merkel gjithmonë i ka bërë të ditur Rajoyit se është kundër pavarësisë së Katalonjës.

Italia: Merkel shumë mirë pajtohej me kryeministrin e qendrës së majtë Gentilonin dhe atë e cilësonte si “Evropian” dhe reformator. Por që nga zgjedhjet parlamentare në mars situata ka ndryshuar rrënjësisht. Partia Demokratike e Gentilonit pësoi një goditje serioze.
Fituan pothuajse të gjithë euroskeptikët dhe populistët e krahut të djathtë, lëvizja “Pesë Yje” dhe “Liga”. Ata kishin një qëndrim të qartë se nuk u interesonin kriteret e stabilitetit të BE-së, megjithëse Italia është përgjegjëse “deri në fyt”. Kreu i Ligës Salvini madje pohon se futja e euros ishte një gabim, edhe pse nuk kërkon më dalje nga bashkimi monetar. Dhe është ende e paqartë se çfarë qeverie do të ketë Italia, Roma në çdo rast nuk do të jetë një partner i lehtë për Angela Merkel për shkak se në shumë fusha nuk e ndajnë mendimin e njëjtë.

Austria: Që nga dhjetori konservatori Sebastian Kurt është në pushtet në Vjenë me FPÖ-në e djathtë populiste. Kjo parti nuk mbron më tërheqjen e Austrisë nga BE-ja, por është akoma skeptike si më parë rreth BE-së. Koalicioni austriak ka të ngjarë të kundërshtojë të gjitha përpjekjet për ta bërë BE-në të ketë më shumë pushtet dhe më shumë para. Nga ana tjetër, Austria mbetet një partner i besueshëm në politikën e stabilitetit. Kontradikta më e madhe për Merkelin është një politikë e rreptë vieneze antiimigracion. Kur më 2015-ën kancelari i atëhershëm Frajman mbështeti politikën e Angela Merkelit në çështjen e kufijve të hapur, Kurtz si ministër i jashtëm arriti të mbyllte rrugën ballkanike. Duke përjashtuar vendet e Grupit të Vishegradit, Hungarinë, Poloninë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke, sot asnjë kryeministër evropian nuk përfaqëson një politikë të rreptë antiemigracion si Kurtz, raporton DW-ja.

Britania e Madhe: Angela Merkel shprehu keqardhje të thellë për vendimin e Britanisë për t'u larguar nga BE-ja. Pragmatizmi në vend të ideologjisë, kosmpolitizmi në vend të mbylljes, një ekonomi solide në vend të futjes në borxhe, këto postulatet themelore të Londrës janë të afërta me kancelaren dhe CDU-në e saj. Mbretëria e Bashkuar, në të cilën partitë konservatore janë në pushtet, gjithmonë ka qenë kundërbalancimi i "jugut" në politikën evropiane. Së bashku me Londrën, Merkel mund të mbronte kërkesën e tepërt për shpenzime në jug të BE-së. Britania, ekonomia e dytë më e madhe e BE-së, një fuqi atomike me të drejtë të vetos në Këshillin e Sigurimit ishte një aleat i fuqishëm i kancelares gjermane. Pas Brexitit Mbretëria e Bashkuar do të mbetet një partner i rëndësishëm i Gjermanisë, por humbja në politikën evropiane është e madhe, raporton zeri.info

Franca: Dhe presidenti francez Emanuel Macron mbetet një partner kokëfortë. Kështu të paktën përfaqësohen Qeveria Federale Gjermane dhe pallati Elysee. Një pjesë e politikës gjermane Macronin e sheh si një lloj shpëtimi të fundit për Evropën. Fitorja e tij çuditërisht bindëse e zgjedhjeve rreth një vit më parë kundër së djathtës Marine Lepen në Berlin shkaktoi një psherëtimë kolektive të lehtësimit. Macron konsiderohet si shtylla e rëndësishme e përparimit të mëtejshëm evropian. Kështu thuhet në marrëveshjen e koalicionit të Berlinit. Megjithatë, Macron është ende duke pritur përgjigjen e qartë të Berlinit ndaj ideve të tij për një reformë të eurozonës. Në unionin e Angela Merkelit po rritet skepticizmi. Shumë prej tyre janë të bindur se në fakt bëhet fjalë për zhvendosjen e ngarkesave te taksapaguesit gjermanë. Kjo është ajo që shohin partitë e opozitës FDP dhe AfD. Por presidenti është nën presion edhe në Francë. Vala e fundit e grevave ka treguar rezistencë ndaj programit të tij të liberalizimit. Dhe në sfond qëndrojnë kërcënimet për zgjedhjet evropiane brenda një viti. Ka shqetësime se edhe më shumë populistë të krahut të djathtë, euroskeptikë apo edhe parlamentarët antievropianë tani do të hyjnë në Parlamentin Evropian. Vetëm se ka pak kohë për t'u ofruar qytetarëve një sukses mbi bazën e të cilit do të besonin në vlerën e BE-së. Pavarësisht nga të gjitha dallimet, një gjë i bashkon Merkelin dhe Makronin - dëshira për të forcuar Evropën./Zeri