Trump akuzon prokurorin Mueller për njëanshmëri politike

Bota March 18, 2018 - 18:53

Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar Prokurorin e Posaçëm, Robert Mueller, duke e akuzuar atë për njëanshmëri politike në hetimin e tij për lidhjet e zyrtarëve të fushatës zgjedhore të Trump me Rusinë në vitin 2016 dhe për të përcaktuar nëse presidenti pengoi drejtësinë kur u përpoq të ndalte hetimin.

“Pse ekipi i Prokurorit Mueller ka 13 demokratë të betuar, disa përkrahës së Hillary mashtruese dhe asnjë republikan? Së fundmi u shtua edhe një demokrat tjetër … a mendon njeri se kjo është e drejtë? Megjithatë nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë”! tha Trump në njërin prej disa komenteve të njëpasnjëshme në Twitter gjatë fundjavës, duke përmendur fitoren ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton dhe pakënaqësinë e tij ndaj hetimeve që po zhvillohen që nga ajo kohë.

Presidenti Trump la mënjanë faktin se të paktën gjatë një periudhe të caktuar Mueller ishte i regjistruar si votues republikan dhe konsiderohet përgjithësisht në Uashington si një prokuror i paanshëm politikisht, hetimi i të cilit për fushatën e Trump është mbështetur si nga demokratët ashtu edhe republikanë me peshë, të cilët në intervista të dielën shprehën miratimin për mënyrën se si po e kryen hetimin Mueller.