Lufta e fuqive të huaja për influencë në Siri

Bota March 01, 2018 - 09:22

Zhdukja e “Shtetit Islamik” po intensifikon një përleshje midis fuqive të huaja në Siri, duke ngritur rrezikun që interesat strategjike dhe komerciale të divergjencës mund të çojnë në një luftë më të gjerë rajonale.

Muajin e kaluar një sulm ajror amerikan në pjesën lindore të vendit vrau një numër të panjohur të kontraktorëve ushtarakë rusë; Izraeli goditi instalimet ushtarake iraniane thellë brenda Sirisë; ndërsa Turqia zhvilloi një fushatë kundër milicive kurde në veri.

Situata e paqëndrueshme është rezultat i luftës kundër “Shtetit Islamik” me akterë që pushtojnë territor, armatosin autoritetet dhe përkeqësojnë ndarjet etnike dhe politike që ekzistojnë për një kohë të gjatë, përcjell "Zëri". Rezultati: një sërë vatrash të nxehta ku përplasjet mund të shpërthejnë në mesin e fuqive të mëdha dhe të përhapen përtej kufijve të Sirisë.

“Askush nuk e dëshiron atë luftë, por të gjithë janë gati për të dhe e presin”, tha Emile Hokayem, një ekspert i Sirisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.

Rusia është shfaqur si një forcë dominuese pasi ndërhyri për ta kthyer rrjedhën në konfliktin e shumanshëm në favor të qeverisë së presidentit sirian Bashar al-Assad. Megjithatë, edhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili në dhjetor shpalli fitoren, por e ka mbajtur vendin e tij thellësisht të përfshirë, ka kontroll të kufizuar.

Me mbështetjen e Rusisë dhe të Iranit Assad ka mbizotëruar kryesisht kundër rebelëve që përpiqen ta rrëzojnë atë, duke u mbështetur në dhunën e egër për të rimarrë territorin dhe duke mbërthyer kundërshtarët e tij të mbetur në zonat si Ghouta Lindore në periferi të Damaskut dhe në provincën veriperëndimore të Idlibit, transmeton "Zeri.info" shkrimin e “The Wall Street Journal”..

Vende të tjera të nxehta janë në veri, ku Turqia po përpiqet për t’i shpartalluar militantët kurdë sirianë dhe në lindje, ku SHBA-ja po lufton xhepin e fundit të rëndësishëm të luftëtarëve të “Shtetit Islamik”. Në jug Izraeli mund të përfshihet në konflikt, duke iu përgjigjur pranisë në rritje të forcave besnike ndaj Iranit.

Aeroplanët amerikanë dhe rusë gati u përplasën

Më parë këtë muaj forcat e SHBA-së nisën sulme ajrore dhe një bombardim artilerie kur luftëtarët, duke përfshirë kontraktorët ushtarakë rusë, tentuan për ta marrë nën kontroll një fushë të gazit pranë qytetit lindor Deir Ezzour. Zyrtarët e SHBA-së thanë se rreth 100 vetë u vranë.

Moska e minimizoi incidentin me Ministrinë e Jashtme të Rusisë, duke pranuar një pjesë të vogël vdekjesh. Rusia me gjasë ka kërkuar t’i shmangë tensionet në rritje, shkroi Pavel K. Baev, një anëtar i lartë joresident në Institutin Brookings javën e kaluar.

Rusia dhe SHBA-ja gjithashtu kanë qenë pranë përplasjes në ajër, transmeton "Zeri.info". Që nga tetori avionët rusë kanë shkelur zonën në anën perëndimore të kontrolluar nga ana e Uashingtonit disa herë në ditë, tha zëdhënësi i Komandës Qendrore të Uashingtonit, Earl Brown.

Më 13 dhjetor avionët luftarakë amerikanë “F-22” detektuan dy avionë rusë “Sukhoi SU-25” dhe për 40 minuta gjuajtën flakë dhe përdorën një kanal emergjence për t'i bërë rusët të largoheshin nga hapësira ajrore e kontrolluar nga SHBA-ja. Në një moment aeroplanët amerikanë dhe rusë gati u përplasën.

“Është bërë gjithnjë e më e vështirë për pilotët tanë të dallojnë nëse veprimet e pilotëve rusë janë të qëllimshme ose nëse këto janë gabime të rastit”, tha Lt. Col. Brown.

Irani, aleati tjetër i fortë i regjimit të Asadit, ka konsoliduar atë që e quan një “front të rezistencës” kundër Izraelit dhe SHBA-së. Këtë muaj Izraeli bëri përpjekjet e veta më të thella në luftë, kur goditi një avion iranian mbi lartësitë e Golanit dhe vazhdoi të bombardojë një seri të instalimeve iraniane dhe siriane thellë në Siri.

Një avion izraelit u rrëzua nga raketat kundërajrore gjatë njërit prej sulmeve, përcjell "Zëri".

Kur aeroplanët turq dhe trupat tokësore në janar filluan ta godisnin enklavën kurde të Afrin për të dëbuar milicinë kurde të YPG-së, ata e bënë këtë me pëlqimin e heshtur nga Rusia, e cila kontrollon hapësirën ajrore në veriperëndim. Ministri i Jashtëm turk tha se zyrtarët turq që vizituan Moskën para ofensivës ishin atje për të marrë leje ruse për manovrat.

“Rusia dëshiron të jetë kalibrimi i asaj që ndodh në fushën e betejës”, tha analisti Hokayem. “Rusët e dinë se nuk mund t'i detyrojnë të gjithë. Qëllimi i tyre është që të tjerët do ta dobësojnë njëra-tjetrën dhe Rusia do të bëhet më me ndikim në formësimin e vendit më pas”.

Në luftime gjithashtu përfiton Rusia, sepse kjo tendos marrëdhëniet midis Ankarasë dhe SHBA-së, të cilat luftuan së bashku me kurdët sirianë kundër “Shtetit Islamik”. Turqia kërcënon të vazhdojë në lindje nga Afrini për në Manbij, ku janë të dislokuara forcat speciale të SHBA-së.

Administrata Trump ka sinjalizuar një prani të hapur të Uashingtonit në Siri, por ngurron të përfshihet më thellë në luftimet e drejtpërdrejta ose në ndërmjetësimin e konfliktit.

Ky mosangazhim në Siri rrit rrezikun e një lufte rajonale, tha z. Hokayem. Fuqitë rivale duhet të komunikojnë për t’i shmangur përplasjet e mundshme, por nuk kanë një kanal të qartë pa ndërmjetësimin e SHBA-së.

“Gjithkush shpreson që rusët ta marrin këtë rol, por nuk e dimë nëse ata janë në gjendje apo të gatshëm ta bëjnë këtë”, tha ai. / “The Wall Street Journal”/ . / ZËRI/