Irani do t'i vazhdojë sulmet në Siri pavarësisht armëpushimit

Bota February 25, 2018 - 15:08

Irani ka thënë se sulmet kundër “terroristëve”, jashtë Damaskut do të vazhdojnë, mirëpo Teherani dhe qeveria siriane do të respektojnë armëpushimin 30-ditor të OKB-së, në pjesën tjetër të territorit të Sirisë.

Shefi i stafit të ushtrisë iraniane, gjenerali, Mohammad Baqeri, është cituar të ketë thënë sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, se Irani dhe Siria do të veprojnë në përputhshmëri me rezolutën e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Disa pjesë në periferi të Damaskut, të cilat kontrollohen nga terroristët, nuk janë të përfshira në armëpushim andaj operacioni i pastrimit do të vazhdojë atje”, është cituar të ketë thënë Baqeri.

Dëshmitarët dhe monitoruesit kanë thënë se dhuna është pakësuar dukshëm në zonat afër Damaskut, pas arritjes së marrëveshjes.