Franca shpall gjendje të jashtëzakonshme pas reshjeve në 275 zona

Bota February 15, 2018 - 16:29

Autoritetet franceze shpallën gjendje të katastrofës së jashtëzakonshme në 275 qytete dhe fshatra pas përmbytjeve të cilat në fund të muajit janar goditën pjesën më të madhe të vendit.

Qeveria e Francës ka njoftuar se edhe 156 komuna presin vendimin mbi atë nëse do të shpallen zona të katastrofave. Pas vlerësimit të ekspertëve, autoritetet franceze vendimin do të duhet ta marrin më 6 mars.

Vendosja e gjendjes së katastrofës natyrore është procedurë e veçantë e cila zbatohet nga viti 1982, me qëllim që viktimat e katastrofave natyrore të mund të fitojnë kompensim adekuat për dëmet pronësore, rikujton portali “The Local”.

Kur një vend i caktuar shpallet zonë e katastrofës natyrore, viktimat mund të kërkojnë kompensim tek të gjitha shtëpitë e sigurimit.

Shumë komuna në Francë edhe më tej ndjejnë pasojat e përmbytjeve të janarit.

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, pret që dëmi mbi përmbytjet të jetë më i vogël se ai i vitit 2016, kur shtëpitë e sigurimeve paguan 1.4 miliardë euro dëme.