Libia, trampolina e trafikut të qenieve njerëzore drejt Evropës

Bota January 18, 2018 - 08:02

Edhe përpara shpërbërjes së shtetit libian pas ndërhyrjes së NATO-s vendi shërbente si një portë për emigrantët që kërkonin strehë në Evropë, transmeton Zeri.

Në qytetin e vogël bregdetar Zuvarah (120 km në perëndim të Tripolit) komunitetet amazigh (vendas të Afrikës së Veriut) janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër trafikimit të burrave, grave dhe fëmijëve. Operacionet kundër trafikimit po zhvillohen në mbarë rajonin. Shumë prej tyre udhëhiqen nga të rinjtë, me synimin për t’i mbrojtur komunitetet e tyre dhe për të shpëtuar reputacionin e familjeve të tyre. Edhe pse në shkallë të vogël ndikimet janë shumë të gjera. E ashtuquajtura rruga Zuvarah-Lampeduza, dikur linja kryesore e trafikantëve midis Libisë dhe Italisë, është mbyllur kohët e fundit. Me pak ndihmë nga të huajt komunitetet lokale morën nën kontroll situatën. Ndërkohë që akuzohen nga disa se po e zbatojnë drejtësinë me anë të formave të dhunshme, banorët e sapofuqizuar po rivënë në vend krenarinë e tyre.

Si gjetkë edhe në Zuvarah gjeografia përbën një fat. Banorët lokalë nisën të mobilizohen kundër trafikantëve që në vitin 2015, pasi një anije u mbyt fare pranë brigjeve të qytetit, duke i marrë jetën 650 emigrantëve. Të tmerruar nga fatkeqësia udhëheqësit e Zuvarah u ngritën kundër trafikantëve, duke pretenduar se “Zuvarah nuk duhet të jetë në duart e gjakpirësve”, përcjell Zeri.
Kjo përfaqësonte një ndarje me të shkuarën. Tek e fundit, edhe banorët zuvarahanë, si shumë komunitete të tjera në Libi ishin të ndërvarur prej kohësh nga aktivitetet e paligjshme, duke përfshirë edhe trafikimin e njerëzve. Zuvarah është akoma më shumë një përjashtim nga rregulli.

Libia nuk është gjë tjetër veçse një republikë bananesh, me grupimet e shumta fisnore, që bashkëpunojnë nëpër rrugët e trafikimit. Në shumë pjesë të vendit grupet e milicisë, rebelët, si dhe kriminelët e organizuar mbushin boshllëqet e lëna nga një qeveri e paefektshme dhe mbijetojnë falë ekonomisë së paligjshme. Në njëfarë mase kontrabanda dhe trafikimi janë një biznes në të cilin grupet konkurruese gjejnë një kauzë të përbashkët. Megjithatë, në vend se të ndërtonin një aparat të sigurisë për të përfituar nga tregu i zi, zuvarahanët e ndërtuan një të tillë për t’i dhënë fund aktiviteteve të tilla të paligjshme, transmeton Zeri.

Duke filluar në vitin 2015 në Zuvarah u formua Njësia kundër Krimit pa asnjë autorizim zyrtar. Ajo përbëhet nga vullnetarë dhe peshkatarë të rinj zuvarahanas, që shërbejnë si një de fakto polici e qytetit kundër kontrabandistëve. Njësia ka filluar kryerjen e kontrolleve të rregullta duke arrestuar dhjetëra ndërmjetës të trafikimit të qenieve njerëzore. Ndërsa ofron në një masë të caktuar rend publik, Njësia ka nisur të kritikohet për kryerjen e operacioneve të jashtëligjshme, duke kryer arrestime arbitrare dhe duke abuzuar me të të drejtat e njeriut.

Njësia kundër Krimit në Zuvarah është vetëm një shembull i një reagimi lokal ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Megjithatë, kjo nuk është e gjithë historia. Nga tragjedia që shpërtheu në brigjet e këtij qyteti lindi edhe lëvizje e gjallë e shoqërisë civile, që kërkon t’i japë fund trafikimit të qenieve njerëzore.

Kjo lëvizje përfshin shoqatat kulturore, lëvizjet politike dhe grupimet fetare që kanë gjetur kauzën e përbashkët në përballjen me krimin e organizuar, duke synuar dhënien fund të dukurisë së trafikimit si një lloj normaliteti. Duke vepruar së bashku ata po pengojnë rrjetet kriminale duke ndërtuar rezistencën me bazë në komunitet.

Një nga grupimet më të spikatura të shoqërisë civile është “Azref”. Shoqata angazhohet me edukimin e të rinjve, mbi të drejtat themelore të emigrantëve. Puna e saj ka qenë kaq e efektshme saqë komuna e Zuvarah ka bashkuar forcat për të përmirësuar fushatat e ndërgjegjësimit publik. Një organizatë tjetër, “At-Vellol”, është duke organizuar trajnime për të promovuar të drejtat e pakicave dhe për të ndihmuar në shpëtimin e reputacionit të qytetit. Ndërsa shumë amazigh u margjinalizuan dhe diskriminuan gjatë epokës së Gadafit, ata janë tashmë në pararojë të promovimit të të drejtave të pakicave.

Imamët po bëjnë gjithashtu thirrje për rezistencë kundër joshjes së ekonomive kriminale. Ata argumentojnë se trafikimi i qenieve njerëzore është në kundërshtim me parimet thelbësore të islamit dhe se ai mbjell vdekje dhe urrejtje, transmeton Zeri.

Imamët lokalë po mbrojnë në mënyrë aktive të drejtat e viktimave dhe nevojën për më shumë ndihmë për emigrantët e pambrojtur. Të udhëhequr nga Lëvizja Reformuese e Zuvarah vendasit janë mobilizuar në rrugët e qytetit, duke kërkuar që autoritetet lokale t’i shtojnë përpjekjet e tyre për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore është larg nga të qenit e fituar. Të ballafaquar me rezistencën në Zuvarah kontrabandistët po e zhvendosin aktivitetin e tyre qytetin e afërt të Sabratas, që është aktualisht qendra e trafikut të qenieve njerëzore në Libinë Perëndimore.

Vala e emigracionit është ende e pamëshirshme. Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) regjistroi më shumë se 121.916 dëbime të emigrantëve nga Italia. Të paktën 2.992 emigrantë kanë vdekur rrugës për në Evropë gjatë vitit 2017. Megjithatë, përpjekjet e ndërmarra nga zuvarahanët ofrojnë një rrugë alternative. Fakt është se shfrytëzimi vetëm i qasjeve të militarizuara nuk po funksionon. Forcimi i zbatimit të ligjit përgjatë kufijve dhe rrugëve detare nuk po e frenon dallgën e madhe të refugjatëve dhe të emigrantëve. Operacioni “Sofia” i BE-së, që ka për qëllim të neutralizojë trafikantët në Mesdhe, është dëshmuar pak i suksesshëm. Rauf Farah “Open democracy”.

Imamët po bëjnë gjithashtu thirrje për rezistencë kundër joshjes së ekonomive kriminale. Ata argumentojnë se trafikimi i qenieve njerëzore është në kundërshtim me parimet thelbësore të islamit dhe se ai mbjell vdekje dhe urrejtje, transmeton Zeri.