Qyteti japonez jep alarmin: Kujdes nga peshku vdekjeprurës!

Bota January 17, 2018 - 09:16

Qyteti japonez Gamagori ka dhënë paralajmërime emergjente për banorët e tij për parandalimin e konsumimit të peshkut fugu pasi pjesët vdekjeprurëse të tij janë shitur gabimisht.

Një supermarket në qytetin Gamagori shiti 5 pako të peshkut fugu pa ju hequr mëlçitë të cilat përmbajnë helm, shkruan BBC.

Deri tani janë gjetur tre nga pesë pakot e shitura. Peshku fugu është kaq helmues saqë gabimi më i vogël në përgatitjen e tij mund të jetë fatal.

Çdo vit në Japoni raportohen shumë raste nga helmimi i peshkut fugu, por jo të gjitha janë vdekjeprurëse.

Autoritetet e qytetit Gamagori në Japoninë qendrore kanë aktivizuar një sistem emergjence duke ju bërë thirrje banorëve të kthejnë pjesët potencialisht vdekjeprurëse.
Mëlçitë e peshkut fugu, vezoret dhe lëkura përmbajnë tetrodotoksinë helmuese vdekjeprurëse dhe duhet një trajnim i veçantë dhe një licencë për të përgatitur këtë lloj peshku. Ndaj helmit të tij nuk ka antidot.

Tetrodotoksina prek sistemin nervor dhe helmimi i cili përshkruhet ‘i shpejtë dhe i dhunshëm’ në fillim shkakton një mpirje rreth gojës, pastaj paralizë dhe në fund vdekjen.