"Bloomberg": 500 të pasur rrisin pasurinë e tyre

Bota December 27, 2017 - 12:31

Sipas të dhënave të Indeksit të miliarderëve të Bloomberg, 500 persona më të pasur në botë, gjatë vitit 2017 kanë shtuar edhe 1 trilion dollarë në pasurinë e tyre, transmeton Anadolu Agency.

Më tej thuhet se 500 persona më të pasur në botë pasurinë e tyre prej 4.4 trilionë dollarësh sipas vlerësimit të 27 dhjetorit të vitit 2016, e kanë rritur për 23 për qind dhe kanë arritur në 5.3 trilionë dollarë (sipas vlerësimit të 26 dhjetorit 2017).

“Më të pasurit” të cilët gjatë vitit të kaluar çdo ditë pasurisë së tyre i kanë shtuar nga 2.7 miliardë dollarë, gjatë vitit 2017 kanë fituar katërfish më shumë nga ato që fituan gjatë vitit 2016.

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i gjigantit në tregtinë elektronike Amazon nga SHBA-të, Jeff Bezos me 34.2 miliardë dollarë u bë personi i cili rriti më së shumti pasurinë e tij gjatë vitit 2017 dhe arriti në një pasuri prej 99.6 miliardë dollarë.

Me këtë Bezos mori titullin e personit më të pasur në botë, i cili që nga viti 2013 e deri më tani i takonte themeluesit të Microsoft-it, Bill Gates me 91.3 miliardë dollarë.

Kina shteti me rritje më të madhe të pasurisë

Të dhënat tregojnë se 500 persona nga lista e më të pasurve vijnë nga 49 shtete, ku 38 prej tyre janë nga Kina. Miliarderët kinezë me 177 miliardë dollarë shtesë në vitin 2017 pasurinë e tyre e rritën me 65 për qind.

SHBA-ja në listë përfaqësohet nga 159 persona, të cilët me 315 miliardë shtesë gjatë vitit që po e lëmë pas kanë rritur me 18 për qind pasurinë e tyre.

Biznesmeni Hui Ka Yan me një rritje prej 350 për qind të pasurisë së tij me 25.9 miliardë dollarë, pas Bezosit u bë personi me një rritje më të madhe të pasurisë.

Pasurimi më i madh në fushën e teknologjisë

Viti 2017 u bë vit i patronëve të teknologjisë. 57 miliarderë të teknologjisë të cilët janë pjesë e kësaj liste, me 262 miliardë dollarë të shtuara kanë arritur që pasurinë e tyre ta rrisin me 35 për qind.

Themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg me 22.6 miliardë dollarë ka rritur me 45 për qind pasurinë e tij.

440 miliarderë të cilët janë pjesë e këtij indeksi gjatë vitit 2017 kanë arritur një rritje prej 1.05 trilion dollarësh, kurse 58 miliarderë, pasuria e të cilëve ka rënë kanë patur humbje prej 46 miliardë dollarësh.

Personi me humbje më të madhe të pasurisë është biznesmeni francez i telekomunikacionit, Patrick Dahi i cili gjatë këtij viti ka humbur 4.1 miliardë dollarë dhe ka pësuar rënie prej 39 për qind.

Ndërkaq 60 miliarderë të cilët gjatë vitit të kaluar ishin pjesë e kësaj liste, këtë vit mbetën jashtë listës për shkak të humbjes së pasurisë apo të rritjes së pasurisë nga rivalët e tyre.