Samit i botës myslimane për statusin e Jerusalemit

Bota December 14, 2017 - 09:49

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi se të gjitha vendet duhet ta njohin Palestinën në kufijtë nga viti 1967 me Kudsin (Jerusalemin) Lindor si kryeqytet, raporton “Anadolu Agency”.

Çavusoglu foli në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) në Stamboll dhe me këtë rast deklaroi se janë mbledhur për t’i thënë “stop” dhunës.

Ai konsideron se SHBA-ja me vendimin që sollën më 6 dhjetor, për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, vazhdon ta legjitimojë nismën izraelite për pushtimin e Kudsit.

Minsitri turk tha se disa presin që bota islame këto zhvillime t'i ndjekë me qetësi. “Por, ne kurrë nuk do të heshtim. Kjo tirani shkatërroi mundësinë e paqes dhe bazën e bashkëjetesës. Vendimi të cilin e miratoi SHBA-ja për ne është i pavlefshëm”, ka thënë Çavusoglu.

Ministri i Jashtëm turk përsëriti thirrjen e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, që të mbrohet Kudsi, i cili është vend i shenjtë për të tria religjionet e mëdha.

Ai po ashtu konstatoi se Palestinën duhet njohur të gjitha vendet. “Duhet të gjithë të bëjmë përpjekje. Ne që kemi njohur Kudsin Lindor si kryeqytet të Palestinës, ne duhet t’i nxisim edhe vendet tjera ta njohin Palestinën në kufijtë nga viti 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet”, ka thënë Çavusoglu.

Ai po ashtu potencoi edhe domosdoshmërinë e unitetit të palestinezëve, duke shtuar se kjo luftë nuk do të ndahet nga linja ligjore dhe as nuk do të lejojë provokime.

Gjithashtu theksoi edhe rëndësinë e mbështetjes së OBI-t dhe mekanizmave të tjerë.

Çavusoglu tha se Samiti i sotëm do ta dëshmojë vendosmërinë e botës islame për luftë.

Vendimi për Jerusalemin nuk ka asnjë dispozitë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, lidhur me vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për Kudsin (Jerusalemin) tha se: “Nuk mund të ketë asnjë dispozitë vendimi për qytetin i cili aktualisht është i pushtuar”, raporton AA-ja.

Presidenti Erdogan ka mbajtur një fjalim në Samitin e Jashtëzakonshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) në Stamboll, me një pjesëmarrje të gjerë nga 48 shtete.

“Izraeli është një shtet okupator. Në të njëjtën kohë Izraeli është një shtet i terrorit”, tha Erdogan, duke shtuar më tej se: “Ky vendim i paligjshëm i SHBA-së i ka dhënë mbështetje vetëm Izraelit, i cili mban në okupim Kudsin. I falënderoj të gjitha vendet që nuk e kanë pranuar këtë vendim të paligjshëm. Në të gjitha bisedimet që kam bërë deri më tani, duke përfshirë të nderuarin Papën, është konfirmuar ky qëndrim i vendosur mbi Kudsin”.

Duke vënë theksin se praktikisht Izraeli me këtë vendim është shpërblyer dhe se këtë vendim, pavarësisht se vetëm ia ka dhënë Trumpit, presidenti Erdogan tha se: “Fatkeqësisht Palestina aktualisht është vënë në një situatë ashtu sikurse ka qenë Izraeli në vitin 1947. Të më besoni se as ujku nuk e bën një ndërrim të tillë në luftën ujk-dele”.

“Me fitilin e ndezur nga vendimi për Kudsit SHBA-ja dhe Izraeli së bashku ua kanë hapur derën kërcënimeve kundrejt të gjithë njerëzisë. Problemet e tjera të përjetuara në rajonin tonë nuk mund të na bëjnë kurrë as ne dhe as njerëzinë që ta harrojmë çështjen e Palestinës”, deklaroi Erdogan.

Presidenti turk më tej ka shtuar se “SHBA-ja duke qëndruar jo në anën e atyre që dëshirojnë paqe, por në anën e atyre që e bëjnë të pamundur atë, ua ka lehtësuar punën të gjithë fanatikëve në një periudhë kur kundër terrorizmit po zhvillohet një luftë intensive”.

“Në këtë botë asgjë nuk bëhet me mentalitetin se ‘ja e bëra unë dhe u bë’”, theksoi Erdogan, duke shprehur më tej se “Ju të vetëm mund ta merrni një vendim të tillë, por bota nuk përbëhet vetëm nga ju. Sot OKB-ja ka 196 vende anëtare. Unë besoj që pa dyshim 196 vendet e botës do ta mbajnë një qëndrim kundër kësaj”.

Pasi ka vënë theksin se vendet islame nuk do të ndalen kurrë nga kërkesa për një shtet të pavarur dhe sovran të Palestinës me kryeqytet Kudsin, Erdogan tha se: “U bëj thirrje vendeve që ta mbrojnë drejtësinë, të drejtën ndërkombëtare, ta njohin Kudsin si kryeqytet të shtetit të Palestinës nën pushtim”.

“E theksoj edhe një herë se Kudsi është vija jonë e kuqe”, deklaroi Erdogan, duke shprehur falënderimet për Papën, i cili respekton rëndësinë që ka Kudsi për të gjitha besimet.