Trump do të shpall në mbrëmje Jeruzalemin kryeqytet izraelit

Bota December 06, 2017 - 11:23

Presidenti Donald Trump sonte do të njoftojë se Shtetet e Bashkuara e njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, njoftoi një zyrtar i lartë i administratës së tij, një lëvizje që ka të ngjarë të shkaktojë jostabilitet dhe ndoshta të inkurajojë dhunën në Lindjen e Mesme, raportojnë agjencitë botërore.

Përkundër paralajmërimeve të shumta nga Evropa dhe bota Arabe, Trump do të shpallë vendimin e tij në orën 19:00 sipas kohës së Evropës Qendrore.

Gjithashtu do të njoftojë fillimin e procesit të lëvizjes së ambasadës së SHBA-së nga Tel Avivi në Jerusalem, një qytet i shenjtë i tre besimeve që izraelitët dhe palestinezët e konsiderojnë kryeqytetin e tyre. Megjithatë, lëvizja e ambasadës mund të zgjasë disa vjet, sepse SHBA-ja nuk ka një ndërtesë adekuate dhe do të duhet ta ndërtojë, shkruan Reuters, transmeton zeri.info

Presidentët amerikanë deri tani kanë refuzuar të deklarojnë Jeruzalemin për kryeqytetin izraelit, pavarësisht presionit izraelit, në mënyrë që të mbeten neutral në procesin e paqes.

Statusi i Jerusalemit është një çështje e të gjitha çështjeve në procesin e paqes izraelito-palestineze.

Izraeli pushtoi pjesën lindore arabe të Jerusalemit në Luftën e Gjashtë Ditëve në vitin 1967. Në vitin 1980, Izraeli e shpalli Jerusalemin kryeqytetin e tij dhe në Jeruzalemin Perëndimor ka selinë e presidentit, kryeministrit, parlamentit (Knesset) dhe pothuajse të gjitha ministritë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e shpalli këtë vendim izraelit të pavlefshëm dhe bashkësia ndërkombëtare nuk e njohu sovranitetin e Izraelit mbi Jerusalemin Lindor.

Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm dhe Izraeli e konsideron qytetin si kryeqytetin e tij të pandashëm dhe të përjetshëm./Zeri