Qëllohet ushtari i Koresë Veriore që dezertoi dhe u arratis nga vendi komunist

Bota November 13, 2017 - 20:53

Një ushtar i Koresë së Veriut ka dezertuar dhe është arratisur për në Korenë e Jugut. Por gjatë kalimit në zonën e demilitarizuar, ai është plagosur. Mjekimi i tij është bërë në Korenë e Jugut.

Një ushtar i Koresë së Veriut, i vendosur në zonën e demilitarizuar të ruajtur nën masa të rrepta, bëri një veprim të guximshëm gjatë së hënës. Ai dezertoi duke u larguar për në Korenë e Jugut. Por gjatë tentativës u qëllua dy herë në trup. Lajmi është konfirmuar nga ushtria e Seulit, e cila gjeti ushtarin e plagosur në zonën e sigurisë së përbashkët, 25 minuta pasi kishte ndodhur ngjarja. Tashmë ai është mjekuar në një spital ushtarak për plagët e marra.

“Ushtari kaloi nga postoblloku i Koresë së Veriut drejt Shtëpisë Tonë të Lirisë”, shkruhet në një deklaratë të ushtrisë së Koresë së Jugut. Është e paqartë se cilat janë shkaqet që detyruan ushtarin të arratisej për në Jug. Ushtria e Koresë së Jugut tha se ishte i paarmatosur dhe kishte veshur një uniformë luftarake për një ushtar të rangut të ulët.

Forcat e Seulit, të cilat qëndrojnë përballë atyre të Penianit, bënë me dije se nuk ka pasur konflikt të armatosur pas incidentit. Por shprehen se janë në gjendje alarmi për një provokim të mundshëm nga Koreja e Veriut.

Ndërkohë, rreth 30 mijë koreanoveriorë janë arratisur për në Korenë e Jugut që prej mbarimit të luftës Koreane. Sipas një vlerësimi, rreth 1 mijë persona arratisen çdo vit nga regjimi i ashpër i liderit Kim Jong-Un. Por kalimi në zonën e demilitarizuar, është një gjë e rrallë, pasi është shumë e rrezikshme. Kjo zonë është e mbushur me mina, tela me gjemba dhe mbikëqyret me ushtarë që mund të gjuajnë me mitralozë.