Tërmet i fuqishëm godet Lindjen e Mesme

Bota November 13, 2017 - 10:40

Së paku 211 persona kanë humbur jetën në perëndim të Iranit gjatë tërmetit të fuqishëm mbrëmjen e kaluar që goditi qytetin irakian Halepçe, në afërsi të kufirit irakiano-iranian, transmeton AA.

Drejtori i Mbrojtjes civile të krahinës perëndimore iraniane Kermanshah, Riza Mahmudi për agjencinë iraniane të lajmeve Tasnim tha se së paku 211 persona kanë humbur jetën, ndërsa së paku 2.504 persona janë lënduar në rajonin kufitar.

Burimi i njëjtë lajmëron se në rajon janë dërguar ekipe shtesë të Mbrojtjes civile të cilët me avionë dhe helikopterë dërgojnë ndihmë për banorët e rrezikuar.

Lideri fetar iranian Ayatollah Ali Khamenei urdhëroi ushtrinë dhe të gjitha institucionet qeveritare që të gjitha resurset të vihen në dispozicion për të ndihmuar njerëzit e rajonit të goditur nga tërmeti. Qeverira në Kermanshah shpalli tre ditë zie.

Qendra amerikane për hulumtime gjeologjike mbrëmë regjistroi tërmet me fuqi prej 7.2 ballë sipas Rihterit, ndërsa epiqendra ka qenë jo larg qytezës kufitare irakiane Halepce.