Vrasja e John Kennedy, Trump publikon dosjet e fundit

Bota October 21, 2017 - 19:07

Donald Trump lajmëroi se planifikon që të autorizojë publikimin e shumë dosjeve që mbahen sekret prej kohësh dhe që kanë të bëjnë me vrasjen e ish presidentit John F. Kennedy.

Si zakonisht përmes “Twitter”-it, Trump tha se do të lejojë publikimin e dosjeve në varësi të marrjes së informacioneve të tjera.

Dosjet pritet të bëhen publike nga Arkiva Kombëtare Amerike më 26 tetor, por presidenti ka fuqinë që të zgjasë statusin e tyre sekret. Kennedy, një prej presidentëve më të dashur për amerikanët, u vra nga një snajper më 22 nëntor 1963 në Dallas, Teksas.

Ky është versioni zyrtar, pasi historitë për vrasjen e tij nuk kanë të mbaruar dhe jo më kot kjo është teoria konspirative më e fuqishme në historinë amerikane. Në vitin 1992, kongresi amerikan vendosi se të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me Kennedy duhet të publikohen për 25 vjet, nëse presidenti vendos se nuk kërcënojnë sigurinë kombëtare, shkruan TCh.

Arkiva zotëron rreth 3 000 dokumente të mbetura sekrete për këtë çështje, ndërsa ka publikuar mbi 30 000 të tjera, por me redaktime. Nuk është e qartë nëse Trump do t’i redaktojë këto të fundit.

Megjithatë, ekspertët nuk besojnë se dokumentet e fundit përmbajnë ndonjë zbulim eksploziv për vrasjen e kryer nga Lee Harvey Osvald, por mund të kenë më shumë informacion për këtë të fundit.

Osvald u vra dy ditë pas presidentit ndërsa ishte në duart e policisë, diçka që i hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit të teorive konspirative.