Kancelari me 'fytyrë adoleshenti' i Austrisë

Bota October 17, 2017 - 08:25

I lindur më 27 gusht të 1986-ës, ai është bërë i njohur në sferën ndërkombëtare që nga viti 2013 si ministër i Punëve të Jashtme të Austrisë. Ai u bë ministri më i ri i Evropës në moshën 27-vjeçare.

 Në maj të këtij viti ai u bë kryetar i Partisë Popullore austriake (ÖVP). Pas zgjedhjeve legjislative, më 15 tetor 2017, Kurz është bërë politikani më i dashur i austriakëve, duke mbështetur shumë nga nismat e popullit të tij.

Kurz ka lindur në Vjenë dhe është rritur në qytet të Meidling, ku jeton ende. Ai përfundoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2004 dhe në vitin 2011 ai vendosi t’i braktise studimet juridike në Universitetin e Vjenës dhe ta ndjekë një karrierë politike, transmeton "Zeri.info".

Në 2009-ën Kurz u zgjodh kryetar i degës së të rinjve të Partisë Popullore Austriake. Ndërmjet viteve 2010 dhe 2011 ai ishte anëtar i këshillit të qytetit të Vjenës, ku u përqendrua në drejtësinë dhe në sigurimin e pensioneve. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 Kurz u zgjodh anëtar i parlamentit, duke fituar votat më të drejtpërdrejta se çdo anëtar tjetër i parlamentit.

Në dhjetor 2013 Kurz u bë ministri i Jashtëm i Austrisë dhe punoi fort për ta zgjeruar integrimin social. Kurz ishte ministri me i ri i qeverisë austriake që nga themelimi i republikës dhe ministri i Jashtëm më i riu në botë.

Udhëtimi i tij i parë jashtë vendit ishte në Kroaci, ku theksoi mbështetjen e vazhdueshme për anëtarësimin e vendeve të Evropën Juglindore.

Në shkurt 2014 ai priti raundin e parë të disa negociatave për programin bërthamor të Iranit në Vjenë, duke forcuar pozitën e Austrisë në dialog.

Si kryetar i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës Sebastian Kurz ftoi në Vjenë 30 ministra të Punëve të Jashtme, në mesin e tyre edhe ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe kolegun e tij ukrainas Andrii Deshchytsia, në mënyrë që të negocionin për t'i dhënë fund krizës ukrainase.

Si pjesë e iniciativës humanitare Kurz priti Konferencën e Vjenës mbi Ndikimin Humanitar të Armëve Bërthamore në fund të vitit 2014, përcjell "Zeri.info".

Pas propozimit të tij Vjena më vonë mbajti bisedimet që çuan në Planin e Përbashkët të Veprimit për programin bërthamor të Iranit në 2015-ën. Gjatë krizës evropiane të emigrantëve në vitin 2015 Kurz bëri thirrje për një kontroll më efektiv të kufijve të jashtëm të BE-së dhe paraqiti një plan me 50 pika drejt integrimit, me fokus të veçantë në fushat e gjuhës dhe të arsimit, punës dhe të tregut të punës .

Në vitin 2015 Kurz propozoi një ligj që ndalonte financimin e xhamive nga organizata jashtë vendit, duke paguar pagat e imamëve dhe duke rregulluar versionin e Kuranit që mund të përdoret në Austri.

Ai është i njohur me nofkën “Wunderwuzzi” apo “Dikush që mund të ecën mbi ujë”. Sebastian Kurz është vetëm 31 vjeç, pritet të bëhet kancelari i ri i Austrisë dhe njëkohësisht lideri më i ri në botë. 

“Është koha për ta ndryshuar këtë shtet. Sot është një mundësi e mirë për ndryshime, faleminderit që e keni bërë këtë të mundur”, tha Kurtz pas fitores historike. 

Ekstremi i djathtë mund të rikthehet në pushtet 

Partia OVP fitoi zgjedhjet legjislative austriake, duke shkaktuar një rikthim të mundshëm të së djathtës në drejtim të vendit, ndoshta me një aleancë me ekstremin e djathtë që ka realizuar njërin prej rezultateve të tij më të mira.

Kurz, që shkaktoi këto zgjedhje të parakohshme, i jep fund dhjetë vjetëve koalicion të madh me socialdemokratët e kancelarit Christian Kern, ka të gjitha shanset në dorë për t’u bërë drejtuesi më i ri evropian.

Partia e tij Kristiandemokrate (OVP) ka arritur deri tani 31,7 për qind të votave, duke dalë para SPO-së të Kernit, që ka arritur 26,9 për qind të votave, sipas rezultateve paraprake të publikuara nga televizioni publik ORF, ndërsa formacioni i ekstremit të djathtë FPO ka arritur në vend të tretë me 26 për qind të votave.

Nëse Kurz nuk ka përjashtuar asnjë opsion, një koalicion me FPO-në konsiderohet si hipoteza më e mundshme.

“Do të zhvilloj bisedime me të gjitha palët. Dua partnerë për të bërë ndryshime”, deklaroi ai, transmeton "Zeri.info".

“Ju premtoj se do të luftoj për një ndryshim të madh të këtij vendi. Ka ardhur koha ta krijojmë një stil të ri politik dhe një kulturë të re në Austri”, theksoi Kurz.

Në vitin 2000 ardhja në pushtet e FPO-së, në koalicion me konservatorët, shkaktoi zemërimin e evropianëve dhe sanksione nga Bashkimi Evropian kundër Vjenës.

Aleanca mes Kristiandemoraktëve dhe ekstremit të djathë mund ta thyejë linjën deri tani shumë eurofile të vendin, ndërkohë që FPO-ja mbështet një afrim me grupin e Vishegradit, që përfshin vende si Polonia dhe Hungaria që kanë rritur kundërvënien ndaj Brukselit.

Një Austri e pasur, por e pasigurt nga kriza migratore, Kurz ka prezantuar një imazh moderniteti dhe një diskurs vendosmërie përballë imigracionit.

Ministër i Punëve të Jashtme që prej vitit 2013, ai u bë në vjeshtë të vitit 2015 njëri prej liderëve të parë në Evropë që kritikoi politikën e pritjes së kancelares gjermane Angela Merkel dhe mburret se ka arritur mbylljen e rrugës së Ballkanit.

Më pas ai e ka forcuar edhe më shumë linjën, duke kërkuar një reduktim të ndihmave sociale për të huajt në atë pikë që FPO-ja e ka akuzuar se ia ka vjedhur programin.

I gjatë, me kostum të rregullt dhe flokë të shkëlqyeshëm konservatori i ri shkaktoi shumë sensacion kur erdhi në krye të partisë së tij që ishte në mes të përçarjes. /ZËRI/