Forcat irakiane hyjnë në Kirkuk

Bota October 16, 2017 - 19:25

Forcat irakiane kanë hyrë në qytetin e Kirkukut dhe kanë marrë kontrollin e selisë së këshillit provincial, thanë dëshmitarët.

Banorët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se forcat irakiane kanë hequr flamurin kurd që është ngritur në ndërtesën e guvernatorit në muajin prill, pranë një flamuri irakian.

Ata thanë se tani valëvit vetëm flamuri i Irakut.

Përleshjet midis forcave irakiane dhe kurde kanë nisur mëngjesin e së hënës.

Ushtria irakiane ia ka mësyrë Kirkukut tri javë pasi rajoni i Kurdistanit ka mbajtur një referendum për pavarësi.

Ushtria synon të rimarrë zonat që i kanë nën kontroll kurdët prejse i kanë dëbuar militantët e Shtetit Islamik nga rajoni.

Banorët e zonave të kontrolluara nga kurdët, përfshirë Kirkukun, e kanë mbështetur fuqishëm ndarjen nga Iraku në referendumin e 25 shtatorit.

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, e ka shpallur referendumin jokushtetues, por qeveria rajonale e Kurdistanit ka këmbëngulur se ai është i ligjshëm.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se “janë të angazhuar me të gjitha palët në Irak për uljen e tensioneve”.

Abadi tha të hënën se operacioni në Kirkuk ka qenë i nevojshëm “për të mbrojtur unitetin e vendit, i cili është në rrezik nga ndarja për shkak të referendumit”. /REL/