Erdogan në Sanxhak: 'Fuqitë e huaja' fajtore për të gjitha vuajtjet e popujve të Ballkanit

Bota October 11, 2017 - 17:38

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Serbi, sot, bashkë me homologun e tij Aleksandar Vuçiq qëndroi në Sanxhak, krahinë kjo e Serbisë e banuar me shumicë myslimane, prej nga i fajësoi “fuqitë e huaja” se kanë provokuar çdo kaos dhe konflikt që ka ndodhur në Ballkan”, transmeton Gazeta Express.

Duke iu drejtuar banorëve të Novi-Pazarit, kreu turk apeloi për unitet, dhe tha se “për çdo kaos dhe konflikt që ka ndodhur në Ballkan me provokime të fuqive të huaja” çmimin më të lartë e kanë paguar njerëzit që banojnë në atë rajon.

“Kudo që shkojmë në Ballkan hasim në afërsi dhe ngrohtësi”, tha Erdogani duke falënderuar Vuçiqin për mikpritjen.

Presidenti turk shprehu qëndrimin e veçantë të vendit të tij ndaj rajonit të Sanxhakut, me fjalët: “lumturia juaj është edhe lumturi e jona, dhembja juaj është edhe dhembje e jona”, përcjell Gazeta Express.

“Novi Pazari, vatani im, qyteti im më i dashur, atë e stolisin manastiri Sopoqani dhe kështjella e vjetër, ndërsa më e bukura është Xhamia Altun-alem”, porositi Erdogani, duke u zotuar se do të punojë për “rritjen e prosperitetit të Serbisë dhe Novi-Pazarit, si pjesë e rëndësishme e këtij vendi”.

Para banorëve të shumtë të Novi-Pazarit, të cilët e kishin stolisur qytetin me transparente turqisht dhe serbisht dhe me flamujt e të dy shteteve, Erdogan edhe një herë përsëriti se kolegu i tij serb Vuçiq është “një mik i vërtetë dhe i sinqertë i Turqisë”.

Me këtë rast, siç raporton Expressi ai theksoi se Vuçiqi ka qenë “një nga të parët” të cilët u dhanë përkrahje të madhe institucioneve të Turqisë natën kur atje ndodhi tentimi për puç. Për të njëjtën gjë Erdogan u shprehu mirënjohje edhe myslimanëve të Sanxhakut.

“Gjatë tërë vizitës Serbisë jemi ndjerë si në shtëpinë tonë”, tha mes tjerash Erdogani, duke ia lënë Vuçiqit që ta kumtojë, siç tha, “lajmin e bukur” për ndërtimin e rrugës Beograd-Sarajevë.

“Ajo rrugë që do ta nderojmë do të jetë rrugë e paqes dhe prosperitetit në këtë rajon”, porositi Erdogani, duke njoftuar se gjatë qëndrimit dyditor në Serbi, në krye të delegacionit me dhjetëra deputetë dhe ministra dhe mbi 200 afaristë, ka nënshkruar 16 marrëveshje ndërshtetërore me Beogradin.

Presidenti serb Vuçiq, gjatë fjalimit të tij, u zotua se në rajonin e Sanxhakut shteti do të ndërtojë rrugë, kopshte dhe shkolla dhe tha se ka punuar në interes të të gjithë qytetarëve të Serbisë pa dallim të përkatësisë së tyre.

“Unë e di se këtu nuk do të përshëndetem as sa gjysma e Recep Tayyip Erdoganit, por kam mjaft kurajë dhe ndërgjegje të pastër të dal para jush dhe të them se kam punuar dhe punoj më mirë që mundem në interes tuajin dhe në interes të gjithë qytetarëve të Serbisë”, tha Vuçiqi.

Dy presidentët bënë një shëtitje rrugëve të Novi Pazarit, nërsa gruaja e Recep Tayyip Erdoganit, Eminja, e vizitoi maternitetin e rinovuar në atë qytet.