SHBA shtrëngon vizat për rusët

Bota August 22, 2017 - 14:42

Rusët të cilët duan të shkojnë në SHBA do t'i marrin vizat në të ardhmen vetëm në Moskë, jo më në konsulatat e përgjithshme në qytetet e tjera të vendit.

Pasi Rusia detyroi me qindra punonjës të misionit diplomatik amerikan atje të largohen, Uashingtoni ka kufizuar në mënyrë drastike dhënien e vizave për rusët. Beteja e sanksioneve kalon kështu në një plan tjetër. Shumë njerëzve mund tu duhet tani të udhëtojnë me mijëra kilometra për të marrë një vizë dhe nuk janë të paktë ata që nuk e përballojnë dot rrugën e gjatë dhe të shtrenjtë për në kryeqytetin rus.

Ekspertët mendojnë se me këtë lëvizje, numri i rusëve që do të krijojnë në të ardhmen një përfytyrim të vetin për Amerikën do të tkurret ndjeshëm.

Në Parlamentin rus po dëgjohen zërat e parë që kërkojnë masa të tjera, me të cilat ministri i Jashtëm Sergei Lavrov nuk është dakord, por fjalën e fundit e ka Presidenti Vladimir Putin. Analisti Miodrag Soric mendon se në këtë situatë, roli i Gjermanisë merr dimension tjetër.

Berlini mbetet aleat besnik i SHBA-së dhe pjesë e rëndësishme e perëndimit, por politika e Angela Merkel ndaj Moskës ka më tepër nuanca dhe është e drejtuar shumë më tepër në ndjekjen e synimeve afatgjata, sesa mund ta marrin me mend përfaqësuesit e vijës së ashpër në Uashington.

Merkel, sipas Soric, ka njëkohësisht autoritetin dhe përvojën për të ushtruar ndikim moderues ndaj SHBA-së sepse në plan afatgjatë as atje dhe as në Europë nuk mund të ketë njeri interes në një Rusi të fiksuar tek vetja. /TopChannel/