Katalonia dhe xhihadistët e saj

Bota August 22, 2017 - 08:49

“Është e qartë se ka një rrezik në Kataloni”, kjo ishte pikëpamja e Departamentit Amerikan të Shtetit pikërisht në vitin 2010, kur bëhej fjalë për radikalizmin e mundshëm të myslimanëve të rinj në këtë krahinë spanjolle.

Në dokumentin, i cili doli në publik përmes platformës “Wikileaks”, shkruan se Barcelona është “qendra e lëvizjeve shqetësuese” për shkak të numrit të madh të myslimanëve, nga të cilët një pjesë e vogël e tyre mund të rekrutoheshin për xhihad. Emigracioni nga Afrika e Veriut, Pakistani dhe Bangladeshi e bëri këtë rajon “një magnet për rekrutimin e terroristëve”, thuhet më tej në dokument, transmetn "Zeri.info".

Një ditë pas sulmit në Barcelonë shtypi spanjoll publikoi shifra që ilustrojnë rrezikun. Një e treta e myslimanëve në Spanjë jetojnë në Madrid, në Barcelonë, si dhe në Seutë dhe Melilla, dy enklava spanjolle në tokën afrikane. Midis viteve 2012 dhe 2016 178 xhihadistë u arrestuan në të gjithë vendin, kurse katër të pestat e tyre erdhën nga qytetet e lartpërmendura.

Nuk është rastësi që një numër i madh myslimanësh jetojnë në Katalunjë. Për shumë vite ekonomia atje ka lulëzuar dhe ka nevojë për fuqi të lirë punëtore.

Qeveria e Katalanisë së pari e hodhi grepin në Poloni, por pa sukses për t’i joshur punëtorët nga ky vend. Fat më të mirë në këtë drejtim ata kishin që kur hapën një zyrë në Marok, Casablanca, në 2003-ën. Sipas të dhënave nga viti 2015, gjysmë milioni myslimanë jetojnë në Katalonjë, që përbënin shtatë për qind të popullsisë në atë kohë.

Fernando Reinares dhe Karol Garcia Calvo, dy ekspertë të njohur për terrorizmin, shkruajnë se situata me terroristët potencialë islamikë në Katalonjë në mënyrë dramatike ka ndryshuar katër vjet më parë. Deri në vitin 2013 90 për qind e të arrestuarve për lidhje të mundshme islamike ishin shtetas të huaj, kryesisht të lindur në Marok, në Algjeri dhe në Pakistan. Që atëherë, megjithatë, gjysma e të arrestuarve kanë lindur në Spanjë dhe kanë shtetësi spanjolle.

Pasojat politike të terrorit në Barcelonë

Sulmi i Barcelonës mund ta ketë një ndikim të rëndësishëm në të ardhmen politike të Katalonjës. Pyetja është se çfarë do të ndodhë me referendumin për pavarësinë e këtij rajoni autonom të Spanjës, i cili është planifikuar për në 1 tetor.

Pse pikërisht viti 2013 është një moment historik? Nga njëra anë, këtë vit, lufta në Siri ka shkaktuar tronditje në atë masë duke ngjallur zemërimin dhe si pasojë radikalizmin e shumë myslimanëve të rinj në mbarë botën. Përveç kësaj, në Spanjë lindi gjenerata e dytë e emigrantëve, djemtë dhe bijat e myslimanëve që u vendosën në vitet ’90-a.

Autoritetet e Katalonjës janë të lumtur si dhe mburren për shkak të mjedisit multikulturor të Barcelonës, shkruan gazetari Ignacio Sembrero në librin e tij “Spanja e Allahut” (La España de Alá). Sembrero analizon se pak është duke u ndërmarrë për integrimin e emigrantëve myslimanë dhe shton se Barcelona është i vetmi metropol i Evropës Perëndimore pa një xhami të madhe. Kërkesat për ndërtimin e xhamive të vogla në qendër të qytetit mohohen rregullisht. Autoritetet lokale, në vend të kësaj, lejojnë ngritjen e kishave në zona industriale dhe biznesi më pak të arritshme dhe më pak tërheqëse.

Pjesë e arsyes, shpjegon Sembrero, është kujtimi i gjithëpranishëm historik për Andaluzinë, siç e quajnë arabët pjesën më të madhe të Gadishullit Iberik, të cilën e zotëruan myslimanët për rreth 800 vjet (711-1492). Kjo është njëra nga traumat historike të Spanjës dhe arsyeja që Katalonia refuzon ofertën e vendeve gadishullore të pasura arabe për të ndërtuar xhami atraktive.

“Spanja, duke përfshirë Kataloninë, është veçanërisht atraktive në sytë e arabëve”, shkruan Sembrero. “Për ata nuk është njëjtë nëse investojnë petrodollarët e tyre në Berlin, një qytet me praninë më të madhe myslimane në Evropë, apo në Barcelonë, e cila që nga viti 801 ka qenë pjesë e el-Andalusit”.

Çështja e identitetit

Katalonia disi ndan problemet me vende si Gjermania, Franca dhe Belgjika: të rinjtë myslimanë të gjeneratës së dytë apo të tretë ndajnë  pikëpamje të ndryshme në mes të vendit të origjinës së prindërve apo gjyshërve të tyre dhe të vendit ku kanë lindur, në mes të shoqërisë kryesisht laike, në të cilën ata jetojnë dhe fesë në familje. Por problemi ka një shënim të veçantë katalanas, që reflektohet në rivalitetin e vazhdueshëm të asaj krahine dhe të qeverisë qendrore në Madrid. Identiteti i dyfishtë, madje gjuha spanjolle dhe katalanase janë mjaft të ndryshme, gjë që gjithashtu e komplikon integrimin.

“Në Katalonjë ne shohim rritje jo vetëm në përqendrimin e lëvizjes salafiste, por edhe shoqëria duket e ndarë në lidhje me çështjen e identitetit”, thotë eksperti i terrorizmit Fernando Reinares. Nuk është rastësi, shpjegon ai, se në këtë vakum identiteti me sukses zënë vend xhihadistët. Xhihadizmi i emigrantëve të rinj apo pasardhësve të emigrantëve premton heqjen e lehtë të dilemës së identitetit në stilin: Bashkohuni me “kalifatin” dhe kështu më nuk do të pyesni nëse jeni marokenë, katalanë apo spanjollë.