Trump reagon për incidentet në Charlottesville

Bota August 13, 2017 - 16:05

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump lidhur me incidentet mes protestuesve racistë dhe kundërshtarëve të tyre në qytetin Charlottesville të shtetit federal amerikan Virginia tha se “Në SHBA nuk ka vend për incidente të tilla të dhunshme”, transmeton AA.

Trump në llogarinë e tij në rrjetin social reagoi kundër përleshjes në protestën e organizuar nga grupet raciste pas planit për heqjen e statujës së komandantit të ushtrisë së konfederatës së qytetit Charlottesville, Gjeneral Robert E. Lee.

“Të gjithë ne duhet të jemi së bashku dhe duhet ta dënojmë urrejtjen. Në SHBA nuk ka vend për incidente të tilla të dhunshme”, ka shkruar Trump në llogarinë e tij në Twitter.

Pas shkuarjes së grupeve raciste me armë në zonën e protestës, në këtë vend dolën edhe grupet kundërshtare me ç'rast u ngritën tensionet dhe për shkak të sulmeve mes palëve, Komuna e Charlottesville shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

Natën e së premtes protestues që mbanin pishtarë duke përngjasuar me organizatën Ku Klux Klan gjatë një proteste të zhvilluar në Universitetin Virginia brohoritën me sloganet "Për hebrenjtë nuk ka vend në shtetin tonë", "gjak dhe tokë", "një popull, një komb, fund emigrimit", etj.

Protestuesit filluan të mblidhen pas planit për heqjen e statujës së komandantit të ushtrisë së konfederatës së qytetit Charlottesville, Gjeneral Robert E. Lee.

Kryetari i Komunës së Charlottesville, Mike Signer këtë protestë të organizuar nga racistët e kritikoi me fjalët: “Marshim i një urrejtjeje frikacake, fanatizmi, racizmi dhe intolerance”. Edhe gjatë muajit të kaluar mbështetësit e Ku Klux Klan organizuan protesta në Virginia.