Serbët e Bosnjës shpenzojnë 10,000 euro për Mlladiçin dhe Karaxhiçin

Bota July 16, 2017 - 13:48

Autoritetet në Republikën Srpska kanë caktuar më shumë se 10,000 euro këtë vit për të mbështetur Ratko Mlladiçin dhe Radovan Karaxhiçin, të cilët janë në gjyq në Hagë.

Qeveria e Republikës Srpska do t’i paguajë një pagesë "ndihme sociale" prej 20,000 markash boshnjake (10,220 euro) ish-komandantit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç dhe liderit politik Radovan Karaxhiç, tha të premten zyra e shtypit e qeverisë.

Vendimi në gjyqin e Mlladiçit në Gjykatën e Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte do të merrte në dhjetor. Karaxhiçi u dënua në mars të vitit të kaluar, por çështja e tij tashmë është apeluar. Të dy i mohojnë akuzat kundër tyre.

Zyra e shtypit tha se paratë do të paguhen sipas rregullave të përcaktuara nga Qendra Shtetërore për Hulumtimin e Luftës, Krimet e Luftës dhe Gjurmimin e Personave të Zhdukur e Republikës Srpska dhe e miratuar nga ministri i saj i drejtësisë.

Kjo nuk është hera e parë që Republika Srpska ka mbështetur financiarisht të pandehurit, theksoi Hajra Catiç, kryetare e shoqatës “Gratë e Srebrenicës”, e cila shprehu zemërim për mbështetjen ndaj dy burrave.

"Kjo nuk është asgjë e re. Qeveria e Republikës Srpska ka kohë që ndihmon familjet e kriminelëve dhe vetë të pandehurit," tha Catiç për BIRN.

Vitin e kaluar Republika Srpska pagoi 20,460 euro për të mbështetur Mlladiçin, Karaxhiçin, ish-ministrin e brendshëm serb të Bosnjës Mico Stanisiç dhe ish-kreun e shërbimit rajonal të sigurisë Stojan Zupljanin.

Avokati i Mlladiçit Miograd Stojanoviç tha se paratë synonin të mbulonin shpenzimet e të pandehurve në kantinën e njësisë së paraburgimit të OKB-së si edhe faturat e telefonit, veshjet dhe gjëra të tjera të domosdoshme.

Një hetim i BIRN në vitin 2013 zbuloi se deri në dhjetor të atij viti, ish-vendet e Jugosllavisë kishin shpenzuar pothuajse 40 milionë euro nga paratë publike për të mbështetur të dyshuarit për krime lufte në gjyq në Gjykatën e Hagës.

Dy vendet që shpenzuan më shumë para publike për të dyshuarit që ishin në gjyq në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ishin Kroacia, e cila shpenzoi më shumë se 28 milionë euro për tre të pandehur, dhe Maqedonia, e cila shpenzoi rreth 9.5 milionë euro vetëm për dy burra.

Në këtë pikë, një total prej 640,000 eurosh ishte dërguar nga Bosnja dhe Hercegovina për të ndihmuar të paditurit, por e gjithë kjo erdhi nga Republika Srpska dhe shkoi për të ndihmuar të dyshuarit serbë.

Para iu dhuruan edhe familjeve të të akuzuarve serbë përmes një fondi të quajtur Pomoc (Ndihmë), edhe pse fondi nuk publikoi asnjë llogari për të treguar se sa para ishin mbledhur dhe si ishin shpenzuar ato.

Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës, Serge Brammertz, në atë kohë tha për BIRN se sigurimi i fondeve për të dyshuarit për krime lufte nuk ishte diçka e paligjshme.

Brammertz tha se “u takonte shteteve sovrane të vendosnin për vete se si duan t’i shpenzojnë paratë".

Por ai vuri gjithashtu në dukje se shumë viktima të luftës, të cilët shpesh përpiqen shumë që të fitojnë kompensime, shpesh ndiejnë një lloj ndjesie padrejtësie./ballkaninsight/