Shkon në 79 numri i viktimave në Londër

Bota June 19, 2017 - 12:28

Numri i viktimave pas zjarrit në kullën Grenfell në Londër ka shkuar tanimë në 79 persona. Bilanci tragjik është bërë i ditur nga policia britanike. 

Komandanti Metu Stuart Cundy konfirmoi raportet në një deklaratë , duke shtuar numri i viktimave pritet të rritet.

Zjarri i fuqishëm përfshiu kullën 24-katëshe në perëndim të Londrës, pak pas mesnatës më 13 qershor.

Dy ditë më parë komandanti i zjarrfikësve njoftoi hapur se numri i viktimave do të ishte i frikshëm dhe mund të arrinte deri në 150 persona.

Operacioni i rimëkëmbjes në bllokun e djegur të banesave ka rifilluar dhe mund të duhen disa javë për të zbardhur detajet e plota të ngjarjes. 

Ndërkohë, Kryeministria Theresa May pranoi se mbështetja për familjet e kullës në "orët e para të tragjedisë" nuk ishte "mjaft e mirë".

Deklarata erdhi pasi May u takua me vullnetarët që po ndihmojnë viktimat dhe disa prej banorëve tashmë të pastrehë.