Macron: Do të jem kërkues në takim me Putinin

Bota May 29, 2017 - 12:57

Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron, do të presë sot homologun rus, Vladimir Putin. Takimi do të zhvillohet në Pallatin e Versajës, jashtë Parisit.

Macron, i cili është zgjedhur më 7 maj, tha se “është e domosdoshme të flitet me Rusinë, sepse janë një numër çështjesh ndërkombëtare, të cilat nuk zgjidhen pa dialog të ashpër me të”.

Dy presidentët pritet të diskutojnë për ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale në Francë, si dhe për ndërhyrjen ruse në luftërat në Siri dhe Ukrainë.

“Do të jem kërkues në shkëmbimet e mia me Rusinë”, tha Macron të dielën, pas takimit të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara.

G7-ta ra dakord që të shqyrtojë masa të reja kundër Moskës, nëse situata në Ukrainë nuk përmirësohet.

Vendet perëndimore i kanë vënë sanksione Rusisë, pasi, në vitin 2014, ka aneksuar në mënyrë të paligjshme gadishullin ukrainas të Krimesë dhe prej atëherë mbështet separatistët në lindje të Ukrainës.

Në luftën midis tyre dhe forcave qeveritare të Ukrainës janë vrarë mbi 9,000 njerëz.

Macron do të mbajë “qëndrimin e njërit prej liderëve të Evropës së bashkuar”, tha Tatyana Stanovaya, analiste nga Franca në Qendrën ruse për Teknologjitë Politike.

Putin pritet të bëjë përpjekje për të krijuar lidhje të reja me Macronin, pas marrëdhënieve të trazuara me paraardhërsin e liderit francez, Francois Hollande.

Putin ka anuluar një vizitë në tetor, pasi Hollande ka thënë se ai do të bisedonte me të vetëm për Sirinë.

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Francë, ekipi i Macronit ka akuzuar Rusinë për sulme kibernetike dhe përpjekje për dezinformata. Ekipi i tij ka refuzuar të akreditojë mediat ruse Sputnik dhe RT.

Është thënë se Moska ka favorizuar rivalen e Macronit, Marine Le Pen, për presidente të Francës. Le Pen ka qenë kandidate e ekstremit të djathtë.

Moska, megjithatë, i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në Francë.

Në ndërkohë, grupi për të drejtat e njeriut Human Rights Watch i ka bërë thirrje Macronit që të ngrejë çështjen e të drejtave humane me Putinin, i cili akuzohet për shtypje të disidentëve.

“Nuk mund të ketë moment më të rëndësishëm për liderin francez që të flasë fuqishëm për nevojën që partneri rus të angazhohet për liritë dhe të drejtat e njeriut”, tha Benedicte Jeannerod, drejtore për Francën në organizatën Human Rights Watch.

Aleksei Pushkov, ligjvënës rus, shfaqi shpresën për, siç tha, “qasje pragmatike” nga Macron.