Britania në nivel alarmi 'kritik' nga terrorizmi

Bota May 25, 2017 - 08:31

Kryeministrja britanike Theresa May ka njoftuar se niveli i kërcënimit nga terrorizmi në vend është rritur në shkallën më të lartë – në atë “kritike”.

May ka kryesuar mbledhjen e kabinetit të situatave emergjente për sigurinë, të zhvilluar për herë të dytë pas sulmit terrorist në Manchester ku më pas ka bërë disa deklarata për mediet. 

Pasi ka transmetuar se njësitë e Inteligjencës dhe të Sigurisë janë duke hetuar nëse sulmuesi ka vepruar i vetëm apo si pjesë e një rrjeti, May tha se "nuk mund të lëmë jashtë mundësive praninë e një grupi më të gjerë të lidhur me sulmin".

Duke bërë të ditur se Qendra e Përbashkët për Analizimin e Terrorizmit, e cila është edhe njësia e pavarur përgjegjëse për përcaktimin e nivelit të kërcënimit të terrorizmit në kuadër të të dhënave, ka vlerësuar rritjen e nivelit të sigurisë May ka thënë "duke u bazuar në hetimet e sotme është vendosur që niveli i sigurisë së kërcënimit nga ‘serioz’ të rritet në nivelin ‘kritik’. Kjo nënkupton se sulmi nuk qëndron në mundësinë e kryerjes, porse mund të ndodhë në çdo moment".

Ndër të tjera May ka vënë theksin se do t'i ofrohen burime të reja policisë për rritjen e nivelit të sigurisë. Sipas saj, policia në këtë kuadër ka kërkuar autorizim nga Ministria e Mbrojtjes për kërkimin e personalit ushtarak të armatosur, gjë të cilën edhe Ministria e ka miratuar, transmeton "Zeri.info".

Familjarët e atentatorit kishin paralajmëruar autoritetet britanike

Mediet ndërkombëtare vijojnë të publikojnë detaje të reja për 22-vjeçarin Salman Abed, i cili hodhi veten në erë në koncertin e Manchesterit, duke shkaktuar 22 viktima.

Sipas të dhënave të fundit familjarët e tij kishin paralajmëruar autoritetet britanike se ai mund të bëhej i rrezikshëm.

Vitin e fundit kishte shkuar dhe ishte rikthyer disa herë nga Libia terroristi që vrau 22 persona, pothuajse të gjithë adoleshentë dhe fëmijë, duke u hedhur në erë pas koncertit të Ariana Grandes në Manchester.

22-vjecari Salman Abed, i lindur në Britaninë e Madhe nga prindër që ishin arratisur nga Libia nga regjimi i Gedafit, mund të ketë përgatitur sulmin e tij nën udhëzimet e xhihadistëve. Hetuesit britanikë kanë thënë për italianen "Corriere della sera" se ai ishte i lidhur me “Al Qaeda”-n. Provat për lidhjen e tij me organizatën terroriste dhe trajnimin e tij në Libi janë fakte se atentatori ka përdorur një bombë shumë të sofistikuar për masakrën në “Manchester Arena”. Një bombë e përbërë nga materiale të vështira për t’u gjetur në Britaninë e Madhe kanë konfirmuar dhe hetuesit amerikan për “NBC”, përcjell "Zeri.info"

Por ka një detaj që hedh hije për sistemin e sigurisë dhe të monitorimit në Britaninë e Madhe duke hedhur hipotezën se kjo masakër ndoshta mund të evitohej. Sipas burimeve të shërbimit amerikan të Inteligjencës, anëtarë të familjes së terroristit, rezidentë në Mbretërinë e Bashkuar, kishin paralajmëruar autoritetet britanike për rrezikshmërinë e Salmanit.

Fqinjët e tij e përshkruajnë si një tip të çuditshëm. I vetmuar, që nuk binte në sy, por kohët e fundit kthehej shumë vonë nga daljet me shokët e tij. 

E përditshmja franceze "Lë Parizien" hedh hipotezën se mund të ketë një lidhje mes bërthamave terroriste të Manchesterit dhe atyre franko-belge. Një nga fqinjët e Salmanit tregon për gazetarët se në fakt ai kishte shumë miq e kushërinj me origjinë nga Libia dhe mblidheshin shpesh bashkë, por asnjeri nga ata nuk pranon të flasë. 

Hetuesit britanikë tashmë e kanë shumë të vështirë të bëjnë një portret të qartë të identitetit të terroristit dhe të kontakteve të tij. Apo dhe të rrugës që e çoi drejt masakrimit të 22 personave dhe plagosjes së dhjetëra të tjerëve në qytetin ku kishte lindur në 1994.

Por kreu i policisë së Manchester, Jan Hopkin, refuzon t’i besojë teorisë së ujkut të vetmuar pasi ai mendon se Salmani ishte i lidhur me një grup të organizuar dhe të lidhur me ISIS-in ku ndonjë ekspert i trajnuar për përgatitjen e eksplozivëve ia ka dorëzuar dhe bombën. Ajo që dihet është se ai prej kohësh monitorohej nga agjentët e policisë dhe studionte për ekonomi në Salford University.

I treti nga katër fëmijët e çiftit të refugjatëve nga Libia sapo lindi ai mori nënshtetësinë britanike. 61-vjecari Mohamad Abdul Malek, imam me origjinë nga Tripoli, shpjegon se refugjatët nga Libia janë një pjesë e rëndësishme e komunitetit mysliman në Manchester.

Ai drejton fondacionin e të rinjve myslimanë, selia e të cilit është pak metra larg “Manchester Arena”-s. Ai shpjegon se 2 milionë e gjysmë banorë në Manchester, rreth 300 mijë janë myslimanë dhe mes tyre 16 mijë janë nga Libia. 

Sipas britanikes “Telegraph”, prindërit e vrasësit kanë jetuar më parë në Londër para se të zhvendoseshin në Manchester, ku jeta nuk është aq e shtrenjtë sa në kryeqytetin britanik.

Pikërisht këtu ata sollën në jetë tre djem dhe një vajzë. Dhe prej disa kohësh janë rikthyer sërish në Tripoli duke lënë në Manchester Salmanin dhe vëllain e tij 23-vjeçar Ismailin, i cili u arrestua një ditë më parë nga policia britanike. /ZËRI/