Vizioni i Trumpit për Lindjen e Mesme

Bota May 22, 2017 - 09:43

Njëra nga qëllimet kryesore të presidentit Trump ka qenë ndryshimi i politikave të paraardhësit të tij. Pra nuk është çudi që vizita e Trumpit këtë fundjavë në Arabinë Saudite, e cila shënoi edhe vizitën e tij të parë në një vend të huaj, ta sinjalizojë një ndryshim total të politikës së jashtme të Barak Obamas në Lindjen e Mesme.

Riadi dhe Jerusalemi janë ndalesat e para në këtë udhëtim, i cili shënon edhe përpjekjen e zyrtare të Donald Trumpit për ta distancuar veten nga afrimi i Obamas me Iranin.

Përllogaritja e administratës së mëparshme përfshinte krijimin e një balance fuqie mes aktorëve rajonalë, domethënë Arabisë Saudite dhe Iranit, në mënyrë që të zvogëloheshin gjurmët ushtarake që Amerika kishte lënë në rajon. Por, siç është bërë e qartë, strategjia e Obamës dështoi.

Trump, në të kundërt, ka një dëshirë të fortë për t'u bashkuar fuqimisht me aleatët tradicionalë të Amerikës, Arabinë Saudite dhe Izraelin dhe e ka identifikuar vazhdimisht Iranin si burim jostabiliteti në rajon.

Me të drejtë ai thotë se Irani ka përdorur marrëveshjen bërthamore të arritur me gjashtë fuqitë më të mëdha, në vitin 2015, për ta rritur ndikimin e tij në të gjithë rajonin, veçanërisht nëpërmjet përdorimit të aktorëve joshtetërorë si grupit separatist Hezbollah në Liban dhe Siri, rebelët Houthi në Jemen si dhe njësitë e mobilizimit popullor në Irak.

Trump është shprehur i vendosur për dhënien e përparësisë në marrëdhëniet strategjike të Amerikës me Mbretërinë dhe do të përshëndetet nga Riadi si partner i shteteve të moderuara myslimane në luftën kundër lëvizjeve radikale ekstremiste si “Shteti Islamik”.

Trump mbajti një fjalim të madh mbi Islamin dhe Perëndimin, me shpresën për ta rivendosur në vend reputacionin e tij pas akuzave si islamofob.

Si rikthim Arabia Saudite ka njoftuar investime të rëndësishme në projektet e infrastrukturës në Amerikë dhe se do t’i blejë 100 miliardë dollarë armë amerikane.

Theksi megjithatë është vendosur tek partneriteti historik ekonomik dhe politik mes dy vendeve. Duket se slogani i samitit është “Së bashku ne mbizotërojmë”.

Dhe meqenëse Jeruzalemi do të jetë ndalesa tjetër pas Riadit, thuhet se Trump do ta marrë një mbështetje të madhe ekonomike për Izraelin, nga Arabia Saudie dhe fqinjët e saj të Gjirit me qëllim që t’i rifillojë bisedimet palestinezo-izraelite të paqes.

Nuk është sekret që armiqësia e përbashkët me Iranin i ka afruar gjithnjë e më shumë Shtetet e Gjirit dhe Izraelin, veçanërisht për sa i përket sigurisë dhe inteligjencës.

Por për ta luajtur këtë letrën që Trump po i ofron, Izraeli duhet t'u ofrojë palestinezëve diçka të prekshme, duke përfshirë këtu edhe ndërprerjen e përhershme të ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Nëse jo, Irani, Assadi, Hezbollahu dhe Houthit do ta kenë një argument të fortë për t’i thënë botës myslimane se agresiviteti është rruga e vetme për t'u marrë me Izraelin.

Një vështirësi tjetër është qasja që ka Trump ndaj Iranit. Ish-këshilltari i tij i sigurimit kombëtar, gjenerali Michael Flynn, ka paralajmëruar Teheranin mos ta testojë një tjetër raketë balistike. Por çfarë do të thotë praktikisht kjo?

Jemeni dhe Arabia Saudite ofrojnë arenën më të mirë për ta filluar çrrënjosjen e ndikimit iranian. Teherani është mëse i përfshirë në mbështetjen dhe furnizimin me armë të rebelëve Houthi dhe po përpiqet ta krijojë një forcë të ngjashme me Hezbollahun, që të mund ta ngacmojë Arabinë Saudite përtej kufirit.

Për Iranin Jemeni nuk është një pasuri strategjike. Por dikush duhet t’ia bëjë të qartë regjimit se sulmi në Jemen nuk do të kalojë pa pasoja, përfshirë këtu edhe fundosjen e ndonjë anijeje me armë dhe shtimin e sanksioneve.

Nga ana tjetër, një dialog mbi Jemenin mes Iranit, Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj mund ta fillonte një proces të tërë mobilizimi në të gjithë rajonin.

Më e rëndësishmja, ai do të tregonte gjithashtu se pa angazhimin aktiv të Amerikës rajoni do të mbetet një “tenxhere me presion” dhe se Obama bëri gabim që vendosi të tërhiqej nga rajoni. Presidenti Trump duhet ta përdorë në favor të tij këtë situatë. /Bloomberg

A- Trump, në të kundërt, ka një dëshirë të fortë për t'u bashkuar fuqimisht me aleatët tradicionalë të Amerikës, Arabinë Saudite dhe Izraelin dhe e ka identifikuar vazhdimisht Iranin si burim jostabiliteti në rajon.

B- Dhe meqenëse Jeruzalemi do të jetë ndalesa tjetër pas Riadit, thuhet se Trump do ta marrë një mbështetje të madhe ekonomike për Izraelin nga Arabia Saudite dhe fqinjët e saj të Gjirit me qëllim që t’i rifillojë bisedimet palestinezo-izraelite të paqes. Nuk është sekret që armiqësia e përbashkët me Iranin i ka afruar gjithnjë e më shumë shtetet e Gjirit dhe Izraelin, veçanërisht për sa i përket sigurisë dhe inteligjencës.