Marine Le Pen kritikohet nga babai i vet pse s’e ndoqi shembullin e Trumpit

Bota April 25, 2017 - 12:13

Veterani francez i ekstremit të djathtë, Jean-Marie Le Pen, ka thënë sot se e bija e tij Marine, e cila përballet me kandidatin e qendrës Emmanuel Macron në balotazhin presidencial të 7 majit, është dashur të bënte fushatë më agresive për rundin e parë të zgjedhjeve që u mbajt të dielën që lamë pas.

Ai ka thënë se Le Pen është dashur të ndiqte shembullin e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të bënte fushatë agresive, transmeton Express.

Me 7.5 milionë vota, Marine Le Pen e theu rekordin e mëparshëm elektoral të Frontit Nacional këtë të diele, por dështoi që ta mundë për vendin e parë pro-evropianin, Macron.

“Mendoj se fushata e saj ishte shumë relaksuese. Sikur të isha në vend të saj, do të bëja një fushatë të ngjashme me atë të Trumpit, një fushatë më të hapur; shumë agresive kundër atyre që janë përgjegjës për rënien e vendit tonë, qofshin ata djathtistë apo majtistë,” ka thënë Jean-Marie Le Pen për RTL Radio.