Sulm terrorist në Londër

Bota March 23, 2017 - 08:44

Në zemrën e Londrës fillimisht u dëgjuan të shtëna të mërkurën, pastaj një automjet vërsulet në masën e njerëzve në urën “Westmintser”. Policia flet për sulm terrorist.

Policia britanike ka hapur zjarr dhe ka vrarë një person që ka tentuar të hyjë në parlament, mes raportimeve se një automjet është përplasur me këmbësorë në urën “Westminster”.

Agresori me thikë, i përshkruar si një aziatik rreth të 40-tave, arriti të futej në kopshtin e parlamentit dhe ka gjuajtur me thikë një oficer policie, përpara se të qëllohej për vdekje. Oficeri, sipas një gazetari të huaj që raporton përmes "Twitter"-it, dyshohet ta ketë humbur jetën, pasi trupi i tij është mbuluar.

Të paktën një grua humbi jetën në këtë ngjarje, ndërsa më shumë se 10 persona thuhet se janë goditur me automjet “4x4” në urën “Westminster”, që raportohet se drejtohej drejt turmës së këmbësorëve dhe çiklistëve. Tre trupa dukeshin qartë të shtrirë jashtë parlamentit, ndërsa ndërtesa është rrethuar dhe mbyllur me urgjencë.

Kryeministrja Theresa raportohet të jetë futur në një makinë nga një oficer policie i veshur jo me uniformë dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Agresori thuhet se ka qenë i vetëm teksa drejtonte automjetin gjatë urës “Westminster”, përpara se të përplasej me gardhin e dhomës së parlamentit dhe të futej në kopsht. Punimet e Dhomës së Përfaqësuesve janë pezulluar nga nënkryetarja Lindsay Hoyle.

Njerëzit jashtë pallatit shiheshin teksa vraponin, ndërsa janë dëgjuar edhe të shtëna. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë helikopterë të ndihmës së shpejtë mjekësore, ndërsa të pranishme janë edhe 12 makina policie dhe furgonë, transmeton "Zeri.info".

Incidenti dramatik vjen pak javë pasi u mësua se shërbimet sekrete britanike kanë bërë të dështojnë 13 sulme potenciale në më pak se 4 javë, ndërsa njësitë e antiterrorizmit janë duke funksionuar me më shumë se 500 hetues në terren.

Niveli zyrtar i kërcënimit nga terrorizmi ndërkombëtar ka mbetur në të njëjtin nivel, “i rëndë”, duke nënkuptuar se një sulm “është tejet i mundshëm”, një situatë që vijon prej mbi dy vjetësh.

“Sulmuesi po mbante diçka në dorë, por u qëllua nga policia”

Gazetari i “Daily Mail”, Quentin Lejon, ka parë ngjarjen teksa policia ka qëlluar sulmuesin në Londër.

“Ai kishte diçka në dorë, dukej si shkop ndërsa disa policë në xhaketa të verdha e rrethuan atë por ai e sulmoi njërin prej tyre. Pastaj tentoi të kalonte drejt hyrjes së deputetëve mirëpo ai u qëllua nga dy burra me rroba civile dhe ra në tokë”, ka thënë Lejon për BBC-në.

Sulmuesi ende nuk është identifikuar. policia londineze dyshon të ketë qenë sulm terrorist.

Politikanë, gazetarë, turistë dhe shumë tjerë ishin në mesin e atyre që u bënë dëshmitarë në momentin kur një oficer i policisë u qëllua dhe disa persona tjerë u plagosën.

Michelle Langham ishte për vizitë në parlament në kohën kur ndodhi sulmi.

Ajo u mbyll në hollin qendror pas incidentit dhe tha se shumë fëmijë të shkollave ishin atje.

Ajo i tha BBC-së: “Ne ishim në kafene kur ndodhi sulmi. Ne pamë një polic në dysheme dhe kishte shumë njerëzit të cilët po bërtisnin”.

Vdes në spital polici që u qëllua me thikë

Ka ndërruar jetë në spital oficeri i policisë që u qëllua me thikë nga agresori i sulmit në Londër.

Punonjësi i policisë u qëllua nga agresori, i cili tentoi të hynte në parlamentin e Britanisë para se të vritej nga policia.

Nga të dhënat e deritanishme sipas medieve të huaja, janë 3 të vdekur dhe 11 të plagosur. Viktimat janë agresori, punonjësi i policisë dhe një kalimtare që u hodh nga ura për t’i shpëtuar përplasjes nga makina.

11 qytetarët e tjerë u përplasën me makinë nga agresori para se të ndalonte në rrethimin e jashtëm të parlamentit në Londër.

Alarm për bombë pranë parlamentit në Londër

Pas ngjarjes ku policia britanike hapi zjarr dhe vrau një person që tentoi të futet në parlament, mes raportimeve se një automjet është përplasur me këmbësorë në urën “Westminster”, një pako e dyshimtë është gjetur në një automjet pranë parlamentit.

Një skuadër antieksploziv ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa një numër i madh forcash policore janë të vendosura pranë parlamentit.
Policia ka ndaluar edhe evakuimin e personave, të cilët gjenden brenda në parlament, pasi zbulimit të pakos së dyshimtë.

Policia londineze del me deklaratë

Policia ka bërë të ditur se po e heton rastin në detaje dhe se nuk dëshiron që të spekulojë.

Ata thanë në deklaratën e tyre se po bashkëpunojnë me Shërbimin e Emergjencës së Londrës dhe Brigadën Londineze të Zjarrit.

Policët kërkuan për publikun që t’i shmangin disa zona të caktuara, duke përfshirë sheshin e parlamentit dhe urën e “Westminsterit”.

Ata gjithashtu thanë se të gjithë personat që kanë imazhe apo video të incidentit t’i dërgojnë ato në polici dhe t’i lajmërojnë ata për çdo eventualitet. /ZËRI/