Honda dhe Nissan konfirmojnë bisedimet rreth bashkimit të forcave për prodhimin e veturave elektrike

Honda dhe Nissan konfirmojnë bisedimet rreth bashkimit të forcave për prodhimin e veturave elektrike

Auto&Tech March 15, 2024 - 13:39

Ajo që nisi si thashethem, tashmë është konfirmuar zyrtarisht.

Honda dhe Nissan kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për të eksploruar potencialin e prodhimit të automjeteve elektrike së bashku.

Nëse të dy prodhuesit arrijnë një marrëveshje, partneriteti mund të përfshijë edhe punën me softuer, shkruajnë mediat e huaja.

Bashkëpunimi është ende në fillimet e tij, por nëse Nissan dhe Honda pajtohen, plani është të bashkohen në zhvillimin e “platformave të softuerit të automjeteve, si komponentë thelbësore e një veture elektrike (EV)”.

Pjesa e softuerit mund të lidhet edhe me sigurinë ose teknologjitë autonome të drejtimit, pasi njoftimi për shtyp nga të dy kompanitë flet për “zero fatalitet në aksidente trafiku”.

Gjithashtu, kjo marrëveshje do të përfshijë edhe një qëllim të përbashkët për neutralitetin e karbonit.

Sipas një raporti nga Nikkei Asia, Nissan dhe Honda duan të zhvillojnë një platformë të re të destinuar ekskluzivisht për automjete elektrike.

Me konkurrencën kineze që po intensifikohet ndërkohë që Volkswagen Group dhe Stellantis po dyfishojnë prodhimin e veturave EV, markat japoneze nuk duan të mbeten pas.

Megjithatë, meqenëse të dy markat sapo kanë nënshkruar memorandumin, kjo do të thotë se një produkt i zhvilluar bashkërisht nuk ka gjasa të prezantohet së shpejti. /telegrafi