Qeveria e Kosovës, ndër më të mëdhatë në Evropë

Aktuale July 17, 2016 - 07:58

Qeveria e Kosovës përbëhet nga 19 ministri dhe 21 ministra, pasi 2 ministra janë pa portofol, gjë e cila e bën Kosovën njërin ndër vendet me numrin më të madh të ministrive në Evropë, pavarësisht faktit se Kosova është edhe vendi më i varfër në Evropë. Kështu, pas Kosovës me numrin më të madh të ministrave në rajon është Shqipëria me 19 ministra, pastaj Serbia me 18, Mali i Zi me 16 dhe Maqedonia me 14 ministra. Edhe shtetet e zhvilluara evropiane kanë më pak ministra sesa Kosova. Franca ka 18 ministra, Norvegjia 15, Gjermania 14, Austria 13, kurse Zvicra ka vetëm 7.

Opinionisti Fadil Lepaja ka thënë se numri i madh i ministrive dhe pozitave të larta është bërë me qëllim të rehatimit të elitave partiake. Madje, sipas tij, nëse krahasohet numri i ministrive në Kosovë me ato në Zvicër e kupton situatën tragjikomike që ekziston në Kosovë.
“Gjithsesi numri i ministrive dhe pozitave tjera të larta politike në to si zëvendësministra, këshilltarë etj, është tepër i madh dhe është ndërtuar si i tillë ky sistem për të rehatuar një numër të madh të elitës partiake, e cila jeton nga politika dhe përfiton nga ajo. Vetëm krahasimi në mes të Zvicrës dhe Kosovës në këtë plan mjafton për ta kuptuar se sa tragjikomike është gjendja në këtë fushë”, ka vlerësuar Lepaja.
Sipas tij, e keqja më e madhe është se ky ekzekutiv i padijshëm që nuk arrin ta vërë në funksion “armatën e tërë të burokratëve”, shumë prej të cilëve sipas Lepajës as që e dinë çfarë përshkrimi të punës kanë, ndërkohë që ekspertë apo njerëz me përvojë rrinë pa punë sepse nuk janë në shërbim të partive.
“Përgjysmimi i numrit të ministrive dhe rivlerësimi i stafit civil të emëruar nga politika është i domosdoshëm për ta bërë shtetin efektiv”, ka përfunduar Lepaja.
Profesori universitar, Blerim Burjani, ka thënë se Kosova ka numrin më të madh të ministrive krahasuar me vendet fqinje, gjë që, sipas tij, është e panevojshme. Ai më tej ka thënë se është e pakuptimtë që Kosova me vetëm 1.8 milion banorë të ketë ministra pothuajse sa Kina, e cila ka mbi 1.3 miliard banorë.
“Reduktimi i ministrive është i domosdoshëm dhe kjo mund të bëhet në më së paku 12 ministri, ato do të ishin të mjaftueshme. Kosova ka numrin më të madh të ministrive krahasuar me vendet e rajonit, por edhe më gjerë. Imagjinojeni, Kina si shtet i madh me mbi 1 miliard banorë ka 23 ministri, kurse Kosova me 1.8 milion banorë ka 19 ministri, plus 2 ministra pa portofol, tre zëvendëskryeministra e mbi 40 zëvendësministra”, është shprehur Burjani.
Ai gjithashtu ka thënë se Qeveria “Mustafa” e ka të vështirë të bëjë reduktimin e ministrive për shkak të subjekteve të vogla që janë pjesë e koalicionit. Sipas Burjanit, ky koalicion po bën përpjekje që të gjejë një konsensus të brendshëm për të reduktuar numrin e ministrive, por thotë se do të ketë probleme për shkak të apetiteve të individëve të caktuar.
Burjani ka thënë se ky numër i madh i ministrive do të ishte i arsyeshëm sikur Kosova të ishte shtet i madh dhe me ndikim ndërkombëtar.
“Kosova nuk është shtet i madh apo me fuqi të madhe në arenën ndërkombëtare e që ka nevojë për të pasur kaq shumë dikastere sikur të kishte 80 apo 100 milionë banorë. Kosova është shtet i vogël e i varfër, prandaj duhet t’i reduktojë shpenzimet”, ka shtuar Burjani, duke thënë gjithashtu se është i paarsyeshëm edhe emërimi i ministrave pa portofol.