Krasniqi ja kthen Mustafës: Reagim dëshpërues për të arsyetuar humbjen e mbi 8000 hektarëve të Kosovës

Aktuale July 14, 2016 - 15:03

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi ia ka kthyer reagimin e tij kryeministrit Isa Mustafës.

Pas një shkrimi autorial ku Krasniqi kritikon Mustafën duke i thënë “kryeministër i kujt dreqi je? Mustafa nëpërmjet rrjetit social Facebook ka thënë se për demarkacionin është përgjegjës ai pasi që “ligjet janë nënshrkuar në kohën sa ishte kryetar Kuvendi”.

Ky është reagimi i Krasniqit: 

Reagimi i Kryeministrit Isa Mustafa ndaj shkrimit tim të sotshëm lidhur me kushtëzimet e një pas njëshme për liberalizimin e vizave  me demarkacionin me Malin e Zi e formimin e ushtrisë së Kosovës, është prova më e mirë se ky njeri e ka humbur orientimin edhe në kohë edhe në hapësirë. 

Por sidoqoftë, për hir të informimit të publikut po e sqaroj edhe këtë çështje të cilën e paska ngritur Kryeministri “akademik”.

Kryeministri me qëllim ngatërron kufijtë e shtetit me kufijtë e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” apo me ligjin për kufijtë administrativ të komunave e Planin Hapësinor. Kryeministri do të duhej ta dinte se ligjet i miraton Kuvendi i Kosovës e jo kryetari.

Kryeministri e din, ose së paku nga funksioni të cilin aktualisht e ushtron do të duhej dikush nga këshilltaret t’i tregojë që, me demarkacion nënkuptojmë vendosjen e kufijve mes shteteve, ndërsa me kufijtë e komunave, kufijtë e parqeve, kufijtë e lagjeve, kufijtë e rançeve apo çfarëdo kufiri tjetër nënkuptojmë pjesët e shumta që e përbëjnë tërësinë e territorit të një shteti, në këtë rast shtetit të Kosovës.

Prandaj, kjo qasje e tij nuk është asgjë tjetër pos një përpjekje e dëshpëruar për të arsyetuar versionin e demarkacionit i cili Kosovës ia merr mbi 8000 hektar tokë.