Lista Serbe kushtëzon formimin e FAK'ut, do edhe postin e zv/komandantit (VIDEO)

Aktuale July 12, 2016 - 20:30

Sfidë për shtetin mbetet kalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Kjo çështje vazhdon të mbetet pjesë e deklaratave të politikës kosovare, derisa duket se pengesa kryesore për krijimin e ushtrisë është Lista Serbe.

Këtë e pranon Lidhja Demokratike e Kosovës, derisa Partia Demokratike e Kosovës thotë se askush s’mund ta ndalojë bërjen e Kosovës me ushtri.

Kërkesa kryesore e Listës Serbe, sipas burimeve të transmetuesit publik, pos asociacionit të komunave me shumicë serbe, është edhe posti i zëvendëskomandantit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

LEXO EDHE: AAK dhe Nisma nesër në Kuvend

Madje, sipas anëtarit të Komisionit për Punë të Brendshme të Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, kusht kryesor i Listës Serbe është që brenda ushtrisë ta kenë një batalion. Kjo, sipas tij, është e papranueshme. /Express/