Gjykata në veri, nga janari 2017

Aktuale July 11, 2016 - 07:53

Gjyqtarja Jelena Krivokapiq dhe avokati Lubomir Pantiq në një diskutim publik të organizuar në Zveçan kanë vlerësuar se shtatori i këtij viti si afat i realizimit të Marrëveshjes së Brukselit për gjyqësorin është i paarritshëm dhe tani flitet për 1 tetorin si datë e fillimit të punës së integruar në sistemin kosovar të gjyqësisë  

Gjykatës dhe avokatë serbë në një konferencë publike të mbajtur në Zveçan konsiderojnë tepër të vështirë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për sistemin e integruar të gjyqësisë në veri.

Gjyqtarja Jelena Krivokapiq dhe avokat Lubomir Pantoviq kanë vlerësuar se shtatori i këtij viti si afat i realizimit të Marrëveshjes së Brukselit për gjyqësorin është i paarritshëm dhe tani flitet për 1 tetorin si datë e fillimit të punës së integruar në sistemin kosovar të gjyqësisë. Ata kanë thënë se nuk janë krijuar kushte që gjyqtarët dhe prokurorët serbë të integrohen në sistemin kosovar të drejtësisë në këtë vit.

“Personalisht nuk jam optimist edhe kur flitet për këtë datë (1 tetorin), më me dëshirë do të thosha se vitin 2016 do ta kalojmë me dy sisteme të drejtësisë. Kemi shumë punë teknike që duhet zgjidhur, madje as objektet e gjykatave nuk janë përgatitur ashtu si duhet”, ka thënë Pantoviq, fjalët e të cilit i përcjellin mediet serbe në veri. Ai ka shtuar se duhet kohë që gjyqtarët dhe prokurorët serbë të adaptohen në sistemin e ri të punës në gjyqësorin e Kosovës, për çka mendohet se gjyqësori i integruar nuk do të jetësohet para 1 dhjetorit të këtij viti ose nga janari i vitit 2017.

Me Pantoviqin është pajtuar edhe gjyqtarja Jelena Krivokapiq, e cila ka thënë se nuk beson që në këtë vit mund të fillojë puna me sistemin e integruar të gjyqësorit. Sipas saj, nuk janë siguruar akoma ndërtesat e gjykatave dhe të prokurorive në veri të Mitrovicës dhe madje as ato në jug të Mitrovicës, siç është ndërtesa e ish-“Jugobankës”, e cila duhet të shndërrohet në objekt të gjykatës.

“Ato ndërtesa në jug të Mitrovicës nuk i plotësojnë kushtet e as nuk janë përgatitur në atë mënyrë që në to të vendosen Gjykata dhe Prokuroria dhe ato të jenë funksionale”, ka thënë Krivokapiq. 

Në konferencë të hapur, të cilën e kanë organizuar OJQ “Qendra për përfaqësimin e kulturës demokratike”, në kuadër të projektit “Fuqizimi i reformave të gjyqësorit në Kosovë”, që financohet nga USAID-i, është folur edhe për numrin e vogël të avokatëve serbë për t’i plotësuar kërkesat e qytetarëve. 

Në këtë drejtim, avokati Pantoviq ka thënë se nga 642 avokatë të regjistruar në Odën e Avokatëve të Kosovës, vetëm 5 për qind u takojnë komunitetit joshumicë dhe se në veri të Kosovës ekzistojnë vetëm 5 avokatë serbë, të cilëve duhet t’i bashkëngjitet edhe një e që, sipas Pantoviqit, është numër fare i vogël në mënyrë që t’i plotësojë nevojat e qytetarëve. Pantoviq e Krivokapiq janë ankuar gjithashtu edhe për mënyrën e dobët të përkthimit në gjuhën serbe dhe për përkthim jokualitativ gjatë seancave gjyqësore.

Në anën tjetër, para një muaji kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, pati thënë se deri në fillim të shtatorit të vitit 2016 do të funksionalizohet gjykata në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila do të punojë me ligjet e Kosovës. Ai pati bërë të ditur se është hapur konkursi dhe janë krijuar komisionet që do ta bëjnë përzgjedhjen e punonjësve të gjykatës, duke sqaruar se punëtorët e saj do të jenë kryesisht ata që kanë punuar deri më tani në gjykatat, të ashtuquajtura paralele, të cilat janë shuar pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013.

“Meqë janë shumicë në atë pjesë të vendit pjesa dërrmuese do të jenë pjesëtarë punëtorë të komunitetit serb dhe të tjerëve. Por, nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të ketë strukturë të përzier”, pati thënë Idrizi.

Gjykatat në veri të Kosovës u riaktualizuan gjatë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe një marrëveshje të arritur për shuarjen e gjykatave paralele serbe në veri të vendit, e cila u arrit në Bruksel më 2015. Me Marrëveshjen e Brukselit një gjykatë themelore dhe një prokurori themelore do të funksionojnë për rajonin e Mitrovicës. Lëndët penale do të shqyrtoheshin në veri, kurse ato civile në jug, ndërkohë kryetari i gjykatës do të jetë serb, kurse kryeprokurori shqiptar.

Marrëveshja për Integrimin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve Serbë, si dhe stafit tjetër në sistemin e drejtësisë së Kosovës është nënshkruar më 10 shkurt të vitit 2015, në Bruksel.