E shitën votën

Aktuale July 06, 2016 - 08:00

Emërime në diplomaci, leje për terminal, punësime të fëmijëve e beneficione të tjera kanë përfituar deputetët e LDK-së në këmbim të votës për ta zgjedhur Hashim Thaçin president

Në këmbim të votës për t’u zgjedhur president, Hashim Thaçi në bashkëpunim me Isa Mustafën kanë bindur skeptikët përmes favoreve të ndryshme. Vota dikujt i ka kushtuar më shumë e dikujt më lirë.

Disa muaj pas zgjedhjes së tij president nisën të bëhen të ditura beneficionet që disa deputetë kanë përfituar në këmbim të votës.

Pos lejes për terminal doganor që kishte marrë Margarita Kadriu, tash na dalin edhe të tjera deputete që kanë fituar poste diplomatike dhe favore të tjera, punësime e pozita diplomatike.

Del se Thaçi në krye të shtetit është bërë më së shumti në “kurriz” të diplomacisë kosovare. Në këmbim të votës apo të qëndrimit në sallën e votimit gjatë zgjedhjes së presidentit disa deputetë të Lidhjes Demokratike dhe disa të pavarur kanë përfituar në forma të ndryshme.

Përveç deputetes Alma Lama, që është propozuar për ambasadore në Itali, rehatime në diplomaci kishte pasur edhe pak kohë para se Hashim Thaçi të bëhej president, sa ai ishte në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në kohën e tij, meqë kishte shumë kundërshtime për zgjedhjen e tij në postin e kreut të shtetit, në diplomacinë kosovare ishin ngritur në grada vëllezërit e deputetëve të LDK-së, Arben Gashi e Armend Zemaj, meqë kundërshtonin zgjedhjen e Thaçit president.

Vëllai i Armend Zemajt, Astrit Zemaj, muaj më parë ishte avancuar nga pozita e konsullit në atë të zëvendësambasadorit. Madje ky avancim ishte bërë në mënyrë të paligjshme, për faktin se nuk janë respektuar procedurat dhe ligji.

Në mënyrë të kundërligjshme ish-kryediplomati Thaçi, tash president, ia kishte ngritur pozitën edhe vëllait të deputetit Arben Gashi, Asdren Gashit, nga pozita e këshilltarit në atë të zëvendësambasadorit të Kosovës në Hungari.

Ndërkohë, ish-deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija, është emëruar konsulle e përgjithshme në New York. Rehatime në diplomacinë kosovare për familjarët e figurave të rëndësishme të LDK-së si shpërblim për mbështetjen e Thaçit president pati edhe më tutje.

Rron Kryeziu, djali i shefes së kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa dhe njëra nga bashkëpunëtoret më të afërta të tij, Vlora Dumoshit, u rehatua në Ambasadën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Djali i Dumoshit pasi kishte punuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që udhëhiqet nga Arban Abrashi, ishte transferuar në MPJ, më pastaj për t’u dërguar në Uashington në Ambasadën e Kosovës.

Se vota për zgjedhjen e Hashim Thaçit president kishte çmimin e lartë tregon edhe vota e deputetes së pavarur, ish-anëtares së PDK-së, Margarita Kadriu.

Ajo pasi u bë deputete në logon e PDK-së dha dorëheqje nga kjo parti, por për votën “pro” zgjedhjes së Thaçit pati kërkesa maksimale, që edhe i janë plotësuar nga Qeveria e Mustafës. Asaj i është dhënë licenca për terminal doganor në këmbim të votës pro zgjedhjes së Hashim Thaçit president.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, duke iu përgjigjur kritikave për propozimin e deputetes Alma Lama për ambasadore në Itali, ka thënë se ajo do të jetë një ambasadore e shkëlqyeshme.

“Në Itali do të kemi një ambasadore të shkëlqyeshme. Një intelektuale, deputete që ka njohuri të thella për vendin e saj, njohëse e thellë e ekonomisë dhe kulturës italiane, e Vatikanit dhe Maltës. Asgjë më shumë, veçse do të vazhdojmë të mburremi me ambasadoren e ardhshme, Alma Lama”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Shërbimi i jashtëm, vegël për shpërblimin e militantëve

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Puhie Demaku, ka thënë se shërbimi i jashtëm është shndërruar në vegël për shpërblimin e militantëve partiakë e të deputetëve të dëgjueshëm.

“Kjo është dëshmi se partizimi i shërbimit të jashtëm po merr përmasa shqetësuese dhe degradimi po thellohet. Është tepër shqetësuese se si shërbimi i jashtëm kaq pamëshirshëm e kaq publikisht është shndërruar në vegël të shpërblimit për militantë, ish-kandidatë për deputetë apo deputetë aktualë për dëgjueshmërinë ndaj partisë”, ka vlerësuar Demaku.

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje” më tej ka thënë se me emërime politike në diplomaci nuk ka se si të priten rezultate pozitive për vendin.

“Nuk kemi si të presim rezultate të mira kur tërhiqen ambasadorët e karrierës e zëvendësohen nga militantët. Cilësia me vite do të duhej të ishte në rritje jo në rënie”, ka shtuar Demaku.

Haxhiu: Zgjedhja e Thaçit, falë pazareve të shumta

Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se ka qenë e ditur se kanë ndodhur pazare politike qysh në ditën kur është njoftuar opinioni se deputetja Alma Lama do të qëndrojë në sallë gjatë votimit të Thaçit për president.

“Prej kohës kur është lakuar emri i deputetes Lama që do të jetë në mesin e atyre që do të qëndronin në sallë gjatë votimit të Thaçit është ditur se kanë ndodhur pazare për zgjedhjen e tij për president. Por seriozisht ky është fundi i funksionimit të një shteti demokratik. Pazaret politike për ta blerë një pozitë më së paku i janë dashur Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se emërimet politike nuk i kontribuojnë diplomacisë kosovare duke i ditur ngecjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por Haxhiu kujton se pazaret për zgjedhjen e Thaçit nuk janë bërë në fushën e diplomacisë, pasi rikujton faktin se disa deputetë të tjerë kanë pasur përfitime të tjera.

“Këtu janë bërë pazare të shpeshta, kanë ndodhur edhe emërime të tjera në diplomaci, por këto emërime janë skandaloze pasi kanë ardhur si rezultat i pazareve. Po ashtu ka pasur edhe pazare të tjera, përveç këtyre në diplomaci. Tani mund të thuhet se edhe ish-deputetja Teuta Sahatqija, edhe deputetja Alma Lama, por edhe të tjerët i kanë bërë këto llogaritje në këmbim të votës”, ka deklaruar më tej deputetja Haxhiu.

Image
Image