Gecaj: PDK ta diskutojë me Thaçin Demarkacionin

Aktuale June 29, 2016 - 08:03

Qeveria e Kosovës po pret nga zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, që kanë deklaruar se demarkacioni me Malin e Zi ka hyrë 5 kilometra brenda territorit të Kosovës, që të bisedojë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ai ishte kryetar i kësaj partie në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes

Marrëveshja për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi ka mbetur pezull, meqë dy partitë në pushtet, PDK-ja dhe LDK-ja, ende nuk po arrijnë konsensusin për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Derisa zyrtarë të lartë të PDK-së kanë deklaruar publikisht se kjo marrëveshje për demarkacionin është gabim, pasi me të është hyrë pesë kilometra brenda territorit të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa po hesht duke mos e thënë asnjë fjalë nëse i mbështet këto deklarata të partnerit të koalicionit ose jo.

Mirëpo, këshilltarët e tij ia kanë gjuajtur topin PDK-së dhe presidentit, i cili në kohën e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ishte kryetar i PDK-së dhe ministër i Punëve të Jashtme. Rreth demarkacionit dje ka diskutuar edhe Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane, në të cilën është shtruar kërkesa për seancë dëgjimore për demarkacionin, por që është kundërshtuar nga opozita.

PDK-ja të flasë me presidentin

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, njëherësh këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, thotë për “Zërin” se zyrtarët e PDK-së do të kenë mundësi t’i thonë në Kuvendin e Kosovës deklaratat që i kanë thënë në medie se me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi është hyrë pesë kilometra brenda Kosovës.

Por paraprakisht, sipas tij, do të ishte mirë të flasin me presidentin, Hashim Thaçi, i cili ishte kryetar i PDK-së në kohën e nënshkrimit.

“Do ta kenë mundësinë ta thonë këtë dhe ta diskutojnë gjerë e gjatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por, paraprakisht do të bënin mirë ta diskutojnë këtë edhe me presidentin e Republikës, duke marrë parasysh se presidenti ishte kryetar i PDK-së në kohën kur e kishte nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë Gecaj për “Zërin”.

Sipas tij, Qeveria ka përfunduar punën rreth demarkacionit me Malin e Zi dhe tani vetëm pritet dërgimi në Kuvend për ratifikim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përfunduar punën në çështjen e Demarkacionit. Tani vetëm pritet dërgimi i lëndës në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Gecaj.

Megjithatë, sipas tij, kjo pritet të bëhet në momentin e duhur kur të vendosin partnerët e koalicionit qeverisës.

“Për këtë do të vendosin parterët e koalicionit në kohën dhe në momentin e duhur, pasi që e gjitha kjo nuk zhvillohet në ndonjë vakum politik, por në një atmosferë të tensionuar politike”, ka theksuar ai.

Matoshi: Heshtja e Mustafës tregon fundin e koalicionit

Por, heshtja e kryeministrit Isa Mustafa, sipas analistit politik Halil Matoshi, është dëshmi se koalicioni qeverisës po shkon kah fundi dhe se të gjithë janë bashkuar tashmë kundër LDK-së dhe Isa Mustafës.

Matoshi thotë për gazetën “Zëri” se vendi po hyn në një situatë të rrezikshme në prag të funksionalizimit të Gjykatës Speciale.

“Vendi po hyn në një situatë të rrezikshme në prag të funksionalizimit të Gjykatës Speciale, prandaj në këtë kontekst kryeministri Mustafa duhet të marrë hapa shtetërorë dhe joanarkistë, të shkarkojë Komisionin e Murat Mehës dhe të nisë rinegocimin e Demarkacionit me Malin e Zi, duke e përfshirë edhe opozitën në këtë proces ose edhe të arrijë marrëveshje që çështja të shkojë në Arbitrazh Ndërkombëtar. Çdo konflikt me Malin e Zi do të ishte absurd dhe i rrezikshëm në këtë momentum që po e kalon vendi”, ka thënë analisti Matoshi.

Komisioni për Integrime kërkoi seancë dëgjimore për Demarkacionin

Ndërkohë, Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane ka kërkuar të martën seancë dëgjimore në Kuvendin e Kosovës, ku do të diskutohej për Demarkacionin me Malin e Zi.

Deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj, ka thënë se duhet të ballafaqohen argumentet e të gjitha palëve.

“Duhet të ballafaqohen qëndrimet dhe argumentet e të dyja palëve: të atyre që e mbështesin marrëveshjen dhe të atyre që e kundërshtojnë atë, në mënyrë që ne të mundë të formojmë qëndrim lidhur me këtë çështje”, ka thënë Zogaj.

Deputetja, Vjosa Osmani, tha se në këtë tryezë të jenë pjesëmarrës ekspertë të fushës, deputetë, si dhe shoqëria civile, në mënyrë që mbi bazën e fakteve të paraqitura me atë rast deputetët ta kenë më të lehtë të vendosin për votën e tyre.

“Herën e kaluar kjo nuk u arrit për shkak të një incidenti që e kishte vetura e zotit Meha dhe mua mu krijua përshtypja thua se i harruam të gjitha ato që i diskutuam dhe po e lënë tash këtë punë dhe nuk po e ftojmë fare, kështu që nuk e di pse është tejkaluar ajo çështje, a është ftuar përsëri Komisioni, pse e ka pasur një incident nuk do të thotë që nuk ka nevojë më të ftohet sërish”, ka thënë Osmani.

Por, kundër kësaj seance ishte deputetja e “Vetëvendosjes”, Donika Kadaj-Bujupi.

“Në këtë fazë kur veçse po pretendohet dhe në fakt po deklarohet madje edhe me ultimatume nga presidenti Thaçi që duhet të ratifikohet marrëveshja brenda 10 ditësh është në kundërshtim në fakt edhe me ndarjen e pushteteve në Kosovë dhe është e papranueshme që ne të ofrojmë një derë të vogël për t’u arritur kjo marrëveshje që është kundërkushtetuese dhe që e ka shkelur Rezolutën e Kuvendit, të cilën e kemi nxjerrë të gjithë bashkë”, ka theksuar Kadaj-Bujupi.