Specialja rekruton stafin verës
Gjykata Speciale gjatë muajve të verës do të vazhdojë me rekrutimin e stafit të nevojshëm, në mënyrë që në fund të këtij viti apo më së largu në fillim të vitit të ardhshëm t’i ngrejë aktakuzat e para
Gjykata Speciale gjatë kësaj vere do të kompletohet me gjithë stafin administrativ, me prokurorë e gjyqtarë, në mënyrë që deri në fund të këtij vitit të jetë e gatshme për fillimin e punës dhe shpalljen e aktakuzave të para ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët pretendohet se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në vend.
Drejtues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë i kanë thënë gazetës “Zëri” se procesi në raport me Dhomat e Veçanta është duke vazhduar dhe nuk ka vonesa.
“Javën e kaluar Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar buxhetin për Dhomat e Veçanta dhe Zyrën e Prokurorit Special dhe një numër i masave logjistike dhe administrative janë ndërmarrë, duke përfshirë këtu shpalljen për disa pozita gjatë muajit maj. Procesi i radhës rekrutues pritet të nisë gjatë kësaj vere”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për gazetën “Zëri”.
Në anën tjetër, analistët politikë në vend thonë se ka pasur vonesa në operacionalizimin e Gjykatës Speciale.
Madje analisti, Naim Rashiti, thotë se mund të ketë edhe shtyrje, derisa shton se nuk e dinë nëse mund të kompletohet këtë vit apo jo Gjykata Speciale. “Jo, nuk e di a do të kompletohet Gjykata Speciale gjatë kësaj vere. Sipas planit Gjykata Speciale është operacionale në tetor të këtij viti. Pastaj shpallen aktakuzat e reja. Ka pasur shumë vonesa, duke përfshirë edhe financimin. Mund të ketë shtyrje. Ajo që dihet sigurt është se Gjykata Speciale tani ka fondet fillestare dhe do të vendoset gjatë këtij viti”, ka thënë Rashiti për gazetën “Zëri”.
Megjithatë, shpallja e aktakuzave të para ende nuk dihet nëse do të bëhet në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm. Aktakuzat e para mund të ndodhin në këtë fundvit apo vitin tjetër”, është shprehur Rashiti.
Avokati, Afrim Salihu, mendon se gjasat janë që gjatë verës të kompletohet me gjithë stafin Gjykata Speciale. Por, ai shpreh frikën se largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian do të ndikojë tek financat e Speciales.
“Ka gjasa reale të kompletohet gjatë verës. Por ka gjasa që pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian të ndërlikohet procesi, pasi financat lidhur me Gjykatën Speciale mund të zbehen”, ka thënë Salihu për gazetën “Zëri”. Ai thotë se kjo madje ka gjasa që ta shtyjë edhe kompletimin e Speciales.
“Edhe ka gjasa pak të shtyhet”, ka theksuar ai, duke shtuar se Serbia është e interesuar që të fillojë sa më shpejt kjo Gjykatë, meqë po tenton që përmes dënimeve eventuale të ish-eprorëve të UÇK-së të dokumentojë pretendimet për trafikim me organe. “Serbia do të tentojë që të fillojë sa më shpejt, sepse ata po mundohen që përmes dënimit eventual të pjesëtarëve të UÇK-së ta dokumentojnë apo të tentojnë ta dokumentojnë faktin se kosovarët janë ata që kanë kryer krime të luftës dhe trafikim me organe”, ka theksuar Salihu.
Ndërsa institucionet e Kosovës tashmë kanë kryer të gjitha obligimet në raport me Gjykatën Speciale, duke ratifikuar edhe Marrëveshjen me Holandën, shtet ky në të cilin do të vendoset Specialja, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra që ishin kundër themelimit të Gjykatës Speciale, meqë konsiderohej e padrejtë.