Ish luftëtari pa bukë e kripë në sofër (FOTO)

Aktuale June 26, 2016 - 15:55

E la Gjermaninë për të luftuar si pjesëtarë i UÇK-së, në Kosovë përballet me urinë.

I përbuzur nga institucionet, i lënë pa punë, pa ndihmë sociale, duke u përballur me urinë, prej 17 vitesh Beqir Gorqaj ish luftëtari që jeton në Studenicë të Istogut ende ruan me krenari epitetin e luftëtarit të UÇK-së.

Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) tani bënë punë krahu në Kosovë. Dhe kur dikush i merr si punëtor krahu kjo është dita kur brenga i largohet se do të shkojnë në shtëpi me ushqim për fëmijët.

Ai është kthyer nga Gjermania dhe ka hyrë në UÇK. Ai thotë se në Gjermani ora i paguhej 17 marka e gjysmë.

“Por njerëzit po vriteshin në Kosovë, nuk munda të durojë. Me vetëfinancim, me uniforma, me armatim tim kam ardhur. Dhe jam rreshtuar në brigadën ‘Agim Ramadani’ ku më 17 prill 1999 jam lënduar prej unazave dhe bërë operim në Tiranë. Një koleg im që u vra, Fadil Maloku, për të mos marrë kufomën serbët e kam mbajt kufomën me gjithë peshën e tij dhe e kam dërguar deri në pikën ku kemi pasur t’i lëmë dëshmorët”. Pas kësaj ai dërgohet për operim në Tiranë dhe rikthehet prapë në Koshare.

Por, pas luftës, ai thotë se me shumë sakrifica po e përballon jetën. Ai nis ditën duke pritur se kush po e thërret të bëjë punë krahu në ndërtimtari, të kosit, apo prashit...Ka provuar të hyjë në punë, por thotë se është refuzuar. Tani me vështirësi ia del të sigurojë ushqimin për familjen e tij.

“Po duhet të gjendemi disi, diku marrë dhe hua”, thotë ai duke treguar se askush nga niveli komunal apo qendror nuk ia kanë hapur derën. “Kam mbetur pa krypë, le më pa miell”, thotë ai duke rrëfyer se verës ia del të gjeje punë fizike dhe të sigurojë bukën ndonëse ndodh që shkonë një muaj apo më shumë dhe askush se thërret për ndonjë punë të rëndomt, shkruan 'Zeri'.

Kurse, dimrit tregon se është vështirë të mbijetojë si një njeri që nuk merr asnjë social. “Unë jam në listën e invalidëve, por ende asnjë pension s’kam marrë. Më është shpallur emri, paret s’mi kanë dhënë gjoja se duhet verifikim në komision mjekësor qeveritar prapë në Prishtinë”.

Ai ka humb shpresat për punë në këtë shtet. “Nëse ke të holla t’ia japësh dikujt të të punësojë e bënë qarën, ja ky është shteti për të cilin kemi luftuar ne”.

Tri ditë ish luftëtari rrinë pa bukë

Ai thotë se ka luftuar për një shtet që kujdeset për qytetarët e vet. “Shumë keq na kanë lënë as kripë s’kam pasur. Kur se ke kripën senet elementare po tjerat”, thotë ai duke rrëfyer sesi deri tri ditë ka qëndruar pa ushqim.

“Dy -tri ditë kam qëndruar pa pikë buke, e kam dërguar gruan me vajzën tek familja e saj. E vet kam duruar”, thotë ai duke përshkruar ditët e dimrit kështu dhe situatën me të cilën po përballet tash e 17 vjet në “luftë” me urinë.

“Verës dal këtu këpus ndonjë pemë apo ndonjë dardhë e shtyj me prodhime të miat vet, mbijetesë e zorit”, thotë Gorqaj.

Ai mban një gomar që është i vetmi mjet me të cilën nxjerr ndonjëherë të holla. “Me gomar ka ndodh të shkojë në mal të prej hunj për domate dikujt ose për fasule dhe nuk paguhem më shumë se 15 apo 20 euro...”.

Madje, si në humor shprehet “me një gomar që mund t’ia dal idaren këtë e kisha shokun më të mirë e kam që 14 vjet”. Muret e shtëpisë prej dy dhomave dhe llamperinë, thotë se ia ndërtuan holandezet si ndihmë humanitare, por ai u desh me llastikë ta mbulojë llamperinë që të mos bie shiu brenda dhomave.

“Një ditë kur me thërret të punojë dikush atë ditë e heq brengën, pra  krejt barrën kur punoj dikund”. Gorqaj tregon se nuk e zgjedh punën dhe punon atë që i kërkohet vetëm të sigurojë ushqimin. “15 euro dita njëherë në muaj ose tri javë mundësia më e mirë, duhet me ia dal nuk ke kah shkon, madje nuk din as ku t’i shpenzosh më parë ato të holla”, thotë ai, duke bërë thirrje qeveritarëve që “të prekin kokën pak dhe të shohin se çka janë duke bërë”./ZËRI

Kush do që ka mundësi t’i ndihmojë kësaj familjeje mund të kontaktojë në këtë numër: 044794652

Image