E lanë Gjermaninë për UÇK-në, po vdesin nga uria në Kosovë (FOTO+VIDEO)

Aktuale June 26, 2016 - 08:12

E kishin lënë Zvicrën dhe Gjermaninë për t’iu bashkangjitur UÇK-së, ndërsa 17 vjet pas çlirimit të Kosovës janë shndërruar në raste të rënda sociale. Ish-luftëtarët, që lanë jetën luksoze në Evropë, çdo muaj hyjnë borxh nëpër dyqane të ndryshme për t’ia blerë ushqimin familjarëve të tyre

Nazif Erlishta kishte lënë Zvicrën për të marrë pjesë në betejën e lavdishme të Koshares, ndërsa 17 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë po kërkon para borxh për të blerë miell për dhjetë anëtarët e familjes së tij.

Erlishta nga fshati Begaj (ish-Novosella e Begut), të komunës së Vushtrrisë, gjithçka që u ka shtruar në sofër për të ngrënë familjarëve i ka marrë borxh tek një shitore e lagjes, derisa miellin e ka marrë hua nga kompania “Rashani”.

I ulur në një shilte, Nazifi numëron plagët e marra gjatë luftës së fundit dhe ato që i kanë mbetur gjatë qëndrimit nëpër burgjet serbe, pasi që ishte zënë rob në Koshare si pjesëtar i brigadës “138 Agim Ramadani”, shkruan sot gazeta 'Zeri'.

Tani ndonëse ka nisur të marrë pensionin e invalidit të UÇK-së, atij nuk po i dalin këto mjete që t’i plotësojë nevojat elementare të familjes.
Erlishta shprehet se plaga e luftës po i mbulohet tash nga varfëria. “As fëmijët s’i kam shkolluar, mezi ia dolën ta mbarojnë të mesmen këtu. Ndonëse në fakultet mu regjistruan dy djemtë, unë nuk pata mundësi t’ua financoj studimet atyre. Me punën e krahut që bëja deri tani nuk e di as vetë si ia kam dalë t’i ushqej e t’i shkolloj deri këtu”, thotë ai që tash për shkak të torturave të burgut gjendja shëndetësore i është përkeqësuar, kurse familja rrezikohet të mbijetojë, pa krahun e vetëm të shtëpisë që sillte bukën.
“Kam punuar privat sa me mbet gjallë, punë të rëndomta çka kam gjetur, tash e marr atë pension si invalid i luftës 225 euro, por jemi dhjetë anëtarë çka të bëjë me të përpara”.
Erlishta tregon se në sofrën e tij ushqehen dhjetë veta. “Nuk po më mjaftojnë paratë, shpesh borxh, marrë borxh ushqim, marrë dhe miell shpesh në Vushtrri, kam 27-28 euro borxh për 100 kilogramë miell që kam marrë tek dyqani i miellit”. Ai thotë se në dyqanin e lagjes borxhi i mbërrin deri në 100 euro. “Kur po e marrë këtë pension po duhet me la nga pak në secilin dyqan borxhin, që t’ia lë vetes dyert çel me marrë prapë”, thotë ai i zhgënjyer se ne luftë kishte hyrë me mendimin se pasluftës gjithçka do të ishte mirë për qytetarët.

E la Zvicrën, po vuan në Kosovë

“Kemi menduar se Kosova do të jetë një ‘Zvicër e vogël’. E lashë punën në Zvicër që të luftoj për çlirimin e Kosovës. Tash po e shohim gjendjen ku kemi rënë, por unë po pranoj të rrezikohem urie sesa të revoltohem edhe pse shpirti na është lodhur. Sepse na ka ardhur puna me honger veten, po mbesim keq për bukë”.

Erlishta thotë se askush nuk ia hapi derën nga institucionet sesi jeton si ish-luftëtar. “Ne jemi të rrezikuar urie, duhet më hy borxh për të jetuar”, thotë ai duke treguar dhe shtëpinë siç thotë të “arnuar” nga dora e tij për ta bërë të banueshme sadopak për fëmijët e tij dhe tri mbesat e vogla të djalit të madh. “Djemtë janë për punë, por as për ta s’ka punë, vetëm të rëndomta. Djali i madh nuk arrin të sigurojë për vajzat e vogla ushqim siç duhet. Kemi dy dhoma dhe një sallon, e shtruar në çimento, por pikë kur bie shi. Ja këtu pikë, unë këtu flej dimër e verë”, tregon ai. Torturat e burgut tani e kanë “dorëzuar” në duar të mjekëve dhe vetëm një recetë mjeku i ka kushtuar 50 euro për të shëruar frymëmarrjen nga e cila vuan kohëve të fundit, njeriu që në burg ju thyen brinjët dhe dora. “Gjysmën e barnave s’i kam marrë hiç”, thotë ai.
Bashkëshortja e tij, Shefkija, tregon se jo rrallë i bie të mos ketë me çka ta përgatisë mëngjesin. “Në fillim të muajit kapërcejmë disi, por kah mesi e tutje mezi ia dalim. Për festa ia dalim diqysh na jep dikush”, thotë gruaja që mban magjen në këtë familje e që tregon se ka mbetur edhe pa miell në magje. “Kemi mbet dhe pa miell ma vështirë s’kish”, thotë ajo duke treguar se tani kanë filluar të hyjnë borxh në dyqane. “Jemi mbet dhe pa harxh me lyp s’kemi dal asnjëri. Fëmijët i mashtrojsha pritni-pritni...”, thotë ajo derisa shpërthen në vaj sesi i është dashur të thurë ndonjë muhabet për t’ua humbur fëmijëve mendjen që kishin tek buka.

Ajo thotë se nusja falë një motre që ia jep rrobat e fëmijëve të saj ia del t’i veshmbathë vajzat. “Një ditë në javë a punon a hiç djali punë fizike, kush ta thirr me punu një ditë punon çfarëdo pune të rëndomtë, ndodh tërë muajin nuk e thërret askush”. Shefkija tregon se 5-6 muaj nuk arrijnë ta paguajnë as rrymën. “Vijnë na këpusin, mbesim 10 ditë pa rrymë...”. Ajo thotë se janë ankuar disa herë se nuk kanë gjendjen sociale ta paguajnë rrymën, por nuk është marrë parasysh ankesa e tyre. “Më shumë kemi mbetur në dorë të Zotit se në dorë të shtetit, ndash luftoi ndash UÇK çka do këto kemi tash, nuk mendon kush a luftove a ke i burgosur a qysh po rrnojmë”, thotë Shefkija.

 Borxhet në shitore

Fatmir Lahu, pronar i dyqanit të lagjes “Besarti”, thotë për gazetën se Nazifi vjen muaj për muaj hyn borxh për ushqime. “I japim ato që kemi, por dhe ne nuk kemi gjithë artikujt, ato që kemi nuk ia ndalim, është një familje e madhe, të ardhura nuk kanë, përveç të luftëtarëve që merr Nazifi..., ai vjen hyn këto borxh ka ndodh deri 80-90 euro në muaj, i shënon në bllok dhe kur merr pensionin vjen i lanë”. Tani është fillimi i muajit dhe Lahu thotë se ky ish-luftëtar ka borxh 30 euro. Po krejt s’mundet t’i kryejë të gjitha. Bukë, vaj, kripë, biber...për fëmijë se kanë tre fëmijë të vegjël. Dimrit ka kërkuar edhe të holla hua për barna të fëmijëve (mbesave) për shkak të gripave që ishin. “Është njeri i mirë, është i bërë llom nga torturat. Ditë për ditë nëpër mjek, prandaj e kuptojmë dhe respektojmë”. Por, Nazif Erlishta nuk është paraqitur asnjëherë si ish-luftëtarë të kërkojë ndihmë. Muhamet Ademi, pronar në firmën e miellit “Rashani”, në Vushtrri thotë se tani po e kupton se ai ka qenë luftëtar. “E njoh si njeri të mirë, që lanë borxhin me rregull sepse merr miell borxh në muaj, por zakonisht i paguan kur merr pension, nuk i vonon, i sjell, tash aktualisht ka 29 euro borxh”, thotë ai. Ademi thotë se Nazifi mban dhe ca pula për të mbetur gjallë dhe merr përveç miellit dhe misër për to. 

Katër herë gjatë këtyre gjashtë muajve Erlishta ka hyrë borxh për miell, kështu figuron në defterin që nga janari mban pronari Ademi.

Gruaja e ish-luftëtarit as me master s’mund të punësohet!

Agim Jashari, ish-luftëtar në Zonën e Shalës “Brigada 142”, është kthyer nga Gjermania dhe është inkuadruar në UÇK. Ai tregon se asnjëherë qëkur ka përfunduar lufta nuk ka marrë ndihmë nga shteti. Ai jeton me djalin dhe gruan, por në xhepin e tij nuk ka asnjë cent. Jashari thotë se ka provuar të punësohet, por nuk ia ka dalë. Madje as gruaja e tij që ka gradën magjistër e shkencave teknike është e papunë. “Sikurse mua, sikurse gruan na kanë refuzuar në konkurse”, thotë Jashari, duke treguar se si ish-luftëtar s’është marrë asnjëherë parasysh për punësim. Ai tregon se të birin shembullor në shkollë mezi ia ka dalë ta dërgojë deri në klasën e nëntë që sapo ka përfunduar. Të vetmen mbështetje kur mbetet keq thotë se e ka nga miqtë dhe të afërmit.

Por, për të mbushur sofrën me bukë edhe Jashari thotë se deri në tri-katër dyqane është në borxh. “Ndryshe s’kam si mbijetoj, nëpër dyqane me marrë ushqim veresi duhet derisa del dikush më çon ndonjë shok apo motra i laj kapak. Pra, me vështirësi dhe për ushqim ia dalim”. Në Mitrovicë ai thotë se është vështirë të gjesh edhe punë të rëndomtë. Shprehet i dëshpëruar. “Jetoj në një shtëpi bashkë me vëllain unë në katin e parë një dhomë me një kuzhinë”. Jashari thotë se tre nga ish-luftëtarët që kanë bërë vetëvrasje pas luftës i kishte njohur gjatë luftës. “I kam njohur mirë, krejt prej gjendjes sociale kanë bërë vetëvrasje prej problemeve janë ardhë në këtë gjendje, i kam njohur gjatë luftës dhe pas kur i kam takuar kanë pasur keq punët, janë ankuar s’po mund t’ia qesim në krye çka të bëjmë, s’po dimë çka të bëjmë. Njeriu s’e bën vetëvrasjen me plan, por prej nervozes, lodhjes është nënçmim dëgjon njerëz që s’kanë qenë as në luftë, as s’kanë pasur lidhje me luftë sot marrin pension veterani...”

Grupi i tij në luftë përbëhej nga 15 veta. “Pesë nga ta janë vrarë, dhjetë jemi, dy kanë marrë status dhe tetë të tjerë s’kemi marrë, as unë, kam bërë ankesë tash e 14 muaj dhe nuk kam përgjigje”, thotë Jashari. Ai tregon se si është kryer lufta është regjistruar çdo vit dhe ka paguar kartelën 12 euro në vit ku ka figuruar si ish-ushtar. Për të bërë ankesën Jashari madje tregon se i është dashur të marrë borxh të holla nga shokët për rrugën apo ta dërgojë ndonjë shok me veturë në Prishtinë, ndryshe thotë nuk do të kishte arritur ta bënte as ankesën. Teksa flet nuk e ndal cigaren, shokët ia paguajnë siç shprehet “ta mbysë zhgënjimin”.

E la Gjermaninë, në Kosovë përballet me urinë

Ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) tani bëjnë punë krahu në Kosovë. Dhe kur dikush i merr si punëtorë krahu kjo është dita kur brenga ju largohet se do të shkojnë në shtëpi me ushqim për fëmijët.

I përbuzur nga institucionet, i lënë pa punë, pa ndihmë sociale, duke u përballur me urinë, prej 17 vjetësh Beqir Gorqaj, ish-luftëtari që jeton në Studenicë të Istogut, ende ruan me krenari epitetin e luftëtarit të UÇK-së.

Ai është kthyer nga Gjermania dhe ka hyrë në UÇK. Ai thotë se në Gjermani ora i paguhej 17 marka e gjysmë. “Por njerëzit po vriteshin në Kosovë, nuk munda të duroj. Me vetëfinancim, me uniforma, me armatim tim kam ardhur. Dhe jam rreshtuar në brigadën ‘Agim Ramadani’, ku më 17 prill 1999 jam lënduar prej unazave dhe kam bërë operim në Tiranë. Një koleg imi që u vra, Fadil Maloku, për të mos e marrë kufomën serbët e kam mbajtur kufomën me gjithë peshën e tij dhe e kam dërguar deri në pikën ku kemi pasur t’i lëmë dëshmorët”. Pas kësaj ai dërgohet për operim në Tiranë dhe rikthehet prapë në Koshare. Por, pas luftës ai thotë se me shumë sakrifica po e përballon jetën. Ai nis ditën duke pritur se kush po e thërret të bëjë punë krahu në ndërtimtari, të kositë apo të prashitë... Ka provuar të hyjë në punë, por thotë se është refuzuar. Tani me vështirësi ia del të sigurojë ushqimin për familjen e tij. “Po duhet të gjendemi disi, diku marrë dhe hua”, thotë ai duke treguar se askush nga niveli komunal apo qendror nuk ia kanë hapur derën. “Kam mbetur pa kripë, le më pa miell”, thotë ai duke rrëfyer se verës ia del të gjejë punë fizike dhe të sigurojë bukën ndonëse ndodh që shkon një muaj apo më shumë dhe askush s’e thërret për ndonjë punë të rëndomtë. Kurse, dimrit tregon se është vështirë të mbijetojë si një njeri që nuk merr asnjë social. “Unë jam në listën e invalidëve, por ende asnjë pension s’kam marrë. Më është shpallur emri, paret s’m’i kanë dhënë gjoja se duhet verifikim në Komisionin Mjekësor Qeveritar prapë në Prishtinë”. Ai ka humbur shpresat për punë në këtë shtet. “Nëse ke të holla t’ia japësh dikujt të të punësojë e bënë çarenë, ja ky është shteti për të cilin kemi luftuar ne”. Ai thotë se ka luftuar për një shtet që kujdeset për qytetarët e vet. “Shumë keq na kanë lënë as kripë s’kam pasur. Kur se ke kripën senet elementare po tjerat”, thotë ai duke rrëfyer sesi deri tri ditë ka qëndruar pa ushqim. “Dy-tri ditë kam qëndruar pa pikë buke, e kam dërguar gruan me vajzën tek familja e saj. E vetë kam duruar”, thotë ai duke përshkruar ditët e dimrit kështu dhe situatën me të cilën po përballet tash e 17 vjet në “luftë” me urinë. “Verës dal këtu këpus ndonjë pemë apo ndonjë dardhë e shtyj me prodhime të miat vetë, mbijetesë e zorit”, thotë Gorqaj.

Ai mban një gomar që është i vetmi mjet me të cilën nxjerr ndonjëherë të holla. “Me gomar ka ndodhur të shkoj në mal të prej hunj për domate dikujt ose për fasule dhe nuk paguhem më shumë se 15 apo 20 euro...”. Madje, si në humor shprehet “me një gomar që mund t’ia dal idaren këtë e kisha shokun më të mirë, e kam që 14 vjet”. Muret e shtëpisë prej dy dhomave dhe llamperinë thotë se ia ndërtuan holandezët si ndihmë humanitare, por ai u desh me llastik ta mbulojë llamperinë që të mos bie shiu brenda dhomave. “Një ditë kur më thërret të punoj dikush atë ditë hjek brengën, pra krejt barrën kur punoj dikund”. Gorqaj tregon se nuk e zgjedh punën dhe punon atë që i kërkohet vetëm të sigurojë ushqimin. “15 euro dita një herë në muaj ose tri javë mundësia më e mirë, duhet me ia dal nuk ke kah shkon, madje nuk di as ku t’i shpenzosh më parë ato të holla”, thotë ai, duke bërë thirrje qeveritarëve që “të prekin kokën pak dhe të shohin se çka janë duke bërë”.  Megjithëkëtë, zhgënjimi me institucionet dhe dëshpërimi se nuk po mund të dalin nga “gropa e varfërisë” shumë nga ta i ka bërë pishmanë se lanë vendet perëndimore ku po jetonin dhe u kthyen që të luftojnë për çlirimin e vendit.

Kush do që ka mundësi t’i ndihmojë këtyre  familjeve të  ish luftëtarëve mund të kontaktojë në këta numra:

Agim Jashari 049443654,  

Beqir Gorqaj 044794652, 

Nazif Erlishta 044 976 692

 

Image
Image
Image