Kolonizimi i veriut, i rrezikshëm

Aktuale June 25, 2016 - 08:28

E rrethuar me toka të banorëve shqiptarë, “Lugina e Diellit”, vendi ku Qeveria e Serbisë ka filluar ndërtimin e 300 shtëpive për kthimin e 1500 banorëve serbë, po cilësohet si një projekt që ka për qëllim kolonizimin e Kosovës.

Jetësimi i këtij projekti që është financuar nga Beogradi ka për qëllim që të sjellë refugjatë nga shteti serb, të cilët janë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, e që të njëjtit asnjëherë nuk kanë qenë banorë të Kosovës.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se Kosova nuk mund ta marrë barrën e asaj çfarë ka ndodhur në ish-jugosllavi. Ai thotë se është i papranueshëm fakti që këtu të vijnë refugjatë serbë të cilët nuk kanë qenë asnjëherë shtetas të Kosovës.

“Ne së pari duhet të funksionojmë si shtet. Unë nuk jam për rikthimin e çdo njeriu i cili ka qenë apo mendon të jetojë në Kosovë, sepse, ne duhet të jemi një shoqëri e lirë për të gjithë, por jo vetëm për një nacionalitet dhe nacionalitet tjetër të mos ketë dhe këto ndarje janë duke u bërë jashtëzakonisht të këqija” është shprehur Bahtiri, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i marrë të gjitha masat që t’u japë mundësi të gjithë qytetarëve pavarësisht se të cilit nacionalitet janë të kthehen aty ku kanë jetuar më parë.  

“Me Pakon e Athisarit është një pjesë ku Qeveria e Serbisë mund të investojë, por nuk mund të investojë në ato vende për të bërë rikolonializimin e vendit. Duhet të investojnë në zhvillim ekonomik dhe në kthim të dinjitetit e jo të bëjnë ndarje nacionale të Kosovës”, është shprehur Bahtiri.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta shtrijë sovranitetin e saj në gjithë territorin e vendit dhe që t’iu mundësojë të gjithë qytetarëve të të gjitha kombësive kthim në vendet ku kanë jetuar më parë.

“Qeveria e Kosovës është ajo që duhet ta marrë në duar të veta shtetin e vet, të kthejë dinjitetin në atë pjesë ku nuk e ka. Të fillojë me punë dhe të kthehen të gjithë ata që kanë qenë më parë ku duan të jetojnë në paqe. Ata që kërkojnë të kthehen janë shqiptarët, por është e pamundur që të kthehen, ndërsa të vijnë njerëz prej vendeve të ish-Jugosllavisë dhe të vendosën aty kjo është një gjë e pamatur mirë”.

Ndërsa, asamblisti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Gëzim Alushi, ka thënë se ky është një vendim i kundërligjshëm sepse ky vend asnjëherë nuk ka qenë i banuar me refugjatë.

“Një vendim i tillë i marrë nga Qeveria e Serbisë është i kundërligjshëm dhe i papranueshëm për ne si subjekt opozitar. Ne si këshilltar komunalë në Komunën e Mitrovicës së Veriut e kemi kundërshtuar në tërësi që kjo ‘Luginë e Diellit’, e ashtuquajtur nga pala serbe, asnjëherë nuk ka qenë e banuar me refugjatë serbë, ku pretendohet që këtu të vendosën 300 shtëpi, me mbi 1500 banorë”, ka thënë Alushi.
Sipas tij, këtu përreth janë të gjitha pronat tona dhe një vendim të tillë e kanë kundërshtuar edhe në seancat e mbajtura në Komunën e veriut. “Ne nuk jemi kundër kthimit të banorëve nëpër vatrat e tyre edhe në pjesën e veriut, po edhe në pjesën e jugut, por, duhet të kthehen ata të cilët kanë banuar dhe kanë qenë banorë të kësaj treve, e jo të vijnë refugjatë të ardhur ndërsa komunitetit shqiptar nuk iu lejohet që të kthehen në vendet e ndryshme”, ka thënë Alushi.

Kundër vendimit të Qeverisë së Serbisë për të ndërtuar 300 shtëpi me 1500 banorë është edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, KLMDNJ, që e ka quajtur diskriminues këtë projekt.

“Qeveria e Serbisë është ajo e cila po ushtron funksionin ekzekutiv në Kosovë duke mos përfillur autoritetet kosovare për vazhdimin e ndërtimeve pa leje në veri të vendit. Ata vlerësojnë se janë shqiptarët e dëbuar gjatë luftës, ata që po diskriminohen në raport me kthimin në pronat e tyre”.

“Zëri” ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës në lidhje me ndërtimin e këtyre shtëpive nga ana e Qeverisë së Serbisë, dhe hapat që i ka ndërmarrë ekzekutivi në parandalimin e këtyre ndërtimeve, por nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.