6 fëmijë u mbytën në gropa

Aktuale June 25, 2016 - 08:21

Dy fëmijët, Florenta dhe Florent Mramori, që u mbytën të enjten në një gropë pranë shtëpisë së tyre në lagjen “Kolovica” në Prishtinë, nuk janë të vetmit që humbën jetën në këto gropa të lëna të pambyllura nga kompanitë që kryejnë punime në Kosovë.
Si pasojë e gropave septike të pambyllura nga kompanitë, kanë gjetur vdekjen disa fëmijë. 

Më 17 qershor 2015, dy fëmijë të familjes Bytyçi nga Sërbica e Ulët në Prizren janë mbytur në një gropë të mbushur me ujë.

Katër fëmijët e kësaj familjeje kishin hyrë për t’u freskuar në këtë pjesë të gropuar nga ekskavatorët e një fabrike të tullave.

Mirëpo, 11-vjeçari Leutrim Bytyçi dhe djali i axhës së tij, Leonard Bytyçi, 8-vjeçar, nuk arritën të shpëtojnë. E trupat e fëmijëve u nxorën nga një fqinj i familjes Bytyçi. Po me  këtë datë, një 12-vjeçar nga Kaçandolli i Mitrovicës, por që me familjen e tij jetonte në fshatin Frashër, është mbytur në lumin Sitnica. Blerim I. Behrami, nxënës i klasës së VI, u mbyt në një gropë në lumin Sitnica. Ai pati rënë në një gropë të thellë rreth 3 metra në lumë, e cila dyshohej se është hapur nga nxjerrja e zhavorrit kohë më parë.

Në maj të vitit 2011, një gropë në fshatin Koliq të Prishtinës, e cila është hapur nga një kompani për të marrë materialin bazë dhe për të shtruar rrugën dhe nuk u mbyll as njëmbëdhjetë ditë pas mbytjes së Almirit gjashtëvjeçar në këtë gropë.

Shtëpia, gropa ku gjeti vdekjen, fusha e sportit ku fëmijët luanin në afërsi të gropës dhe varri, gjendeshin në një hapësirë rreth 200 metra katrorë, e cila është krejt hapësira që Almir Goxhufi frekuentonte pas lindjes derisa u rrit, u bë gati të niste shkollën në shtator dhe vdiq.

KMDLNJ kërkon përgjegjësi ligjore për humbjen e jetës së fëmijëve

Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka kërkuar që përgjegjësit të vihen para drejtësisë. Ai ka thënë se kjo është mënyra e vetme që të parandalohen rastet e tilla. Ai thotë se këto raste të mëparshme kanë mundur të hetohen.

“Por, në të shumtën e këtyre rasteve papërgjegjësia e atyre që kanë punuar ka ndikuar drejtpërdrejt në humbjen e jetës së fëmijëve. Ky rasti i fundit, ai që ka kryer punë ka lënë një mjedis të rrezikshëm jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë banorët e asaj lagjeje dhe mendoj se ata që kanë dhënë leje për punë, ata është dashur edhe të ndërmarrin masa apo ta kontrollojnë punën e tyre sepse kërkohet që gjendjen ta kthejnë si në gjendjen e mëparshme apo të mos gjejnë një lokacion që paraqet rrezik për qytetarë. Prandaj, kjo ka mundur shumë lehtë të evitohet”.

Mirëpo, Shala thotë se është bërë e zakonshme që  gjithmonë të merren me pasojat, e nuk merren masat parandaluese për t’i parandaluar humbjet. “Dhe kjo ka ndikuar që të humben dy jetë krejt pa nevojë dhe natyrisht tash nuk ka asnjë efekt të merremi se kush duhet bartur fajësinë, jo kjo qeveri komunale, apo ajo tjetra sepse kemi humbur dy jetëra”. Shala thotë se familja nuk mund të ngushëllohet me akuza politike të ndërsjella, por, sipas tij, duhet të ndodhë vetëdijesim që të ndërmerren hapa identifikimi të lokacioneve të rrezikshme jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha qytetet e Kosovës në mënyrë që të parandalohen tragjeditë e ardhshme. “Sepse askush nuk mund të evitojë mundësinë se mund të ketë tragjedi dhe në të ardhmen. Shumë raste punohet në ndërtime kolektive, nuk ka siguri si për ata që punojnë, as për qytetarët, por ka shumë puseta të thella, të pambuluara, të cilat dhe nëse merren masa parandaluese mund ta eliminojnë mundësinë që dikush të shpëtojë”.

Shala thotë se në këto raste të humbjes së jetës nuk mjafton vetëm përgjegjësia morale si masë. “Hetuesia duhet të kryejë punën, kjo nuk mund të kalojë vetëm me një përgjegjësi morale të Xhelal Sveçlës. Por kush është përgjegjës këtu të bëhet e ditur, si dhe të dënohen që kjo të ndikojë që njerëzit të bëhen më të përgjegjshëm dhe në atë ardhmen të ndalohen këto tragjedi”. Shala bën të ditur se nuk ka asnjë rast në gjykata që është dënuar për humbjen e deritashme të jetës së fëmijëve në gropa. “As për kafshim të fëmijëve nga qenët nuk është dhënë përgjegjësi në gjykata”. Ndërsa, masa ligjore janë marrë ndaj fëmijëve të mitur që kanë kryer krim ndaj njëri-tjetrit. “Është evident lëshimi i atyre që kanë kryer punën dhe ata të cilët e kanë kontrolluar punën deri tash”, ka thënë ai. 

 Fëmijët që vdiqën nga kafshimi i qenve  

Një vit më parë një fëmijë 7 vjeç ka vdekur nga kafshimi i qenve endacakë në Fushë- Kosovë.

I ndjeri Driton Jashari, sipas dëshmitarëve, ishte duke hedhur mbeturinat në kontejnerët e lagjes kur është sulmuar nga qentë, e menjëherë është dërguar me autoambulancë në QKUK, por nga plagët e marra nuk ka mundur të mbijetojë.

Driton Jashari nga Fushë Kosova është viktima e tretë e pushtetit. Qenët endacakë morën edhe para tij jetë fëmijësh. Në Rakinicë të Skenderajt, një fëmijë 7-vjeçar u shqye nga qenët në vitin 2003, teksa po kthehej i vetëm nga shkolla. Ky fëmijë nuk kishte bërë as fotografinë e fundvitit me shokët e klasës. Varrimi i tij u krye pa u shoqëruar nga fotografia e tij. Në Karaçevë të Dardanës, në vitin 2011, një turmë qensh e sulmuan fëmijën Erion Foniqi, i cili në atë kohë ishte nxënës i klasës së parë. Sulme të qenve para këtyre viktimave dhe pas tyre janë raportuar nëpër pothuajse në të gjitha komunat e vendit, por që përfunduan pa marrje të jetëve njerëzish, e vetëm me lëndime. Në fshatin Karaçevë të Dardanës nuk jeton më familja e Erionit. Shaban Foniqi, babai i Erionit me bashkëshorten dhe dy fëmijët tjerë kanë ikur për në Francë. Një vit e gjysmë pas vdekjes së Erionit, banorët tregojnë për “Zërin” se ai nuk mundi të vinte në rrezik dhe jetën e dy fëmijëve të tjerë nga kafshimi i qenve. Përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale në Karaçevë, Selver Lenjani, pati konfirmuar për gazetën se dhimbja për djalin i shkatërroi, ata patën dhe dy fëmijë të tjerë dhe kishin frikë se mos do të bëheshin dhe ata viktima të qenve endacakë, ata deshën siguri për jetën e dy fëmijëve tjerë dhe ikën e mbyllën shtëpinë.

Pa politika shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve

Sociologu Leutrim Sahiti thotë për gazetën “Zëri” se fëmijët nuk janë të sigurt në Kosovë. Ai e bazon këtë në rastet e shumta kur fëmijët kanë qenë viktimë, si nga pakujdesia e institucioneve apo prindërve. “Fëmijët kanë humbur jetën duke u mbytur në gropa, janë therur me thikë nga bashkëmoshatarë të tyre dhe kanë humbur jetën nga plagët e marra, pastaj kafshimi nga qentë endacakë, sëmundjet e ndryshme, moskujdesi i duhur nga prindërit dhe mjekët, trafikimi i tyre, detyrimi i tyre për të punuar punë të rënda, braktisja e tyre nga prindërit... etj”.

Ai thotë se nuk ka fare politika adekuate për mbrojtjen e fëmijëve nga shteti. “Kujdesi i tyre është minimal e kjo vërtetohet nga trajtimi që iu bëhen që nga lindja në spitalet tona, ku mungojnë medikamentet elementare për trajtim ku familjarët detyrohen që t’i dërgojnë edhe jashtë vendit fëmijët e sëmurë në mungesë të trajtimit në Kosovë”. Kosova, sipas tij, ende nuk ka politika që mundësojnë një jetë normale për fëmijët. “Mungesa e shërbimeve të duhura sociale, mungesa e politikave qeveritare për rritjen e nivelit të sigurisë në shkolla, reduktimin e trafikimit të fëmijëve, braktisjes së shkollës, mbytjes së tyre në puse e në komunikacion afër shkollave, tregon më së miri për trajtimin e keq që i bën kjo Qeveri ardhmërisë së shtetit tonë”.

Rasti i mbytjes së fëmijës në Prizren nga shembja e një shtëpie të vjetër dhe tani i dy fëmijëve në vendpunimet e pambyllura e të mbushura me ujë, sipas tij, po ndodh nga mungesa e inspektimit të vendpunimeve nga inspektorët komunalë, si dhe nga vetëdija e ulët qytetare që nuk rrethojnë vendet e tilla për të mos ndodhur raste të tilla. “Kompanitë e tilla duhet të dënohen që të shërbejë si mësim edhe për të tjerët që veprojnë njësoj”. Sahiti thotë se prindërit duhet të vetëdijesohen të padisin kompanitë e tilla. “Përderisa ne nuk vetëdijesohemi që të kujdesemi për sigurinë e fëmijëve tanë, duke bashkëpunuar me institucionet e rendit në ndjekjen e tyre, të tilla raste do të përsëriten”, thotë ai.

Shkojnë në shkolla të mësojnë, kthehen të vdekur

Brenda dhe përreth objekteve shkollore, nxënësit përfundojnë të vrarë e të therur me thika të shokut apo bashkëmoshatarë të tyre. Gjatë vitit 2010 numri i nxënësve që është ulur në bankën e të akuzuarit për vepra penale të kryera apo si dëshmitarë pati arritur në 7139 veta, kurse në tremujorin e parë të 2011-s, janë 928 raste të raportuara nga Policia.  

Në vitin 2010, sipas të dhënave të Policisë, në shkolla kanë ndodhur 3 vrasje.

Ndërsa më 2011, i riu Muhamet Cakaj (19 vjet) është vrarë afër gjimnazit “Sami Frashri” dhe për këtë tre nxënës të këtij gjimnazi janë arrestuar. Në fund të janarit, F. Lushtaku nxënës i shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, është shtrirë në spital prej plagëve të marra nga thika e shokut të klasës, G. J. Leutrim Halimi, nxënës i klasës XI-të të Shkollës Teknike, më 1 qershor, pati ndërruar jetë po ashtu nga plagët e marra nga thika e një moshatari të tij, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve (1 qershor).

Të premten, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, mori pjesë në konferencën “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna në shkollë”. Bajrami tha se dhuna në shkollë është mjaft shqetësuese për Republikën e Kosovës. “Pa marrë parasysh numrin e rasteve të tilla, në një periudhë kur jemi duke punuar për të ofruar shkolla cilësore dhe humane”, theksoi ministri Bajrami.