Rrezik nga radikalizmi nëpër burgje

Aktuale June 21, 2016 - 08:08

Imamët radikalë dhe të tjerët të dënuar, rrisin rrezikun e shtrirjes së ndikimit të tyre edhe sa janë nëpër burgje.

Kjo ka bërë që të shtohet mbikëqyrja ndaj tyre nëpër burgje.

Personat e dënuar për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes fetare vazhdojnë të jenë nën llupën e institucioneve të sigurisë edhe brenda burgjeve ku janë duke e vuajtur dënimin.

Kjo për arsye se ata vazhdojnë të konsiderohen persona të rrezikshëm edhe brenda burgjeve, sidomos në përhapjen, indoktrinimin dhe rekrutimin me ideologji ekstremiste për të burgosurit e tjerë.

Në një intervistë të dhënë për “Zërin”, u.d. i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, ka bërë të ditur se të gjithë të dënuarit apo të dyshuarit për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me terrorizëm e që gjenden në qendrat e paraburgimit apo duke e vuajtur dënimin në burgjet e Kosovës, janë në mbikëqyrje të këtij shërbimi 24 orë në ditë dhe çdo sjellje e tyre vazhdon të jetë në vëzhgimin e pjesëtarëve të shërbimit korrektues.

Gjatë kësaj interviste, me theks të veçantë i është kushtuar rrezikshmërisë së të dënuarve për veprat penale që kanë të bëjnë me radikalizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, si dhe mundësisë së përhapjes së ideologjisë ekstreme nga këta persona në të burgosurit e tjerë.

Zogaj e ka pohuar se mund të ketë ndonjë rast ku këta persona kanë bërë përpjekje për t’i bashkëndarë mendimet e tyre me të burgosurit e tjerë, por ato raste janë të rralla dhe se Shërbimi Korrektues i ka në vëzhgim këta persona në të gjitha aktivitetet e tyre.

Ai po ashtu gjatë kësaj interviste ka folur edhe për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar ky shërbim. 

Zëri: Në burgjet e Kosovës ka persona të dënuar për veprat penale që ndërlidhen me terrorizmin dhe nxitjen e urrejtjes fetare. Këta të burgosur ndajnë të njëjtat dhoma dhe pavijone me të dënuarit e tjerë, që kryesisht janë aty për kryerjen e krimeve ordinere. Sa janë të rrezikuar të burgosurit e tjerë nga personat e dënuar për terrorizëm dhe përhapjes së ideologjisë ekstremiste nga ana e tyre?

Sokol Zogaj: Është e vërtetë që në burgjet e Kosovës kemi një numër të madh të të burgosurve, të cilët janë të paraburgosur dhe të dënuar që kanë qenë në zona të luftës, një numër i madh i të cilëve janë paraburgosur. Ne kemi bërë përpjekje që ata të sistemohen në të gjitha qendrat e paraburgimit, duke e përfshirë edhe burgun e sigurisë së lartë. Kemi treguar një kujdes të veçantë që të mos kenë kontakt mes tyre këto grupe, dhe i kemi shpërndarë në pjesë të ndryshme brenda një burgu, si dhe në burgjet e tjera, duke bërë kështu që t’iu pamundësohet kontakti mes vete, qoftë në dhoma, shëtitore dhe në aktivitete të tjera. Dhe ne jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme që këta të burgosur të mos ndikojnë në të burgosurit e tjerë, që të mos zhyten në ideologjinë e tyre.

Deri më sot, inteligjenca jonë dhe qëndrimi i njerëzve që merren me siguri të veçantë që këta njerëz të mos infektojnë të tjerët me ideologjinë e tyre. Por, nuk është boll kjo, unë kam kërkuar nga një projekt amerikan që ka ndarë 15 milionë dollarë për të burgosurit, të cilët kanë shkuar në zona të luftës në Siri dhe Irak, që të ndahet një projekt dhe të punohet me ta. Stafi ynë asnjëherë nuk ka pasur probleme me ta, ne nuk ua kemi ndalur të drejtat, ata kanë mundur t’i kryejnë ceremonitë e tyre fetare brendapërbrenda dhomës, mirëpo ata gjithherë janë mbikëqyrur që të mos kenë ndikim te të tjerë persona. Unë kam kërkuar prej këtij projekti që është ndarë ekskluzivisht për këtë kategori të të burgosurave që stafin tonë ta trajtojë, në të cilin kemi paraparë një burg prej 25 vetash të stafit korrektues me uniformë që punojnë 24 orë me ta, po ashtu edhe stafi tjetër që do të jetë një staf i zyrtarëve socialë, duke përfshirë edhe shërbimin shëndetësor që do të marrin pjesë mjekët, teknikët, psikologët dhe neuropsikiatrit.  

Në burgje po shpërndahet ideologji ekstremiste

Zëri: A jeni ballafaquar me situata të tilla ku persona të dënuar për terrorizëm kanë synuar të indoktrinojnë ose rekrutojnë persona brenda burgjeve të Kosovës? Nëse po, si keni vepruar?

Sokol Zogaj: Ne i kemi përcjellë me kujdes, ndoshta në heshtje ka mundur ndonjë të flasë ose diçka ngjashëm, mirëpo sipas vlerësimeve tona të burgosurit të cilët kanë qenë në dhomë me ta dhe në aktivitete, ne themi me përgjegjësi të plotë se 90% nuk kanë mundur të ndikojnë te ta.  Ndërsa, ata kanë ndikuar te një përqindje shumë e vogël, sepse është një numër i madh i të burgosurve. Në burg janë rrethana të tjera, këta po ndikojnë edhe në jetën civile dhe në komunitet e lëre më në burg. Në komunitet ai ka mundësi të lëvizë dhe e ka jetën të hapur, ndërsa në burg, në një qeli atëherë ndoshta mund të ketë aty-këtu, por nuk është bërë dukuri. Ne deri sot nuk e kemi vërejtur që ndikimi i tyre negativ mund të vijë në shprehje te të burgosurit e tjerë.

Zëri: A janë nën vëzhgimin e shërbimit korrektues këta të dënuar?

Sokol Zogaj: Këta janë në vëzhgim të shërbimit korrektues 24 orë. T’ju them të drejtën ne ndryshe kemi menduar kur kanë ardhur dhe kur i kemi pranuar, kemi menduar që do të kemi probleme me ta, se do të shprehin pakënaqësitë e tyre, por deri më sot nuk kemi ndonjë vërejtje për sjelljen e tyre. Pjesa më e madhe e tyre janë fanatikë të qëndrimeve të tyre, mirëpo te disa vërehet se burgu e ka ndikimin e vet psikologjik, por ajo që është e rëndësishme është se shihet se ata e kanë kuptuar që kanë gabuar.

Zëri: A ka ndonjë sistem edukues për këta të burgosur?

Sokol Zogaj: Sistemi është si për gjithë të tjerët. Brenda burgjeve ne e kemi sistemin arsimor që përfshihet përfundimi e shkollës së mesme dhe kur të certifikohen, ata nuk certifikohen nga burgu, por nga qendrat shkollore. Mandej, kanë mundësi që të kryejnë edhe zanate të ndryshme. Ne jemi të gatshëm që ata njerëz t’i punësojmë në burg dhe se puna është terapia kryesore që mund të ndikojë pozitivisht te ta.

Zëri: A ekziston mundësia e ndarjes fizike në mes të të dënuarve për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm dhe të dënuarve për krime të tjera?

Sokol Zogaj: Unë mendoj që nuk do të ishte mirë, sepse sikur të jenë të gjithë së bashku është problem që të përmirësohen dhe të ndërrojnë mendjen, me një fjalë të risocializohen. Por ata duhet të shpërndahen që të shoqërohen me të tjerët, të cilët nuk janë të ngarkuar me atë ideologji. Sikur ata të jetojnë brenda një grupi me të cilët kanë qenë bashkë në luftërat e huaja dhe e ndajnë të njëjtën histori, është shumë e vështirë që ata t’i përgatisim që të kthehen në komunitet dhe të integrohen qysh duhet. Ndërsa vendqëndrimi i tyre me të burgosurit e tjerë ka më pas një pozitivitet dhe një rezultat më të mirë në risocializimin e tyre.

28 euro për 24 orë çmimi për një të burgosur

Zëri: Cilat janë disa nga problemet akute me të cilat po ballafaqohet Shërbimi Korrektues i Kosovës?

Sokol Zogaj: Shërbimi Korrektues i Kosovës ka probleme të ndryshme, duke filluar nga ato financiare, ku brenda tri viteve ndahen vetëm 15 milionë euro për këtë shërbim, që mendoj se është pak. Sa i përket kësaj, ne po ashtu kemi bërë shumë pak në punësimin e të burgosurve, për arsye se sikur që ata të punësoheshin do të prodhonin, e që është model edhe në vendet tjera, ku pjesa më e madhe e të burgosurve në vendet perëndimore punonin duke e siguruar jetën e tyre dhe të familjeve, duke krijuar të mira materiale dhe duke mos u bërë barrë e shoqërisë.

Edhe ne jemi duke shkuar në atë drejtim që t’i punësojmë këta njerëz në mënyrë që të mos i krijojnë probleme sociale shoqërisë, të mos e rëndojnë buxhetin e shtetit, ku mbajtja e një të burgosuri për 24 orë na kushton 28 euro. Puna e bërë nga ta do të ndikonte edhe në uljen e buxhetit për të burgosurit. Po ashtu një problem tjetër shqetësues mbetet edhe kontrabanda brenda burgjeve, mirëpo ne jemi duke u munduar ta parandalojmë me metoda të ndryshme që kontrabanda sa më shumë të minimizohet me antivalë, me sigurim të jashtëm, me metodat e bastisjes e tjerë. 

Zëri: Sa është numri aktual i të burgosurve në burgjet e Kosovës?

Sokol Zogaj: Numri sillet rreth 1550, ndërsa dy vitet e fundit kemi rënie të numrit të të burgosurve, për arsye se gjykatat janë duke shqiptuar masa alternative, duke mos i dënuar personat, por vetëm duke i detyruar të bëjnë punë të dobishme shoqërore dhe kjo për ne është një sukses, duke bërë kështu që numri i të burgosurve të bjerë në një masë të madhe.