Pro dhe kundër misionit të EULEX-it

Aktuale June 19, 2016 - 08:20

Vazhdimi i mandatit të EULEX-it nga Kuvendi i Kosovës nuk i ka “gëzuar” të gjithë kosovarët. Disa mendojnë se sikur EULEX-i të kishte luftuar të korruptuarit, në krye të institucioneve do të vinin njerëz më të mirë dhe më profesionalë. Ndërsa ka qytetarë që e konsiderojnë EULEX-in të dështuar

Qytetarët e Kosovës janë ndarë në dysh sa i përket misionit EULEX nëse i duhet apo jo vendit.

Vazhdimi i këtij misioni nga Kuvendi i Kosovës edhe për një mandat dyvjeçar nga disa kosovarë është pritur mirë me shpresën se në këtë mandat ky mision do ta tregojë veten duke luftuar krimin dhe korrupsionin.

Ndërsa, jo pak qytetarë të anketuar nga “Zëri” janë shprehur të zhgënjyer me misionin e EULEX-it, duke e vlerësuar negativisht performancën e tij, sidomos sa i përket luftimit të korrupsionit, gjë që kishin shpresuar se do të ndodhë me ardhjen e këtij misioni në Kosovë.

Sadik Shabanaj, banor i Deçanit, thotë se nuk ka ndonjë koment për këtë mision. Ai madje heziton edhe të shprehet pasi deklarohet i pakënaqur me punën e deritashme të këtij misioni.

“Nuk ka bërë asgjë. Pasojat po i vuajmë ne”, thotë ai derisa shpreh jooptimizëm që ky mision në mandatin e ri dyvjeçar, që ju dha nga Kuvendi, do të veprojë në vendosjen e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

“S’kam shumë besim, ashtu siç ka ardhur ashtu do të shkojë”, thotë ai për gazetën.

Zymer Iberhysaj, po ashtu banor i kësaj komune, shpreson se ky mision mund të bëjë diçka të mirë.

“Lutemi që të veprojë, se deri tash ky mision nuk ka luftuar korrupsionin. Uroj që të kenë ndryshuar mendje se vetëm me do cikërrima të vogla janë marrë, por ku është thellë dhe aty ku ka pasur të holla shumë, aty s’ka prekur”, thotë ai për gazetën.

Milaim Fazliu, nga Drenasi, ndonëse është i zhgënjyer me jetesën në Kosovë, që si invalid civil nuk arrin të sigurojë bukën për fëmijët e tij, beson tek EULEX-i.

Ai thotë se ishin shtetet e huaja ato që ndihmuan popullin e Kosovës. Ndonëse thotë se ka pritur më shumë si nga EULEX-i, si nga institucionet e Kosovës se do ta luftojnë krimin dhe korrupsionin, Fazliu ende beson se ky mision mund të bëjë diçka në zënien e atyre që u përfshinë në korrupsion dhe varfëruan popullin.

Të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni

Fazliu thotë se ky mision duhet të punojë drejt dhe me drejtësi ta luftojë krimin dhe korrupsionin.

“Korrupsioni duhet me qenë në zero. Nëse nuk luftohet korrupsioni dhe nuk kapen ata që kanë uzurpuar shtetin do t’i kemi punët edhe më keq”, thotë ai për gazetën përderisa shpreh besim tek ky mision me fjalët “Këta së paku (të huajt) i bien në krye pak i qetësojnë (pushtetarët që po keqpërdorin fondet), pak i ndalin”.  

Avni Lubovci, nga Suhareka, nuk shprehet i kënaqur me punën e misionit të EULEX-it dhe gjykatave të Kosovës.

“Korrupsioni është duke lulëzuar në Kosovë, nuk e di çka do të bëjë më shumë EULEX-i sesa bëri deri më tani”, thotë Lubovci.

Si pasojë e mosndaljes së korrupsionit qytetarët e Kosovës, sipas tij, po pësojnë dhe po varfërohen.

“Sikur të luftoheshin të korruptuarit nga ky mision dhe ne do të qëndronim më mirë si në ngritjen e pensioneve, në ngritjen e një shëndetësie të nivelit të duhur, arsimi… Dhe nuk do të kishte varfëri të skajshme. Qytetarët nuk do të dëshironin të iknin nga ky vend. Shumë kurbetçinj sa herë që vijnë në Kosovë për dokumente ankohen se i maltretojnë vetëm për të dhënë para për t’i kryer punët shpejt”, thotë ai.

Ndërsa Krist Prenaj, nga Gjakova, thotë se EULEX-i nuk jep shpresë për një jetë më të mirë në Kosovë.

Ai thotë se në rrethanat e duhura shteti do të duhej të funksiononte pa pasur nevojë për një mision të huaj. Sipas tij, EULEX-i nuk ka përmbushur misionin e tij.

Nuk e ka përmbushur misionin e vet EULEX-i

“Nuk ka luftuar krimin dhe korrupsionin. Sikur ta kishte luftuar krimin dhe korrupsionin nuk do ta kishim këtë gjendje të rëndë sociale që kemi tani”, thotë ai pasi, sipas tij, luftimi i të korruptuarve do të krijonte mundësinë që në krye të Qeverisë dhe organeve të tjera të institucioneve do të vinin njerëzit e duhur.

“Do të kishin ardhur njerëz më të mirë, më të shkolluar, më profesionalë, më përparimtarë dhe që do të mendonin për popullin”.

Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë në vitin 2008. Baza ligjore për funksionimin e këtij misioni është përcaktuar nga Bashkimi Evropian, më 4 shkurt 2008.

Në bazë të kësaj, EULEX-i ka funksionuar në kuadër të kornizës së përgjithshme të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. EULEX-Kosova është krijuar me synimin e përgjithshëm që t’i ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit të Kosovës në zhvillimin e drejtësisë efektive të bazuar në sundimin e ligjit dhe të lirë nga ndikimet politike.

Ky mision është misioni më i madh civil i themeluar në kuadër të Politikave të Përbashkëta për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) të Bashkimit Evropian. 

Pas funksionalizimit të EULEX-it në dhjetor 2008, detyra e tij e parë ishte shqyrtimi i anëve të forta dhe të dobëta në kuadër të fushës së sundimit të ligjit.

EULEX-i kishte edhe kompetenca ekzekutive në fushën e sundimit të ligjit, në veçanti sa i përket hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve të rënda dhe të ndjeshme.