Koalicioni pa vota për EULEX-in

Aktuale June 17, 2016 - 08:09

Koalicioni qeverisës, PDK-LDK-minoritetet, nuk arriti t’i mbajë deputetët në sallë për të vazhduar debatin për dy projektligjet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Kështu kur u erdhi rendi këtyre pikave për t’u trajtuar, nuk kishte kuorum për vazhdimin e seancës. Kuvendi do të vendosë sot për këtë çështje

Mungesa e kuorumit në seancën e së enjtes të Parlamentit të Kosovës ka bërë që çështja e vazhdimit të mandatit të EULEX-it të shtyhet për të premten (sot).

Kështu koalicioni qeverisës nuk ka arritur t’i mbajë dje deputetët në sallë për ta trajtuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare me BE-në për vazhdimin e Mandatit të EULEX-it dhe të Projektligjin për Ndryshimin e Ligjeve të nevojshme për këtë Marrëveshje. Këto projektligje janë futur në rend dite në procedura të përshpejtuara, pasi EULEX-i ka më shumë se dy ditë që i ka përfunduar mandati. Ndërsa në bazë të marrëveshjes së institucioneve të Kosovës dhe atyre të BE-së, si dhe të Projektligjit për Vazhdimin e Mandatit të EULEX-it, ky mision do të ketë mundësi që të hapë raste të reja në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kurse çështja e krimeve të luftës mund të kalojë në kompetencë të Gjykatës Speciale.  
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka propozuar që në rend dite të futen këto dy projektligje, ndërsa Lëvizja “Vetëvendosje” ka kritikuar mënyrën e procedimit të këtyre projektligjeve. Megjithatë, pasi këto projektligje me shumicë votash hynë në rend dite të seancës së djeshme, Komisioni për Legjislacion ka mbajtur një mbledhje në të cilën me vetëm një votë kundër (deputetja, Albulena Haxhiu ishte kundër) ka miratuar këto projektligje, për t’i proceduar në Kuvend. Por, kur u erdhi rendi këtyre pikave për t’u trajtuar në seancë, nuk kishte kuorum për vazhdimin e seancës dhe kështu kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, ka thënë se seanca do të vazhdojë të premten nga ora 11:00. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili ka kërkuar nga deputetët që të jenë më të përgjegjshëm dhe të qëndrojnë në sallë.

 Letra e Mogherinit

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, në letrën që ia ka dërguar presidentit, Hashim Thaçi, ka thënë se institucionet e BE-së në Kosovë do të vazhdojnë të ndihmojnë institucionet e Kosovës për zbatimin e ligjit.

“Përfaqësuesi Special i BE-së dhe EULEX-i në Kosovë do të vazhdojnë të ndihmojnë institucionet, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë në forcimin e mëtejshëm të një sistemi të pavarur shumetnik të drejtësisë”, shkruan ndër të tjera Mogherini.

Më tej ajo ka thënë se në kryerjen e mandatit të vet, EULEX-i në Kosovë do të kontribuojë në lehtësimin e përparimit të Kosovës në rrugën e saj evropiane.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë për REL-in se me ligjin e ri është paraparë që në rrethanat e jashtëzakonshme, autoriteti kompetent i EULEX-it për arsye specifike të bazuara, mund të propozojë një rast të ri te prokurori i EULEX-it.

“Por, këtë do ta shqyrtojë një komision i përbërë nga kryeprokurori i Shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës do të vendosë për këtë rast a do t’i bartet apo jo”, ka thënë Kuçi.

Nuk ratifikohet marrëveshja në vlerë 40 milionë euro

Në seancën e së enjtes, Shaip Havolli është zgjedhur edhe drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit me mandat 5-vjeçar. Gjithashtu janë miratuar disa ligje. Ndërsa ka dështuar ratifikimi i Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, pasi koalicioni qeverisës nuk arriti t’i sigurojë 80 votat e nevojshme. Kjo marrëveshje në vlerë prej rreth 40 milionë eurosh ka qenë në rend dite në seancën e kaluar, por pasi koalicioni qeverisës nuk i kishte të sigurta votat e nevojshme u vendos që votimi të shtyhet për seancën e së enjtes, me ç’rast dështoi të ratifikohet.