Kundër kolonizimit në veri
Qeveria e Kosovës e konsideron të jashtëligjshëm fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e lagjes serbe “Lugina e Diellit” në veri të vendit, prandaj paralajmëron se do të marrë të gjitha masat ligjore për të parandaluar një ndërtim të cilin në këto kushte e konsideron të egër.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka kërkuar takim me kryetarin e Komunës së Zveçanit, Stevan Vulloviq, për këtë çështje.
Në anën tjetër, subjektet opozitare fajin për fillimin e këtij projekti, të cilin e vlerësojnë si kolonizim të Kosovës nga Serbia, ia hedhin Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa, pasi, sipas tyre, kjo Qeveri nuk i ka marrë seriozisht paralajmërimet për këtë projekt.
Edhe përfaqësues të shoqërisë civile nga rajoni i Mitrovicës kërkojnë nga Qeveria që të ndalë projektet kolonizuese të Serbisë në veri të vendit.
Bashkim Bekolli, këshilltar i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Aganit, ka thënë për “Zërin” se kompetencat për lëshimin e lejeve ndërtimore për shtëpitë në fjalë i takojnë komunës së Zveçanit, por Bekolli ka sqaruar se komunat në veriun e Kosovës, përfshirë edhe Zveçanin nuk disponojnë këto dokumente të Planifikimit Hapësinor Komunal të përcaktuara me Ligjin për Planifikimin Hapësinor.
Prandaj ai ka thënë se këto ndërtime janë të jashtëligjshme dhe se do të merren masat e nevojshme.
“Mbështetur në këtë, çdo aktivitet ndërtimor i filluar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi nga ana e Komunës së Zveçanit në këtë rast, do të konsiderohet i jashtëligjshëm. Ministri Agani menjëherë i ka dërguar ftesë zyrtare kryetarit të Zvecanit ku ka kërkuar nga ai takim për të biseduar rreth kësaj situate. MMPH-ja do të marrë të gjitha masat ligjore për të parandaluar një ndërtim të cilin në këto kushte e konsiderojmë të ‘egër’ dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi”, ka deklaruar Bekolli.
I papranueshëm implikimi i Serbisë
Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet një komunikate për shtyp i ka konsideruar të papranueshme përpjekjet e qarqeve të caktuara, që në kundërshtim me aktet ligjore dhe procedurale, të iniciohet ndërtimi i projektit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në veri të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës është informuar nga ministrat përkatës për këto veprime të kundërligjshme dhe ka ngarkuar Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministrinë e Kthimit dhe të Komuniteteve, në bashkëpunim edhe me Komunën e Zveçanit, që të ndërmarrin masat e duhura për ndërprerjen e veprimeve të tilla dhe të përmbushen të gjitha kushtet ligjore”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës, po ashtu, e konsideron të papranueshëm implikimin e Qeverisë së Serbisë që duke nxitur komuna të caktuara të Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime të paligjshme dhe në dëm të relacioneve ndërmjet qytetarëve të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet që të krijojë kushte normale për të gjithë qytetarët e saj si dhe kthimin e tyre në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Ky proces, do të jetë i mundshëm dhe i qëndrueshëm vetëm duke respektuar ligjet të cilat ofrojnë siguri dhe stabilitet afatgjatë për çdo qytetar dhe në linjë me proceset euro-integruese”, përfundon komunikata e Qeverisë së Kosovës.
Haradinaj: Dialogu të ridefinohet!
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i pyetur se si e komenton fillimin e ndërtimit të kësaj lagjeje në veri të vendit, thotë se dialogu me Serbinë ka dështuar, pasi që kjo e fundit vepron në territorin e Kosovës pa dakordim.
“Është me rëndësi që procesi i dialogut me Serbinë të ridefinohet. Nuk mundet Kosova të vazhdojë me një proces të tillë të dialogut, edhe rasti i djeshëm tregon sesa i pavlerë është ky dialog. Pra, dy vende gjoja dialogojnë, njëra nga palët vepron në territor të tjetrit pa dakordim paraprak, pa marrëveshje. Pra kjo flet se dialogu ka dështuar dhe si i tillë nuk bën të vazhdojë”, është shprehur Haradinaj.
Kurse kryetari i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka thënë se ndodh kur vendit i sjell siç është shprehur ai, të ashtuquajturin Asociacion dhe kur nuk keni kontroll asgjë në vendin tuaj. Limaj më tej ka thënë se qeveritarët e Kosovës janë shumë aktiv për të mashtruar qytetarët, ndërsa, sipas tij, nuk po reagon ndaj kolonizimit që i bëhet vendit.
“Ata janë shumë aktiv për të mashtruar qytetarët e Kosovës, ndërsa ulin kokën, fshihen kur para syve të tyre ndodhin gjëra të cilat po ndodhin. Kjo në fakt është edhe një argument që ne duhet fuqishëm të angazhohemi që vendin tonë, Kosovën, ta trajtojmë, ta ndërtojmë ashtu siç e sheh Kushtetuta dhe jo ta copëzojmë e kolonizojmë. Këto janë duke ndodhur para syve të Qeverisë”, ka potencuar Limaj.
Zëdhënësi i “Vetëvendosjes”, Frashër Krasniqi, ka thënë se ky subjekt politik qysh më 6 dhjetor të vitit 2015 ka paraqitur shqetësimin e saj në lidhje me këtë projekt kolonizues të Serbisë në Kosovë. Krasniqi ka thënë se shqetësuese mbetet gatishmëria e qeverive të njëpasnjëshme të Kosovës për të ushqyer apetitet e Serbisë.
“Ajo që është shumë shqetësuese është gatishmëria e qeverive të njëpasnjëshme të Kosovës, për të ushqyer apetitet agresore të Serbisë. Një qeveri e përcaktuar për të mbrojtur sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, nuk do të lejonte që brenda shtetit që e qeveris të krijohet një sistem paralel etnik, sikur ky që Serbia ka ndërtuar gjithandej në vendet ku jetojnë serbët”, ka deklaruar Krasniqi, duke thënë se për “Vetëvendosjen” ky është rikolonizim i Kosovës dhe se mosveprimi i Qeverisë përballë këtij rikolonizimi, nënkupton bashkëpunim të Qeverisë me pushtetin në Serbi.
Preteni: Qeveria të ndalë planet e Serbisë
Musa Preteni nga Iniciativa Qytetare për Veprim (IQV) ka reaguar pas fillimit të realizimit të projektit për ndërtimin e lagjes serbe “Lugina e Diellit” në veri të vendit. Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosveprim karshi ndërhyrjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës duhet të ndalojë planet e Serbisë për kolonizimin e veriut, duhet të bëjë kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre të uzurpuara dhe ndërtimin e shtëpive të djegura. Qeveria e Kosovës deri sot nuk ka ndarë asnjë cent për ndërtimin e shtëpive të djegura dhe kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre”, ka thënë Preteni.
Sipas tij, Serbia ka planifikuar ndërtimin e dhjetë lagjeve të reja për vendosjen e 15 mijë kolonëve serbë në veri të Mitrovicës, ndërsa përmes spastrimit etnik ka dëbuar mbi 15 mijë shqiptarë nga veriu të cilëve ua ka djegur shtëpitë dhe ua ka uzurpuar pronat.
“Iniciativa Qytetare për Veprim kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë t’i largojë barrikadat e Serbisë, të garantojë lirinë e lëvizjes, të vendosë rend dhe ligj, të sigurojë jetën dhe pronën e qytetarëve të saj, si parakusht për normalizimin e situatës në veri dhe kthimin e të gjithë njerëzve pa dallime etnike në shtëpitë dhe pronat e tyre”, ka shtuar Preteni.