Neglizhenca e institucioneve, shkaktarë i vdekjes së vajzës tre vjeçare (FOTO+VIDEO)

Aktuale June 07, 2016 - 17:25

Janë të mbrojtura me ligj si objekte të trashëgimisë kulturore, por kjo lloj e trashëgimisë po shndërrohen në fatalitet për qytetarët. Neglizhenca e institucioneve për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e tyre ka bërë që dje në orët e pasdites një vajzë tre vjeçare të humb jetën si pasojë e plagëve të marrura nga shembja e një objekti të vjetër në Qendrën Historike të Prizrenit. Banorët kanë thënë se vazhdimisht i janë drejtuar institucioneve për rrezikshmërinë që po paraqesin këto objekte, por sipas tyre, kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.

Dëshmitari, njëkohësisht edhe fqinji i parë i familjes të cilës i ka ndodhur kjo tragjedi, Nue Spaqi, ka rrëfyer për atë çfarë ka parë në ato momente. Ai thotë se kjo tragjedi e ndodhur dje, ka qenë një tragjedi e paralajmëruar shumë kohë më parë, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që përbënin këto objekte për ta si banorë.

Image

 

Ndërsa, përgjegjësinë për gjendjen e këtyre objekteve të cilat janë buzë shembjes po bartët sa në njërin sa në tjetrin institucion. Të kontaktuar nga “Zëri”, zyrtarë të komunës së Prizrenit kanë thënë se ata nuk kanë kompetencë mbi këto objekte, pasi sipas tyre, e tërë kompetenca ligjore bie mbi Ministrinë e Kulturës.

Edhe zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, të cilët nuk kanë dashur që të flasin para kamere, kanë thënë se vazhdimisht i janë drejtuar me kërkesa si inspektoratit komunal, po ashtu edhe Ministrisë së Kulturës për gjendjen e rëndë të këtyre objekteve, mirëpo, ata asnjëherë nuk kanë marr përgjigje nga këto institucione.

Ndërkaq, Kryetari i Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Shafi Gashi, ka thënë se  buxhetet për restaurimin e objekteve të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore janë minimale, dhe se është momenti përfundimtar që Qeveria e Kosovës të ndaj një buxhet me të madh për restaurimin dhe mirëmbajtjen e këtyre objekteve, në mënyre që të parandalohen raste të tilla sikur ai që ka ndodhur dje në Prizren.

Image

Në anën tjetër, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka thënë se ata janë në fazën fillestare të mbledhjes së provave në lidhje me këtë rast, dhe se do të ketë fillim të hetimeve për përgjegjësit e këtyre objekteve.

Image

Dje në orët e pasdites në Qendrën Historike të Prizrenit është shembur një shtëpi e vjetër, ku një vajzë tre vjeçare nuk ka arritur që t’i mbijetojë plagëve të marra nga shembja e shtëpisë së familjes së saj dhe si pasojë e këtyre plagëve ajo e ka gjetur vdekjen. Të lënduara rëndë kanë mbetur edhe nëna dhe motra e saj./ZËRI

Image