Dëshmitarët 'e mbrojtur' ikin nga Kosova

Aktuale June 04, 2016 - 08:35

Shumë dëshmitarë të mbrojtur që janë deklaruar “vullnetarë” për të dëshmuar në proceset gjyqësore kundër “peshqve të mëdhenj” tashmë kanë lëshuar Kosovën në shenjë rreziku. Shumica prej tyre kanë shkuar në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa ka edhe të tillë që e kanë ndërruar identitetin.  

Mbrojtja e dëshmitarëve vazhdon të konsiderohet njëra ndër sfidat kryesore për drejtësinë kosovare, sidomos në rastet e krimit të organizuar dhe krimeve të luftës.

Rasti i fundit, që dëshmitarët janë ndjerë të rrezikuar, është ai për tjetërsim pronash ku janë të përfshirë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla, së bashku me ish-kryetarin e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Ukën, dhe 50 persona të tjerë. Prokuroria dhe Gjykata kanë thënë se dy dëshmitarët kryesorë në këtë rast, janë të rrezikuar me jetë dhe nuk do të deklarojnë fizikisht në gjyq, por nëpërmjet video-linkut. Krejt kjo është bërë për nivelin e lartë të rrezikshmërisë në të cilin ndodhen këta dy dëshmitarë, me ç’rast njëri prej tyre pritet të largohet nga Kosova.  

Problemet dhe rrezikshmërinë e dëshmitarëve i pohon edhe misioni i EULEX-it. Ky  mision shpreh shqetësimin e tij në lidhje me ekspozimin e dëshmitarëve nëpër media, sidomos, për ata të cilët janë dëshmitarë në vepra të rënda kriminale.

“Mbrojtja e dëshmitarëve është element esencial i ndjekjes penale të krimeve të rënda, siç janë korrupsioni, krimi i organizuar dhe krimet e luftës. Një prej sfidave kryesore për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë është ekspozimi i paskrupullt i dëshmitarëve dhe familjeve të tyre nëpër media, çka mund të perceptohet si fushatë frikësimi që e rrezikon drejtësinë dhe krijon frymë të pandëshkueshmërisë në kuadër të ligjit”, thuhet në përgjigjën e EULEX-it.

Dëshmitarët nuk janë në infrastrukturë të mbrojtjes

Ndërkaq, sipas Drejtorisë për Mbrojtën e Dëshmitarëve në kuadër të Policisë dëshmitarët në Kosovë ballafaqohen me një sërë vështirësish.

“Vështirësitë me të cilat përballen dëshmitarët në Kosovë janë të ndryshme, duke filluar nga territori i vogël shtetëror, numri i vogël i banorëve dhe afërsia e theksuar familjare, etj.”, bënë të ditur Policia e Kosovës.

Mungesën e një ambienti të përshtatshëm për dëshmitarët, e sidomos për dëshmitarët e mbrojtur në Kosovë e pohon edhe Besa Kabashi – Ramaj, nga Qendra për Hulumtim, Dokumentin dhe Publikim “CRDP”. Sipas saj, nuk mund të ketë shtet të së drejtës pa mbrojtjen adekuate të dëshmitarëve. 

“Mendoj së dëshmitarët në Kosovë nuk janë të mbrojtur, sepse mbrojta e dëshmitarëve është një çështje shumë e ndjeshme sidomos në një vend si Kosova që ka kaluar nëpër një periudhë të tranzicionit. Në bazë të hulumtimeve tona, kemi vërejtur disa probleme në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve që kanë të bëjnë më shumë me infrastrukturën e mbrojtës së dëshmitarëve”, ka thënë Kabashi – Ramaj.

Ajo i ka përmendur edhe disa problemet kryesore me të cilat ballafaqohen dëshmitarët në vendin tonë.

“Fatkeqësisht ekzistojnë disa probleme të mëdha njëra ndër to është mungesa e vullnetit politik për t’i dhënë rëndësi mbrojtës së dëshmitarëve. Tjera është mungesa e një komunikimi ndërmjet institucioneve për mbrojtën e dëshmitarëve, mungesa e një sistemi për mbrojtën e informacionit, për momentin prokurorët specialë të cilët i kemi intervistuar kanë pasur rezerva shumë të mëdha edhe nëse kanë dashur të bëjnë diçka infrastruktura nuk ua ka mundësuar”, ka thënë Kabashi – Ramaj. 

Sipas saj, edhe arkivimi i informatave te prokurorët specialë është vërejtur që ka mangësi të mëdha, sepse, siç thotë ajo, të gjitha dosjet me emra dhe mbiemra të rasteve janë të radhitur njëra mbi tjetrën.

“Dhe në atë moment që dëshmitarët e tjerë potencialë e shikojnë që në sistemin e arkivimit nuk është asgjë sekrete, nuk ka sistem operativ të kompjuterëve të koduar që i mbron informacionet, dhe një tjetër që i mbron informatat publike, si dhe nuk ka sistem të mirëfilltë të arkivimit për dosje fizike etj., dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë për një rishikim për t’i adresuar të gjitha këto mangësi në mbrojtën e dëshmitarëve”, ka shtuar tutje Besa Kabashi – Ramaj.   

12 dëshmitarë, të vrarë pas luftës

Në vitin 2011 është miratuar Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, i cili mundëson masa mbrojtëse për personat të cilët janë të rrezikuar për shkak të dhënies së dëshmisë së tyre në ndonjë proces. Në kuadër të institucioneve të drejtësisë ekziston një komision, i cili merret me mbrojtjen e dëshmitarëve. Ky komision udhëhiqet nga kryeprokurori i Shtetit, kryesuesi i Zyrës së hetuesisë së Policisë së Kosovës, dhe drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare llogaritet se në Kosovë janë vrarë së paku 12 dëshmitarë të mbrojtur të proceseve të ndryshme gjyqësore.