Duhani pihet edhe në Kuvendin e Kosovës

Aktuale May 31, 2016 - 08:11

Janë institucionet publike, duke përfshirë ato shëndetësore dhe arsimore, të cilat shkelin Ligjin për Kontrollin e Duhanit edhe më shumë se bizneset dhe kafenetë. Qytetarët e anketuar kanë thënë se Inspektorati nuk është duke kryer punën për kontrollin e pirjes së duhanit

Ndonëse është vendosur shenja e cila ndalon pirjen e duhanit në njërin nga lokalet në qendër të Fushë Kosovës, tymoset duhan vazhdimisht.

Kamerieri vendos në secilën tavolinë nga një mbajtëse filxhani që myshterinjtë të cilët pinë duhan ta përdorin atë në vend të taketukes.

Kamerieri, me kusht që të mos i citohet me emër për gazetë, ka treguar se në çdo 30 minuta e thërret në telefon numrin pa pagesë të Inspektoratit, të cilin thotë se nuk e hap askush.

“Por kur ndodh që vijnë inspektorët u themi që ju kemi thirrur pasi na erdhën disa myshterinj të padisiplinuar”, tregon ai për mënyrën se si gjenden kur inspektorët i gjejnë duke shkelur Ligjin e Duhanit, për çka ligji parasheh gjoba më të larta për menaxherin e institucionit apo lokalit ku thyhet ligji sesa për vetë personin që tymos.

Ndërkohë, zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit mbetet sfidues në Kosovë.

Në konferencën e organizuar nga iniciativa e të rinjve “Mos e dhez” u tha se Kosova ka një ligj shumë të avancuar për kontrollin e duhanit, ndërsa sfidat e zbatimit të tij në praktikë kërkojnë një bashkërendim sa më gjithëpërfshirës të aktiviteteve nga të gjithë për respektimin më të mirë të tij.

Shkelësit e duhanit mund të raportohen online

Kjo iniciativë lansoi platformën online për raportimin e shkeljeve të Ligjit mbi Kontrollin e Duhanit dhe njëkohësisht publikoi edhe rezultatet e një pyetësori, të realizuar në lidhje me shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji.  

Raporti specifikon se vendet ku nuk respektohet Ligji mbi Kontrollin e Duhanit janë pikërisht institucionet publike.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë se mosrespektimi i ligjit nga vetë institucionet është mjaft shqetësues.

“Jam pajtuar me të gjeturat e këtij pyetësori sepse përgjigjet janë ato që po tregojnë gjendjen aktuale”, ka thënë Rrahmani, ministër i Shëndetësisë.

Ministri, Imet Rrahmani, ka shtuar se me këtë ligj Kosova ka ecur tutje ndaj vendeve që po tentojnë të kontrollojnë pirjen e duhanit.

“Ne e kemi ligjin shumë të mirë për kontrollin e duhanit, është punuar mjaft gjatë dhe është mbështetur nga shumë faktorë. Mirëpo është për t’u brengosur ajo çka u tha që mu ata që e kanë votuar, e kanë vendosur që ky ligj të kalojë në Kuvend nuk e respektojnë. Të them të drejtën është mesazh jo i mirë përqindja e madhe, diku rreth 40 për qind, e shkeljes së ligjit në institucionet shëndetësore edhe arsimore”, ka thënë Rrahmani.

Se ligji nuk po respektohet jo vetëm nëpër institucionet private, por edhe nëpër ato publike e ka cekur edhe deputetja, Flora Brovina, kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës.

“Për fat të keq ligji nuk po zbatohet për shkak të ngecjeve të shumta edhe mungesës së kulturës shëndetësore, në këtë rast edhe të qytetarëve. Për të qenë e tillë duhet të zbatohen masat rigoroze ashtu siç janë paraparë me ligj, zbatimi i ndalimit të duhanit, pra mungesa e inspektorëve që edhe në vendet publike, në shkolla, në institucione, madje edhe në Kuvendin e Kosovës, ku gjithashtu pihet duhani mjaft dhe pa kontroll duke filluar nga vetë deputetet, por edhe nëpunësit që në hapësirat e punës pinë duhan, nuk ekziston një ndalesë e tillë dhe as një kontroll i tillë”, ka thënë Brovina.

Deputetja, që udhëheq me Komisionin e Shëndetësisë, ka thënë se ligji parasheh ndalesa të rrepta edhe për konsum të duhanit në institucionet shëndetësore derisa ai tymoset edhe brenda spitaleve.

“Në anën tjetër shohim se pikërisht edhe brenda institucioneve shëndetësore pihet duhani”, ka thënë ajo.

Selvije Kurti, nga iniciativa “Mos e dhez”, ka theksuar se në kuadër të projektit kanë bërë një anketim me qytetarët, duke shtuar se të dhënat e këtij pyetësori nuk janë tregues aq të mirë për situatën.

Kurti ka thënë se disa prej vendeve ku më së paku respektohet Ligji për Kontrollin e Duhanit janë institucionet.

“Prishtina ka implementuar më shumë ligjin sesa vendet tjera të Kosovës. Nga 300 korrespodentë që janë përgjigjur në këtë pyetësor, mbi 89 për qind e tyre thonë se Ligji i Duhanit nuk respektohet, ndërsa vetëm 20 për qind e tyre thonë që respektohet”, ka thënë Kurti.

Interferimi i industrisë së duhanit diskrediton ligjin

Vendet ku nuk respektohet ligji, sipas saj, janë kafenetë, institucionet shëndetësore, Kuvendi, institucionet arsimore, restorantet, diskotekat, etj.

Kritika u janë dhënë edhe inspektorateve përgjegjëse për kontrollin e pirjes së duhanit.

Shumica e të anketuarve janë përgjigjur se Inspektorati aspak nuk është duke e kryer punën sa i përket ndëshkimit të shkelësve të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Koordinatori shtetëror për Kontrollin e Duhanit, Faik Hoti, tha se Ligji për Kontrollin e Duhanit, përkatësisht zbatimi apo shkeljet e tij, ndajnë fatin që kanë edhe ligjet e tjera të miratuara në Kosovë dhe i njëjti ligj nuk mund të shihet jashtë këtij konteksti.

“Kur bëhet fjalë për këtë ligj, atë duhet parë në katër dimensione: në atë të fakteve shkencore për dëmet shkatërruese që sjell pirja e duhanit; dimensionin ekonomik ku humbjet nga duhani janë shumëfish më të mëdha se përfitimet që buxheti i shtetit merr nga taksat nga ky produkt; dimensionin e ndryshimeve evidente pozitive që ligji ka sjellë në shoqërinë kosovare pavarësisht se është sfiduar në vazhdimësi, dhe dimensionin e implementimit të tij dhe sfidave, ku gjithsesi shquhen mungesa e resurseve financiare për një mbështetje më të fortë, koordinimi joadekuat midis akterëve kyç, përkrahja politike e pamjaftueshme për këtë ligj dhe interferimi i vazhdueshëm i industrisë së duhanit në përpjekje për të diskredituar efektet pozitive të tij”, ka thënë Hoti.

Iniciativa e të rinjve "Mos e dhez" është kampanjë në mediet sociale, e shtrirë në tërë territorin e Kosovës, me qëllim të respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe si iniciativë ka dalë nga Shkolla për Mediet e Reja (program i NDI-së dhe USAID-it) në Kosovë.