Asambleja Parlamentare e NATO-s, në tetor me seminar në Prishtinë

Aktuale May 29, 2016 - 14:38

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i cili po merr pjesë në punimet e Sesionit Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Tiranë , si përfaqësues i Kuvendit i cili në këto punime ka statusin e vëzhguesit, ka zhvilluar edhe disa takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme, ku ndër të tjera i ka njoftuar edhe për seminarin që do të organizohet në Prishtinë nga AP e NATO- në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nga data 21 deri më 25 tetor të këtij viti.

Kështu bëhet e ditur përmes një komunikate për media e lëshuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Sipas kësaj komunikate delegacioni nga Kuvendi i Kosovës i përfaqësuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ishte në punimet e Komisionit për Politikë dhe Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri.

Haliti gjithashtu zhvilloi edhe takime bilaterale me përfaqësuesit e delegacionit zviceran dhe atij grek në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Në komunikatën thuhet se në takimin me udhëheqësen e delegacion zviceran në AP të NATO-s, Corna Eichenberger, u diskutua lidhur me çështjet që përfshijnë fushën ekonomike, trajtimin e emigrantëve, si dhe çështjen e pensioneve. Ndërsa, në takim me udhëheqësin e delegacionit grek, Christos Karagiannidis, u diskutuan mundësitë për të ngritur intensitetin e takimeve në mes të parlamentarëve të të dyja shteteve, duke shërbyer kështu në ngritjen e bashkëpunimit ndërparlamentar.