Deputetët në shtëpi, pagat në konto

Aktuale May 26, 2016 - 07:48

Deputetët e opozitës i kanë bërë gati tre muaj, kur kanë vendosur ta bojkotojnë punën e Kuvendit të Kosovës. Por, pavarësisht kësaj, ata vazhdojnë t’i marrin pagat bazë në vlerë 1488 euro. Vetëm bojkoti i 31 deputetëve opozitarë Kosovës i ka kushtuar 138 mijë e 384 euro në total. Por, hiç më të mirë nuk janë as deputetët “ngelaqë” të mazhorancës, të cilët regjistrohen për mëditje dhe ikin nga seanca

Kjo nomenklaturë e Kuvendit të Kosovës po dëshmohet se është më e dobëta e të gjitha legjislaturave të pasluftës, me deputetët më të papërgjegjshëm dhe të padëgjueshëm, shkruan sot gazeta "Zëri".

Legjislativi i pestë që nga themelimi po ballafaqohet me probleme, fillimisht për shkak të rebelimit të deputetëve opozitarë dhe bojkotimit të tyre, e tash së fundi edhe për mungesë të kuorumit, pasi që vetë deputetët e mazhorancës, si nxënësit “ngelaqë”, vetëm regjistrohen për mëditje, dhe ikin nga Kuvendi.

Deputetët e opozitës tash e tre muaj po e bojkotojnë punën e legjislativit, si shenjë kundërshtimi ndaj Qeverisë së Isa Mustafës.

Por pavarësisht bojkotit, deputetët opozitarë, sikurse edhe ata të koalicionit që mungojnë, vazhdojnë t’i marrin pagat bazë nga Kuvendi i Kosovës të cilat nuk janë edhe të vogla.

Nga përllogaritjet që ka bërë gazeta “Zëri”, del se tri partitë opozitare (LVV, AAK dhe “Nisma”) së bashku kanë 30 deputetë, por punën e Kuvendit po e bojkoton edhe deputeti i pavarur Ilir Deda. Secili deputet pagën bazë nga Kuvendi e merr në shumën prej 1488 euro, që sipas përllogaritjes për një muaj 31 deputetë të Kuvendi të Kosovës nga radhët e opozitës janë paguar në total plot 46 mijë e 128 euro. Ndërsa, për këta tre muaj, mars, prill dhe maj, sa e kanë braktisur punën e legjislativit, në kontot e deputetëve të opozitës kanë shkuar plot 138 mijë e 384 euro në total.

 Lekaj: Po, e kemi marrë pagën e plotë

Se pagën e plotë bazë e kanë marrë pa shkuar në asnjë seancë plenare pune dhe mbledhjet e komisioneve, e konfirmojnë edhe deputetët e opozitës. Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë për gazetën “Zëri” se pagën e bazë e kanë marrë pavarësisht bojkotimit, porse jo edhe mëditjet për pjesëmarrje në seanca plenare dhe mbledhje të komisioneve, e as për vizitat jashtë vendit.

“Po, fiks pagën e kemi marrë çdo deputet. Mirëpo, jo ato të komisioneve, sepse të komisioneve i marrim vetëm kur shkojmë. As udhëtim, as asgjë, pos pagës bazë që e kemi”, ka thënë Lekaj.

Hiç më mirë thuajse nuk janë as gjysma e deputetëve të partive në koalicionin qeverisës, të cilët rrallë marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe mbledhjet e komisioneve. Madje, për më keq, disa deputetë të koalicionit qeverisës shkojnë në seancë vetëm sa për t’u nënshkruar dhe për të marrë mëditjet, por nuk qëndrojnë në seancë deri në fund. E, kjo ka bërë që në disa seanca të fundit të ndërpritet seanca plenare për shkak të mungesës së kuorumit, meqë deputetët pavarësisht se ishin nënshkruar në fillim të seancës nuk ishin prezent aty.

 Pagën ua garanton ligji, por nëse s’e meritojnë qytetari mund t’i ndëshkojë

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës thotë për gazetën “Zëri” se pavarësisht bojkotit të punës së Kuvendit nga opozita, ata kanë të drejtë t’i marrin pagat bazë, por jo edhe mëditjet sikurse deputetët e koalicionit qeverisës. “Deputetët e subjekteve politike opozitare përderisa janë duke i bojkotuar punimet e Kuvendit, nuk mund t’i marrin pagat e plota si ata të partive në pushtet me përjashtim të pagës bazë. Mëditjet për seanca plenare dhe mbledhje të komisioneve nuk mund të merren pa qenë prezent. Paga bazë është diçka që parashihet përmes legjislacionit në fuqi për të gjithë deputetë që kanë mandat. Madje çdo përpjekje për të ndaluar këtë mund të ndëshkohet nga gjykata”, ka thënë Krasniqi, sipas të cilit deri në periudhën kur deputetët e humbin mandatin për shkak të mospjesëmarrjes në punën e Kuvendit, këtë pagë ia garanton ligji.

Por, duke qenë se deputetët paguhen mirë në krahasim me pagën mesatare në Kosovë, sipas Krasniqit, qytetarët janë ata që duhet të vlerësojnë nëse këta deputetë e meritojnë atë pagë pa shkuar fare në Kuvend.

“Se sa është e merituar kjo pagë për të gjithë deputetët e Kuvendit pa përjashtim, është më shumë vlerësim subjektiv. Në fund të fundit iu takon qytetarëve që përmes votës së tyre t’i ndëshkojnë deputetët të cilët konsiderojnë se nuk i kanë përfaqësuar interesat e tyre”, thotë Krasniqi, sipas të cilit, për dikë bojkotimi mund të jetë pikërisht ai mjet demokratik që duhet ndërmarrë për të shprehur protestën.

“Përderisa për dikë tjetër paga mund të konsiderohet si akoma më e pamerituar kur e takon deputetin në kafenetë e qytetit në kohën kur është thirrur seanca dhe pikërisht ajo seancë dështon për shkak të mungesës së kuorumit”, thekson Krasniqi.