Pacienti mbetet pa bateri në zemër, kardiologu s’e pranon as në spital

Aktuale May 23, 2016 - 08:15

R.B. nga Kamenica i ishin shpenzuar bateritë e pajisjes ICD që kishte vendosur në zemër që të mbante stabile organin e tij vital. Por, përkundër se bateritë i kishte në zero, doktori kardiolog, Imri Jashari, i kishte kërkuar atij që të gjendej siç mundet, pasi nuk mund të intervenonte më shumë se dhjetë ditë për t’ia vendosur bateritë e reja

Nga shtatori i vitit të kaluar askush në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk ka dhënë asnjë verdikt për një ankesë të një pacienti nga Kamenica, që i ishte drejtuar Zyrës për Mbrojtjen e Pacientëve.

R.B. nga Kamenica, siç merr vesh “Zëri”, është ankuar se edhe pse i ishin shpenzuar bateritë e ICD-së, një aparaturë kjo që vendoset në zemër dhe e mban stabile atë, doktori kardiolog, Imri Jashari, i kishte kërkuar të njëjtit që bateritë t’ia ndërrojë pas më shumë se dhjetë ditësh.

Pacienti në shkurt të vitit 2012 kishte vendosur në zemrën e tij një pajisje ICD, aparat ky që stabilizon ritmin dhe në rast të rënies në shok, të njëjtit i aktivizohet elektro-shoku, për të shpëtuar pacientin nga vdekjet eventuale klinike.

Aparatin e kishte vendosur në një klinikë private në Prishtinë, pasi në atë kohë në QKUK nuk bëhej implantimi i këtyre pajisjeve.

Mjekët në spital, siç është ankuar pacienti në instanca të ndryshme, i kishin thënë se aparati kishte një garancion prej 7 – 10 vjet. Mirëpo, më 15 shtator të vitit 2015, kur ai kishte shkuar për vizitë te disa familjarë të tij në Shkup, kishte pasur disa probleme shëndetësore.

Pacientit, siç merr vesh gazeta, i ishin shpenzuar bateritë e pajisjes që mbante stabile zemrën e tij dhe ky ishte një nga shkaqet që kishte përkeqësuar shëndetin e tij.

Pacienti me bateri zero në pajisjen që stabilizonte zemrën e tij, doktori s’e pranon as në QKUK

Nga ankesa e paraqitur, pacienti i ishte drejtuar Spitalit të Shkupit, ku për të intervenuar urgjent i ishin kërkuar të depononte 3000 euro. Por, ai kaq mjete nuk kishte me vete, pasi atje ishte për një vizitë private.

Doktori në Shkup i kishte dhënë terapi duke i kërkuar që urgjent të bënte një zgjidhje për bateritë e aparaturës që stabilizonte funksionimin e zemrës së tij.

Pacienti ishte kthyer në shtëpinë e tij në Kamenicë. Të nesërmen në mëngjes, kishte marrë një udhëzim dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, me një gjendje të rënduar shëndetësore.

Pas pritjeve të gjata në korridoret e QKUK-së, ai kishte takuar rastësisht drejtorin e Klinikës së Kardiologjisë, Gani Bajraktarin.

Drejtori Bajraktari, sapo i kishte parë udhëzimin mjekësor pacientit kishte kërkuar nga një mjek tjetër, më i ri në moshë, që atë ta orientonte te doktori përgjegjës.

Kështu, pacienti ishte dërguar te shefi i aritmologjisë, Imri Jashari.

Ky i fundit, i kishte kumtuar pacientit se gjendja shëndetësore e tij ishte shumë serioze dhe se aparati që ai kishte të vendosur kishte mbetur pa bateri.

Kështu, doktori i kishte kërkuar që ai të gjendej ashtu siç mundet, pasi brenda 10 ditësh nuk mund t’i bënte asnjë zgjidhje. “E vetmja çka mund të bëj unë është të jap një terapi Amiodoron. I thashë të lutem a mundesh me shënu në udhëzim këtë terapi pasi nuk e mbaj mend. Ai më tha krejt çka pata unë të thashë dhe mos më lodh më”, thuhet në ankesën e pacientit, adresuar zyrës për mbrojtjen e pacientëve, të siguruar nga burimet në Qendrën Klinike Universitare.

Në ankesën e tij, pacienti ka shënuar gjithashtu se ndonëse doktori e kishte njoftuar për gjendjen e rëndë shëndetësore nuk e kishte ndaluar në spital.

Pas atij momenti, pacienti është ankuar se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar edhe më shumë. Të nesërmen, ai i ishte drejtuar Spitalit të Shkupit.

Nga shtatori asnjë vendim për pacientin R.B.  

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me pacientin R.B. Ai kategorikisht ka refuzuar të flasë për media në lidhje me rastin e tij, derisa kjo çështje të zgjidhet në mënyrë institucionale.

“Lënda është në procedurë dhe po shpresoj që kjo punë të zgjidhet në mënyrë institucionale. Pastaj do të bëj publike gjithë rrjedhën e ngjarjes”, ka thënë ai.

Por ai nuk është ndalur së ankuari. Ndonëse pak ditë pasi kishte kryer intervenimin për t’i rivendosur bateritë në aparatin që mban stabile zemrën e tij, ishte mbajtur seanca e Komisionit Disiplinor, kjo instancë nuk ka marrë asnjë vendim për doktorin.

Lënda kështu është përcjellë në Komisionin për çështje Etike. Vetë pacienti ka konfirmuar se as kjo instancë nuk ka vendosur asgjë. Andaj edhe ka refuzuar të flasë për gazetën. Por, “Zëri” merr vesh se pacienti K.B. ishte drejtuar edhe në prokurori për të rrëfyer rastin e tij.

Por, doktori Imri Jashari që e konfirmon se pacienti ka bërë ankesë në zyrën për mbrojtjen e të drejtave të pacientit, thotë se komisioni disiplinor nuk ka marrë ende vendim për këtë rast.

“Çdo informatë mbi gjendjen e pacientit posedon gjeneratori i ndërruar i ICD-së. Për nivelin profesional timin mund të flasin vetëm ekspertë të jashtëm ngase unë jam i vetmi kardiolog në Kosovë i cili është i edukuar dhe i certifikuar për implantim  të deviceve si dhe programim të tyre”, është përgjigjur doktori Ilmi Jashari.

Ai ka thënë se është i gatshëm të dalë para çdo instance për të mbrojtur profesionalizmin dhe nivelin e tij profesional në raport me këtë rast, duke e quajtur tendencioze ngritjen e kësaj çështjeje nga gazeta “Zëri”.

“Mënyra e parashtrimit të pyetjeve nga ana juaj është tendencioze por për çdo dezinformim do t’i drejtohem hetuesisë. Ju mund të shkruani por jo të dezinformoni dhe të etiketoni”, është përgjigjur doktori, kur është pyetur nëse mund të mbijetojë pacienti me një pajisje zemre që i ka bateritë e shpenzuara.

Ndërkohë, Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, ka thënë se rasti është proceduar nga Komisioni Disiplinor në Komisionin Etik Profesional ku pritet të merret vendim për rastin.