Aderimet politike, sinjal për zgjedhje
Aderimet politike nga njëri subjekt politik në tjetrin kanë krijuar klimë parazgjedhore. Kështu të paktën vlerësojnë partitë politike opozitare dhe analistët politikë në vend.
Aderimet e ndryshme nga njëri subjekt politik në tjetrin vlerësohen si sinjal për zgjedhje të parakohshme. Për dallim prej partive në pushtet, të cilat nuk flasin për zgjedhje të reja, opozita dhe analistët politikë në vend thonë se aderimet apo rirreshtimet politike kanë krijuar një klimë parazgjedhore. Madje, sipas tyre, zgjedhjet e parakohshme janë mundësia e vetme për të tejkaluar përfundimisht krizën politike në të cilën është zhytur vendi tash e disa muaj.
Haradinaj: Zgjedhjet në vjeshtë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i pyetur nga “Zëri” nëse i sheh aderimet politike si sinjal për zgjedhje, ka thënë se është krijuar një klimë parazgjedhore, madje, sipas tij, zgjedhjet mund të organizohen në vjeshtë.
“Po shihet se mbijetesa ose vazhdimi i kësaj gjendjeje e ka koston shumë të madhe për të gjithë, veçanërisht për vendin, për qytetarët e vendit, për shkak se nuk hetohet ndonjë mundësi për ta rinis Kosovën në një gjendje ekzistuese. Pra vetëm pas zgjedhjeve mundemi me e rinis, me i dhanë Kosovës një nisje të mbarë dhe ne e ndjejmë se është një klimë parazgjedhore, me sa po shihet do të kemi zgjedhje në vjeshtë. Me sa po hetohet do të shkojmë drejt zgjedhjeve”, ka deklaruar Haradinaj.
Kurse deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se aderimet politike janë sinjal se do të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Në fakt ndryshimi i pozicioneve politike, apo siç i konsideroj unë si rirreshtim të individëve janë pozitive. ‘Vetëvendosja’ ka pas më së shumti ardhje. Kemi pas edhe dalje, mirëpo ardhjet janë shumë më të mëdha. Dhe po, unë mendoj që zgjedhjet janë afër, për shkak se nuk ka mbet zgjidhje tjetër”, është shprehur Selimi, duke thënë se për çështje të caktuara, disa qarqe po mundohen që ta mbajnë në “këmbë” shumicën parlamentare, por ai thotë se rrethanat janë të atilla që duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme.
“Ka qarqe të caktuara që po luftojnë ta mbajnë mazhorancën sipër 80 votave në Kuvend për shkak të disa temave, por ajo po mbahet në mënyrë artificiale. Rrethanat politike, kushtet dhe nevoja është që të kemi zgjedhje sa më shpejt, madje për shumë çështje edhe jemi vonuar”, ka theksua Selimi, pasi, sipas tij, tashmë kanë ndryshuar edhe relacionet në mes të forcave politike në vend.
Matoshi: Zgjedhjet në vjeshtë, ose në pranverë
Edhe sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, ka thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme, madje, sipas tij, aderimet apo rirreshtimet politike janë sinjal për zgjedhje.
“Zgjedhjet e parakohshme jo vetëm që do të mbahen, por ata janë të pashmangshme për ta zgjidhur krizën politike në vend. Se a do të mbahen shpejt apo pak më vonë, mbetet të shihet, por pa zgjedhje të parakohshme, nuk do të ketë stabilitet politik, nuk do të dalim dot nga kriza politike... Rirreshtimet politike siç i quaj unë, sigurisht se kanë të bëjnë edhe me mundësinë e zgjedhjeve të shpejta”, ka potencuar Sherifi.
Më tej ai ka thënë se zgjedhjet duhet të mbahen këtë vit, pasi ka humbur edhe efikasiteti i institucioneve dhe se kriza nuk mund të kalohet pa zgjedhje.
“Zgjedhjet duhet të mbaheshin këtë vit dhe nuk ka asnjë arsye që zgjedhjet të shtyhen, sepse nuk po ka efektivitet as mazhoranca, nuk po ka raporte të shëndosha brenda mazhorancës e lëre më në mes pushtetit dhe opozitës. Zgjedhjet janë të pashmangshme për të kthyer legjitimitetin e institucioneve”, ka shtuar Sherifi.
Ndërkohë, analisti Halil Matoshi, ka thënë se përçarja e bllokut opozitar, ia ka zgjatur jetën Qeverisë “Mustafa”, megjithatë ai thotë se zgjedhje mund të ketë në vjeshtën e këtij viti ose në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Shpërbërja e opozitës, përkatësisht dalja e ‘Vetëvendosjes’ nga blloku opozitar, mendoj se ia ka zgjatë pushtetit jetën, mirëpo për sa kohë, kjo nuk dihet. Mund të ketë zgjedhje në vjeshtën e këtij viti apo të shtyhet deri në pranverën e vitit të ardhshëm, mirëpo zgjedhjet janë të domosdoshme, sepse fundi i fundit është i vetmi mjet demokratik për të dalë nga kriza ku është katandis Kosova”, ka vlerësuar Matoshi.
“Zëri” ka bërë përpjekje të marrë edhe qëndrimin e zyrtarëve të PDK-së dhe LDK-së për këtë çështje, mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Përndryshe, kriza politike në vend ka filluar pas nënshkrimit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe të asaj për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në fund të muajit gusht të vitit të kaluar, me ç’rast opozita filloi protestimin në rrugë dhe bllokimin e punës së Kuvendit, përmes hedhjes së gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit.