Kuçi: Protestat s’do të ndalen

Aktuale May 14, 2016 - 08:08

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Kuçi, ka thënë se protesta e së shtunës do të jetë edhe një mundësi për Qeverinë që të reflektojë karshi kërkesave për anulimin e Marrëveshjes për Asociacionin dhe asaj për Demarkacionin, si dhe për zgjedhje të reja të parakohshme. Në të kundërtën, Kuçi ka thënë se protestat nuk do të ndalen.

Ai në një intervistë për “Zërin” ka thënë se AAK-ja dhe “Nisma për Kosovën” kanë bërë përgatitjet e nevojshme që protesta e së shtunës të jetë masive, paqësore dhe e dinjitetshme. Madje, sipas tij, mosmbështetja nga “Vetëvendosja” nuk do të ketë ndikim, pasi që, siç thotë ai, në këtë protestë do të marrin pjesë jo vetëm mbështetësit e dy subjekteve që po e organizojnë atë, por edhe të subjekteve tjera.

Zëri: Si prisni të shkojë protesta e së shtunës?

Kuçi: Kjo do të jetë protestë qytetare, masive, një protestë në të cilën qytetarët do të kundërshtojnë dy marrëveshjet e dëmshme dhe për shtet me dinjitet. Ky është edhe slogan dhe motoja e kësaj proteste. Të gjitha veprimet e nevojshme për protestë masive dhe mirë të organizuar janë marrë, prandaj jemi të bindur se ajo do të jetë e qetë dhe dinjitoze.

Zëri: “Vetëvendosja” nuk po e mbështet këtë protestë, a do të ndikojë kjo në numrin e protestuesve?

Kuçi: Po siç thashë edhe më herët protesta është e qytetarëve, nuk është vetëm e partive, kështu që qytetarët të shtunën do të protestojnë në një numër dinjitoz në sheshin “Skënderbeu”.

Zëri: A mendoni se do të protestojnë edhe mbështetës të partive në pushtet, të cilët nuk pajtohen me marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit?

Kuçi: Po gjithsesi që do të ketë. Protesta nuk është vetëm për ta kundërshtuar Marrëveshjen për Asociacionin dhe atë për Demarkacionin, por është për ta kundërshtuar përgjithësisht këtë formë të qeverisjes, për t’i thënë ndal kësaj forme të dëmshme të qeverisjes. Prandaj të gjithë ata qytetarë, të cilët duan që të ndalet kjo formë e qeverisjes, do të jenë prezentë në këtë protestë. AAK-ja dhe “Nisma” janë vetëm logjistikë e kësaj proteste, kurse protesta është e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Zëri: Protestat e opozitës kanë qenë shumë të rralla, a duhet të shtohen ato?

Kuçi: Mendoj se po dhe pas kësaj proteste Qeveria do të ketë edhe një shans që qytetari ia jep kësaj Qeverie që të reflektojë dhe të mendojë për veprimet e mëtejshme. Forma më e mirë dhe forma e duhur për tejkalimin e këtyre problemeve është që të shkohet në zgjedhje. Unë shpresoj se Qeveria do të reflektojë dhe do t’ia japë mundësinë qytetarit që ta tregojë vullnetin e tij.

Zëri: A mendon se do të ketë zgjedhje shpejt?

Kuçi: Zgjedhje të parakohshme do të ketë. Ne si Aleancë nuk kemi dilemë për këtë sepse edhe qytetarët janë të interesuar për zgjedhje. Të shtunën, qytetarët do t’i japin dhe një mundësi Qeverisë për të reflektuar. Ndoshta edhe faktori ndërkombëtar do të reflektojë sepse vendi ka nevojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që qytetari ta japë vlerësimin për këtë qeverisje.

Zëri: A mund të tejkalohet kjo situatë në ndonjë formë tjetër përveç zgjedhjeve, për shembull përmes zgjerimit të koalicionit?

Kuçi: Jo. Është çështje e prerë se AAK-ja në asnjë mënyrë nuk do të futet në çfarëdo qeverie pa u mbajtur zgjedhjet e reja. Pra, për ne kjo është çështje e përfunduar. Ne do të hyjmë në Qeveri vetëm nëse qytetari na jep konfirmimin për ta qeverisur vendin.

Zëri: Edhe sa kohë do të vazhdoni me protesta?

Kuçi: Kjo protestë është rast për qytetarët që të kundërshtojnë marrëveshjet e dëmshme dhe Qeverinë e dëmshme, përndryshe heshtja është një lloj pajtimi me këtë gjendje. Ne jemi të sigurt se qytetarët nuk pajtohen me këtë gjendje, prandaj ne si opozitë po ua mundësojmë atyre që ta shprehin mospajtimin. Kjo mënyrë e kundërshtimit do të ketë vazhdimësi. Ne nuk do të ndalemi me kundërshtim deri në pranimin e kërkesave tona.